Shëndeti mes politikës dhe ekonomisë

    SHEFQET DELIALLISI 

    Bota që jetojmë është projektuar për një mirëqenie pa kufi. Mjekësia për një përparim pa fund… Teknologji të reja diagnostikuese, teknologji terapeutike biologjike, teknologji farmaceutike, procedura të reja ndërhyrëse, në kufijtë e të pabesueshmes.

    Sipas krijuesve të këtyre teknologjive, ato ulin koston e shërbimit të kujdesit shëndetësor; sipas ekonomistëve mjekësorë janë shkaku kryesor i rritjes së shpenzimeve. T’i mirëpresim apo të frikësohemi? Kjo është çështja!

    PAK HISTORI

    Shpenzimet për kujdesin shëndetësor tashmë përbëjnë një problem të madh për të gjitha vendet, përfshi edhe ato më të zhvilluara ekonomikisht. Kur shpenzimet për kujdes shëndetësor në Amerikë në vitet ‘60-‘70-të u rritën së tepërmi, shumica e mjekëve nuk u shqetësuan:

    “S’ka vend për kufizime, mjafton pak ulje të shpenzimeve ushtarake dhe…” Por në vitin 1996, kur shpenzimet për shërbimin e kujdesit shëndetësor ishin katër herë më të larta se ato ushtarake, ky argument nuk doli jashtë përdorimit.

    Në ditët e sotme, SHBA shpenzon tri herë më shumë për kujdesin shëndetësor se për arsimin. Pesëdhjetë vjet më parë kjo vlerë ishte e barabartë! Cili është shkaku?

    SHËNDETI, MALLI I VEÇANTË…

    Filip Musgrove, ish-drejtues i Bankës Botërore shkruan: “Ajo çfarë është e pazakontë për shëndetin: është një aset i veçantë. Ju nuk mund ta shisni, s’mund ta dhuroni, s’mund të merrni pjesë këmbimi për të, ndërsa organizmi juaj është në spital, s’mund të merrni hua një tjetër, sikurse ndodh kur makina juaj është në servis…”. Shëndeti ka anën humane dhe anën ekonomike.

    Dy forca në kohezion dhe në një ekuilibër tepër të brishtë mes tyre. Ndryshe nga mallrat e tjera, shëndeti s’është shumë i qartë. Më shumë një premtim se një produkt i prekshëm; i vështirë për t’u tregtuar; në masë të madhe vetëprodhohet; kërkon bashkëpunimin njerëzor mjek-pacient. Këto veçori të mallit-shëndet bëjnë që tregu i tij të mos jetë i pastër konkurrence sipas modelit tradicional.

    Si mall, furnizimi me të s’mund të jetë pa kufi, përdoruesi duhet ta paguajnë. Si e drejtë njerëzore, shëndeti s’duhet të sigurohet në bazë të aftësisë për të paguar. Paradoksi edhe mall, edhe “drejt” krijon paradokse të tjera…

    PARADOKSE

    Paradoksi i parë. Në çdo industri që një teknologji e re të pranohet, duhet domosdoshmërisht të plotësojë një kusht: fitimin. Produkti duhet të jetë më i mirë dhe më i lirë. Ndryshe, si jo konkurruese në treg, s’do të shitej. Kështu, përmirësimi i teknologjisë së kompjuterëve siguron një produkt më të mirë dhe më të lirë; një motor më i avancuar në industrinë e automobilave, ndonëse e rrit çmimin e makinës, shpenzon më pak karburant, dhe blerësi zgjedh makinën e re si më ekonomike.

    Kjo s’ndodh në industrinë e shërbimit të kujdesit shëndetësor. Mjafton produkti të jetë më i mirë, pavarësisht kostos tregu është i garantuar. Tjetër paradoks. Kur dikush vendos të blejë një makinë, shfleton një katalog, kërkon në internet për të zgjedhur, i pëlqen shumë një makinë.

    Sheh çmimin, kur është i lartë, i hedh një sy për kuriozitet dhe zgjedh një tjetër më të lirë. Kur ky dikush papritmas gjen veten në reanimacion, me një problem që i kërcënon jetën, s’pyet për çmimin kur alternativa është jeta apo vdekja.

    “PENA” E MJEKUT…

    “Teknologjia më e shtrenjtë është pena e mjekut”, shkruan Atul Gande, një studiues i shquar i shëndetit publik amerikan. Roli dominues i mjekëve është pikërisht në “thembrën e Akilit” të sistemit, koston e kujdesit shëndetësor. Spitalet s’kanë pacientë, mjekët kanë pacientë, dhe spitalet kanë mjekë”. Është vendimmarrja e mjekëve për medikamente, ekzaminime, shtrime në spital, që përcaktojnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor. Shpërdorimet dhe paaftësia janë shkak i një “epidemie” kujdesi shëndetësor të panevojshëm.

    Disa medikamente, si antihypertensivët apo kirurgjia kardiovaskulare, janë kosto efektive. Por teknologji të reja, si ato për trajtimin e kancerin apo dhe sëmundje të tjera, rezultojnë në përmirësime modeste përkundër rritjes marramendëse të shpenzimeve; për shumë nga teknologjitë e reja që hynë në treg, shmangen mjekime më të lira, Paguhet shumë, për fare pak komoditet.

    Mjekësia moderne ka dhënë disa mësime: teknologji të paefektshme mund të kenë jetë të gjatë; kur një teknologji bëhet shumë e përhapur, është shumë e vështirë të bindësh prodhuesit dhe konsumatorët për alternativa të përshtatshme dhe më të lira; shumë mjekësi na bën më të sëmurë dhe më të varfër! Por dhe një tjetër fakt: “Njerëzit mendojnë se nuk mund të përballojnë pagesën e mjekëve, spitaleve dhe medikamenteve.

    E vërteta është se ata s’mund të përballojnë pagesën e mjekëve, spitaleve, medikamenteve dhe burokracisë që i administron ato”, thekson profesori i Universitetit të Stenfordit, Thomas Sowell…

    SHUMË FJALË, PAK VEPRA…

    Të gjithë flasin për kontrollin e kostos së teknologjisë mjekësore. Pak veprojnë. Shumë interesa e duan mjekësinë të pareformuar, preferojnë statusquonë: kompanitë farmaceutike super të pasura, shumë influente në politikat e qeverive; kompanitë e sigurimeve, që s’tregojnë asnjë interes për të nxitur teknologji kosto efektive apo frenuar prirjen e pacientëve të siguruar për ekzaminime, medikamente, procedura të shtrenjta të pajustifikueshme; prodhuesit e pajisjeve mjekësore; mjekët që zhvillojnë dhe shpërndajnë teknologjinë; menaxherët shëndetësorë që kontrollojnë blerjen e teknologjisë, marketingun…

    KOHA PËR NDRYSHIM…

    Ritmi i shtimit të teknologjive mjekësore sigurisht përcaktohet edhe nga përparimi i shkencës. Askush s’mund të diskutojë zhvillimet e mrekullueshme të mjekësisë moderne. Teknologjitë e imazhit që mundësojnë kirurgji precize; transplantet e organeve; transformimin e foshnjave të lindur para kohe në të shëndetshme; disa trajtime të jashtëzakonshme të kimioterapisë…

    Nga ana tjetër askush nuk e diskuton faktin që teknologjitë e reja mjekësore po e çojnë sistemin shëndetësor drejt falimentit. Çdo përparim në shkencën mjekësore, krijon nevoja të reja që s’ekzistonin më parë: një përparim kërkon një tjetër, një shpenzim, një tjetër… Sfida e shekullit 21 është kalimi nga teknologji që rrisin koston, në teknologji që ulin koston.

    Duhet një mënyrë e re të menduari për shëndetin dhe mirëqenien. Duhet një tjetër model që t’i përshtatet nevojave për shëndet njeriut të shekullit 21. Shëndeti s’është vetëm mungesë sëmundje. S’duhet të mbështetemi kaq shumë në teknologjitë e sofistikuara shumë të shtrenjta. Nuk është e lehtë, pengesë për ndryshimin është edhe vetë ndryshimi. Në vitin 1513 Makiaveli, shkruante: “Nuk ka asgjë më të vështirë për të vendosur se një rend të ri të gjërave. Reformatorët kanë armiq të gjithë ata që përfitojnë nga rendi i vjetër, dhe mbrojtës të vakët të gjithë ata që do të përfitojnë nga rendi i ri…”

    NE VEND TË MBYLLJES…

    “Mes Shilës dhe Karibdit” është një thënie proverbiale që vjen nga mikologjia greke dhe shpreh dilemën për të zgjedhur mes dy të këqijave. Shilla dhe Karibda ishin monstra mitike të detit, të vendosura në dy anët e ngushticës së Mesinës ndërmjet Sicilisë dhe Kalabrisë. Shila një përbindësh deti, Karibda një vorbull në bregdetin e Sicilisë. Dy rreziqe pranë njëri-tjetrit. Shmangia e njërit bënte kalim shumë pranë tjetrit. Sipas rrëfimit të Homerit, Odiseu u këshillua të kalonte pranë Shilës dhe të humbiste vetëm disa marinarë, në vend që të rrezikonte humbjen e gjithë anijes në vorbullën e Karbitit. Sistemit shëndetësor i duhet të kalojë “Mes Shilës dhe Karbitit”.

    Mes shëndetit dhe ekonomisë. Më saktë mes politikës dhe ekonomisë! Shpërfillja e ekonomisë për interesa politike afatshkurtra vetëm zgjat agoninë. Vetën një ndryshim rrënjësor mund të sjellë një ndryshim të qëndrueshëm! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Scholz mesazh të qartë nga Kievi: Ukraina i përket familjes europiane

    Lajmi i rradhës

    Katër “çuditë” e Ramës në “Politico”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë