Jashtë Europës, si peng i Bullgarisë dhe i kapadainjve të Shqipnisë

    ROMEO GURAKUQI

    Europa u tha sot “jo” sërish “bejlerëve” të zotnojnë këto kohë të pazakonta Tiranën dhe Shqipninë. Në pamje të parë duket sikur hapja e negociatave të Shqipërisë me BE është marrë peng nga Veto-ja e qeverisë së Bullgarisë, që përcjell në publik një arsyetim të sajin, për në jehonën e kohëve primitive.

    Mirëpo, në fakt, mohimi i së drejtës për portë të hapur në Perëndim dhe për qytetari të barabartë europiane për shtetasit e Shqipërisë nuk e besoj se lidhet vetëm me qëndrimet dhe komplekset e vendit fqinj ballkanik, që në çdo kohë të vështirë për ne, na është rreshtuar përkundër. Vetë mbajtja artificialisht në bllok, për një kohë të gjatë e dy vendeve të refuzuara sot, na bën me mendue se ngërçi ka arsye më të thella dhe lidhet me refuzimin, që vendet kryesore europiane i bëjnë me stil një shteti jo serioz dhe të çoroditun strukturalisht. Dhe, në fakt, publiku ndër ne është më se i qartë se pengesa kryesore në rrugën integruese është vetë klasa politike udhëheqëse e Shqipnisë.

    Përmirësimi i standardeve të lirisë së brendshme, shteti dhe institucionet, në total ndër ne, janë marrë peng nga krimi e korrupsioni galopant, egoja, ambicia e shfrenuar për të sunduar pa bërë zgjidhje me interes publik; është paaftësia ulëritëse shtetformuese e KM të vendit, që veç din të bëjë batuta dhe të cenojë pandërprerë seriozitetin e zyrës që mban pa meritë, përkundër rregullave demokratike të një shteti ku elitat duhet të qarkullohen. Është më se e qartë se qeveritë e disa vendeve kryesore të BE-së nuk mund ta kapërdijnë dhe pranojnë si partner të barabartë një vend me shtet të tillë të dështuar dhe me demokraci fasadë, që eksporton aq shumë krim në Europë, aq shumë refugjatë, aq shumë lëkundje strategjike, aq pasiguri të brendshme institucionale, aq shumë persekutim ndaj komuniteteve të veçanta kombformuese.

    Por nuk është vetëm e tashmja qeverisë që demoralizon dashamirësit e Shqipërisë. Përqark Kryeministrit të Shqipërisë enden në një valle deklaratash, denoncimesh dhe përçartjesh me çelësa ndërtesash luksoze ndër duar, shefat e opozitave të shpërndara ndër parcela partish të privatizuara, mbi baza familjare dhe nepotike, që, të gjithë të marrun së bashku nuk arrijnë dot të shkruajnë, jo më një draft reformë, por as një set parimesh themelore për një korrigjim konstitucional, administrativ, elektoral të drejtë, të ndershëm dhe plotësues të aspiratave të komuniteteve përbërëse të vendit, të drejtave të emigranteve për votim në kolegjin elektoral të origjinës.

    Mbasi ata bashkërisht kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë gjysmën e popullsisë, po ulen këto dite për të ndërtuar skemën e radhës së ndryshimit, që do t’u mundësojë në fakt të ruajnë të paprekur thelbin e të njëjtit sistem politik dhe përfaqësues që kanë krijuar në agimin e mbërritjes së tyre në skenën e tranzicionit. Shqipëria qeveriset nga një qeveri e paaftë, të cilën krimi e ka vënë përposh; një qeveri që saboton me alibi bullgare, integrimin e vendit në Perëndim dhe do të duhej të ishte dorëhequr me kohë. Por, nga ana tjetër, ajo qeveri vazhdon të mbahet në këmbë e pashqetësuar, mbasi opozita është mbërthyer nga të njëjtët krerë, që nuk lëshojnë hapësirë për askënd, që mund të fitojë besimin masiv të publikut dhe Aleatëve Strategjikë; askujt që mund t’i shërbejë me patriotizëm dhe devotshmëri shtetit dhe fateve europianizuese e perëndimizuese.

    Një opozitë që është armike e dijes, e arsyes së shëndoshë, e profesionistëve, që sillet me injorim ndaj komuniteteve që mbajtën Europën të paprekun ndër votrat familjare në kohët më të errëta të historisë, nuk ka si të ketë të ardhme pa një reflektim të plotë, rrënjësor dhe të njimendtë. Jetojmë në një vend, në të cilin sfera publike është kapur nga padrejtësia, korrupsioni, injoranca, forca e militantëve të armatosun dhe paraja e ardhun nga skutat e urrejtjes ndaj Europës së Lirë, ndërkohë që institucionet e reja të drejtësisë vazhdojnë të jenë formale, të ndrojtura, krejt të pasigurta për të kryer detyrën historike ndaj shtetit dhe kombit, aspak të vendosura në respektimin e parimit, që ligji është i barabartë për të gjithë dhe fillon me vepru nga nalt-poshtë.

    Dhe po nuk ndodhi ky veprim, Europa sërish do jetë larg nesh. Faktet janë kokëforta: dështimi politik ndodhi. Nuk është dështim i qytetarëve. Është një falimentim shumëdimensional i qeverisë, e cila duhet të mbajë përgjegjësi. Kryeministri dhe qeveria e formuar nga ai kanë kapitulluar në politikat e saj të brendshme dhe të jashtme, ndaj duhet të largohet. Dhe kjo nuk do të thotë që mëkatarë të tjerë t’i zënë vendin.

    Shqipëria është në emergjencë për krijimin e një qeverie të re kombëtare (në të cilën “baballarët e rremë të kombit”, ose “ngatërrestarët e tranzicionit”, nuk do të kenë më asnjë rol), qe do të duhet të ketë për mision futjen e Shqipnisë në Europë siç e meriton, si Zojë e Randë: Mposhtjen e Korrupsionit dhe Krimit të organizuem, kryerjen e reformave elektorale, administrative dhe përfaqësuese, bazuar mbi modelin themelvënës, përforcimin e ligjeve të shekullarizimit të shtetit të cenuar së fundmi nga aventurierët dhe ristabilizimin politik, qe nis me pastrimin e partive nga injoranca ulëritëse, nepotizmi dhe krahinarizmi.

    Mirëpo, kjo qeveri e Unitetit Kombëtar Antikorrupsion nuk ka për t’u krijuar derisa kjo valle e kotë parlamentare, burrash dhe grash që nuk përfaqësojnë asgjë dhe askënd, të emëruar ndër postet kuvendore nga arsye të panjohura për publikun, do të vazhdojë të qëndrojnë në skenë si maskë e demokracisë pluraliste. Ka një Shqipni ma të madhe dhe ma përparimtare sesa ajo që shfaqet përditë me arrogance dhe brutalitet nder institucionet e akaparuara publike dhe media.

    Po ajo pjese e Shqipnisë së vërtetë është vendosur nën dhunën e shtrëngimit te fjalës dhe veprimit përmes ‘rubinetit’ të rrogave dhe ‘bukës së gojës’; përjashtimit të brezit të shkolluar jashtë me mundin dhe djersën e tyre ose të prindërve që sakrifikojnë çdo gjë; ose lënies në hije dhe fikje të profesionisteve të ekonomisë, financave dhe industrisë. Ky vend, në fakt, nuk është drejtuar asnjëherë nga njerëzit e dijes, ligjit, arsyes, drejtësisë shoqnore dhe parimeve të qeverisjes së mirë, gjithëpërfshirëse kombëtare, por nga demagogët që nuk pranojnë së ulërituri për drejtësi dhe që në fakt bajnë të kundërtën, damin e radhës, duke persekutuar, përjashtuar, izoluar qytetarët e këtij shteti, varësisht interesave vetjake të kontrollorëve, paragjykimeve që vijnë nga një kohë e errët otomane.

    Ka ardhur koha që kjo valle e mbrapshtë kontrollorësh që nuk tërhiqen nga skena të mbyllej këtu, sot, NE DITEN E DESHTIMIT FINAL TE INTEGRIMIT. Mirëpo, vendi nuk ka shumë krahë të lirë për t’u ngjitur aty ku duhet. Shqipnise Politike i mungon së fundmi edhe një figurë institucionale e ndriçuar, e fortë dhe e panjollë në krye të Shtetit, që do të guxonte nesër t’u thoshte dështakëve dhe damtorëve: Hapni Rrugën!

    Tranzicionistët që po gëzojnë sot për refuzimin e Europës, kanë menduar në detaje edhe për pengmarrjen e së nesërmes, stabilitetin afatgjatë të kastave të tyre besnike: Kanë zgjedhur enkas, në krye të zyrës më të naltë shtetnore, një ruajtës të ri të status quo-së në Kënetën Politike, një të panjohur dhe të paforcë, për asnjë lloj nisme korrektive nga maja e shtetit, në Shqipërinë e 5 viteve të ardhshme. Sot, Shqipëria duhet të ishte në shesh dhe opozita në aksion të menjëhershëm, parlamentar dhe më gjerë. Por në këtë vend të çuditshëm, asgja nuk ndodh, askush nuk prish planet e pushimeve për hatër të publikut, ndaj edhe Edi Rama vazhdon të qeverisë pa i dhanë llogari askujt, ngjashëm me një sundimtar të vendeve jo të lira, ndërkohë që populli sërish bëhet gati që të ikë drejt askundit. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kacarska nuk sheh shpresë se vendet vakante së shpejti do të plotësohen me katër gjykatës të rinj

    Lajmi i rradhës

    Më shumë siguri!

    Lajme tjera

    Rimendimi i njohjes

    Nancy Fraser Në vitet 70-80, përpjekjet për “njohjen e dallimeve” dukeshin të mbushura plot me premtime emancipuese. Shumë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë