“Marifetet” me kontributet e prindërve në shkolla

    QEMAL ÇEJKU 

    Qeveria harton ligje për mirëfunksionimin e sistemit arsimor. Nga njëra anë thuhet se arsimi financohet nga shteti, nga ana tjetër ka klauzola që bordi i një institucioni arsimor përpiqet të sigurojë kontribute të ligjshme nga burime vendëse apo të huaja për mbarëvajtjen e institucionit.

    Cili është kufiri midis të ligjshmes dhe të paligjshmes? A është e ligjshme të kërkohet nga prindërit të dhurojnë për institucionin? Dhe a është e drejtë pastaj që mësuesi të vazhdojë të paguajë për mjete që nuk i ofron shkolla? Në ligjin 69/2012 përcaktohet e drejta për t’u arsimuar e çdo shtetasi shqiptar. Në nenin 28 pika 2 të ligjit 69/2012 i ndryshuar thuhet: Njësia e vetëqeverisjes vendore ka këto kompetenca:

    a) ndërtimi dhe rikonstruksioni i godinave të institucioneve arsimore publike, sipas standardeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, me fonde të Buxhetit të Shtetit ose me fonde nga transferta e pakushtëzuar ose të ardhurave të veta;

    b) garantimi i paprekshmërisë së institucioneve arsimore në juridiksionin e saj, si dhe i mjediseve të tyre;

    c) ruajta dhe mirëmbajtja e institucionit arsimor publik;

    ç) garantimi i kushteve higjienosanitare e atyre të ngrohjes në godinat e institucioneve arsimore publike.

    Ekziston ligji për Vetëqeverisjen Vendore, që thotë se një taksë që është e përkohshme, nuk mund të jetë më shumë se tre vjet. Por përsëri Bashkia Tiranë që nga viti 2016 aplikon taksë për arsimin, çdo familje në Tiranë paguan 1,800 lekë në vit, ndërsa bizneset, organizatat jofitimprurëse, institucionet, profesionet e lira dhe sektori i transportit kanë taksimin progresiv nga 4 mijë lekë deri në 37 mijë lekë në vit.

    Bashkia Tiranë ka mbledhur në pesë vite mbi 26 milionë euro nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, taksë kjo e parashikuar për t’u investuar në ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave, por në fakt po të mos ishin fondet e tërmetit asnjë shkollë nuk do ishte ndërtuar. Ndërkohë prindërit duhet të kontribuojnë akoma për shkollën, mësuesit duhet të paguajnë nga rroga e tyre, mjete mësimore, internet, printime për testime etj.. Kjo mund të quhet çfarë të duash, por jo kurrë sisteme ligjore të përbashkëta për arsimin.

    Dhe nuk e di se ku e ka marrë këtë vakum ligjor apo nismë ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila nxjerr udhëzimin nr. 25 datë 25.07.2018, në kreun e 5 pika 2 ku thuhet: Bordi përpiqet për të siguruar kontribute të ligjshme vendëse, ose të huaja për mbarëvajtjen e institucionit. Tani duhet të ndajmë cili është parësor, ligji që u jep kompetencë bashkive për mbarëvajtjen e institucionit apo ish-ministrja me udhëzimin e saj?

    Duhet ta kuptojmë, ose është udhëzimi i viteve ‘90 në kompjuterat e ministrisë dhe që vetëm printohet, ose është burim korrupsioni për shkollën dhe drejtuesit e saj. Sa për bordet, ato nuk munden të takohen për fëmijët e tyre e jo të kërkojnë burime financimi apo kontribute të ligjshme vendëse ose të huaja. Të gjithë mësuesit sot përdorin telefonin e tyre për hotspot në laptopet e tyre në klasë dhe në shtëpi. Printimet për testimet e klasës sipas planit të parashikuar paguhen nga vetë mësuesi ose në raste të rralla mësuesi bëhet “lypës” i qindarkave shumë të shpeshta që në fund të vitit shkollor shkojnë me mijëra, duke prekur rrogën e cila rritet vetëm me fjalë në fushata elektorale.

    Të gjitha mjetet e funksionimit të orës mësimit dhe shkumësat i paguan mësuesi (se ata që vijnë nga shteti përgjithësisht nuk lënë gjurmë në tabelë). Në ligjin 69/2012 i ndryshuar neni 28 pika 4, thuhet: Njësia bazë e qeverisjes vendore, mbështetur në propozimet e njësive arsimore vendore dhe këshillat e mësuesve të institucioneve, sipas kritereve të miratuara në këshillin e njësive vendore, mbështet:

    a) Nxënësit e familjeve në nevojë;

    b) nxënësit me arritje të shkëlqyera;

    c) punonjësit e institucioneve arsimore për zhvillimin e tyre profesional dhe për zhvillimin e kurrikulës;

    ç) pajisjen e institucioneve arsimore me mjete mësimore. Ku ta gjejmë bazën ligjore për udhëzimin nr. 5 të zj. Nikolla?

    Të gjithë mësuesit sot kërkojnë mundësi monetare të vogla për projekte për zhvillimin e kurrikulës, apo për secilën orë mësimi. Kontributet që u kërkojnë prindërve gjoja bordi, sepse në fakt pas tyre janë drejtuesit e shkollave, për të siguruar një buxhet të pavarur për punët e tyre që sot me gjithë këtë bazë ligjore të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, quhet korrupsion ose shkurt vjedhje, por me ndihmën e udhëzimeve absurde kjo vjedhje “ligjërohet”. /PANORAMA/

    Lajmi Paraprak

    Kujdes kur konsumoni një pije nga kanoçja, mund të merrni sëmundje të rënda

    Lajmi i rradhës

    Me amnistinë e Llogës do të liroheshin 286 persona dhe 960 do të përfitonin liri të pjesshme

    Lajme tjera

    Kundrakohë

    BEN ANDONI Ka kaluar pa ndonjë përshtypje të veçantë kërkesa e Lulzim Bashës, kryetarit të PD-së (legale) për…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë