Kirovi

    EDISON YPI

    Kishin filluar të dukeshin televizionet private italiane. Njerëz që u ishte bërë shpirti zeher duke pritur me dhjetëra vite të visheshin si njerëz dhe të hanin me lugë floriri, por kishin përfunduar te rreckat dhe supa me këmbë derri, këmbenin ethshëm eksperienca mbi mjete dhe mënyra si mund të shihnin televizionet e huaja. Flisnin me të njohur të besuar, për elektronikë, kanoçe, tranzistorë, rezistenca, kondensatorë, vida, llamarina, tuba çeliku, tuba bakri, tuba alumini, skema nga më të çuditshmet, edhe të imrëvizuara, por më tepër të marra nga revista ruse të viteve ’60 mbetur në bodrumet e bibliotekës kombëtare prej nga Zoti e di si arrinin t’i nxirrnin, ose në fund të ndonjë baule të vjetër të mykur të atyre që pasi kishin qenë në Rusi me studime, për shkak të gruas ruse, përfunduan nëpër baltëra.

    S’kishte fund ethja për të bërë gjithçka lipsej me pa ndonjë film për së mbari, a për të dëgjuar ndonjë fragment lajmi, së paku ca fjalë si ca trumcakë të trembur për Shqipërinë e mjerë për të cilën kurrkush kurrë nuk u kujtua.

    Flitej për net të bardha në kërkim të kanaleve që vinin e iknin në varësi të motit, reve, temperaturave, turbulencave, fragmente filmash që i merrnin për reklama, copa reklamash që u dukeshin si filma, lodhje, sy të skuqur nga pagjumësia, frikëra nga spiunët ose nga budallenjtë me zell të tepërt në mbrojtje të pastërtisë ideologjike, frikë nga pensionistët e mëhallës që te çdo antenë shihnin një teprim, një devijim, një qëllim armiqësor që duhej dënuar, duhej ndëshkuar si e meriton, sa më rëndë, sa më egër, pa mëshirë.

    Flitej deri edhe për ide sureale futuristike si mund të shihej me kanoçe ndonjë televizion satelitor.

    Këmbeheshin edhe shakara. Për shembull, një herë, Agron Nallbani tha: Ti Edison bën kanoçen më të mirë në Shqipëri. Por meqenëse kanoçebërja është një zeje që praktikohet vetëm në Shqipëri, ti je kanoçtari më i madh në botë.

    Mes sukseseve që u arritën, u bë i famshëm një rast tronditës: Te një pallat te Rruga e Durrësit, pranë Ambasadës Jugosllave, mu atje ku kishte aq shumë spiunë sa s’kishe ku të hidhje kokrrën e muçmollës, një qejfli televizori kishte vendosur një antenë tepër të lartë, një stërantenë, një superantenë. Aq e lartë dhe aq e dukshme ishte ajo antenë, sa të kaloje te Rruga e Durrësit dhe të mos e shihje kryeveprën e trimit të çartun që kishte guxuar ta ngrinte duke hedhur valle në gojë të ujkut, qe e pamundur.

    Antena madhështore që sfidonte hapur dhe rëndshëm spiunët dhe spiunllëkun dhe shërbimet e tyre të vyera në të mirë të diktaturës së proletariatit, i zilepste të gjithë, i linte të gjithë pa fjalë.

    Quhej Kirov.

    Ta njihja Kirovin, nuk e pata fatin.

    S’thonë kot se durimi, përveç atij të derrit, është vëllai i suksesit. Këto ditë Kirovi më mori në telefon. Për antenën madhështore Kirovi tha:

    Më pëlqenin Lucio Batisti, Massimo Ranieri, Lucio Dalla dhe të tjerë. I kisha nigju. Desha edhe me i pa.

    Ju futa punës si turku sumbullës.

    Tubat mbajtës dhe hekurat për bazamentin i mora te NMI-a.

    Betonin, me mistri, me vegla, me të gjitha, ma pruri një mik me karrocë nga një pallat që po ndërtohej aty afër.

    Tubat e bakrit mi solli një tjetër nga Uzina ‘Dajti’

    Zhivën për me ia fut mrena tubave të bakrit për me i thith më mirë valët e televizorit, ma pru njoni që kishte qen marinar te nëndetëset e Pashalimanit.

    Elementet e antenës në formë bisht dallandyshe m’i pru i tjetër shok tek Uzina Traktori që ia dha Sofokli Karpuzi, që i përgatiste me stampë të posaçme të bërë vetë.

    Për me llogarit peshën dhe përmasat e bazamentit dhe sasinë e betonit që antenën gjigande mbi 20 metra të lartë të mos e përmbyste era, më ndihmoi me kalkulimet përkatëse një inxhinier ndërtimi te Rruga Ura.

    Për mos me ma vjedh, antenën e bllokova me një bulon tërthor horizontal që shtrëngonte tubin e jashtëm me tubin e brendshëm. Mos me e liru hajdutat me çels hekzagonal, bulonit ja sharrova kokën. Mirpo bulonat pa kokë mund të lirohen me çels papagall.

    Vorrit kom me ia kallxu sa kam vujt me e blloku bulonin bllokues që mos e hapte asnjë papagall.

    I hodha bulonit acid. Nuk bëri asnjë efekt. Prapë se prapë lirohej me papagall.

    E laga me përç, hiç.

    E provova edhe me sapun Rrogozhine të shkrirë, pastaj solucion baterish, bar miu, helm për qen, ilaç për gjarpërinj, graso për derra, gjalp për zonja, margarinë për burra, asnjë rezultat, papagalli e rrotullonte dhe e lironte bulonin lehtësisht.

    Pastaj provova ta lag bulonin me radhë nji nga nji me të gjitha thartirat, shëllirat, spirrat, uthullat, lëtyrat, këllirat, pocaqirat, që u jepnin t’i hanin dhe pinin punëtorve nëpër mensa. Asnjë rezultat.

    Zgjidhja, si të gjitha zgjidhjet gjeniale, erdhi papritmas.

    Një mesditë dola në tarracë, nxora rrushin, i bëra shurrën bulonit.

    Suksesi qe i plotë.

    Tentativat nokturne për me vjedh antenën e mutit duke liru bulonin e shurrës dështuan me sukses. Efekti bllokues i shurrës triumfoi. Shurra kishte qenë zgjidhja. Shurra ma shpëtoi antenën nga vjedhja. Zbulimi ishte tronditës. Fama ime mori dhen. Për pak sa nuk më dhanë titullin “Mjeshtër i Madh”. Në një mbledhje kolektivi dikush propozoi të shkuleshin telat me gjemba dhe Shqipëria të mbyllej e tëra me pllaka çeliku që të shtrëngoheshin dhe bllokoheshin me bulona të lagura me shurrën time, e cila, tash e tutje, do ishte aq e vlefshme, sa do kuotohej në Bursë. Jam krenar që shurra ime lagu aq lart dhe me sende të vjedhura dhe bulona të shurruar arrita të bëj antenën më të lartë në botë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Lufta kundër korrupsionit kyç” për afrimin Shqipëri – BE

    Lajmi i rradhës

    Gashi: fitorja e VLEN-it është bërë temë që nuk vihet më në dyshim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë