Në emër të traditës

    PËLLUMB NAKO

    Në emër të traditës” është një nga tregimet e famshme të shkrimtarit O. Henry. Aty, një grua e moshuar e shtresës së fisnikëve të qytetit, në emër të traditës së vjetër të shtresës së saj, kishte përgatitur një drekë të bollshme me gjithë të mirat e kësaj bote për një lypës. Pasi hëngri e piu sa nuk plasi, lypsari u largua nga shtëpia e aristokrates së rrënuar me barkun e fryrë si kacek. Pak minuta më pas, sapo hapi portën për të dalë, lypsari ndjeu sirenat e një ambulance që me vërtik qëndroi para shtëpisë së bamirëses së tij. Më vonë, në qytet u mor vesh se e moshuara kishte vdekur dhe nga autopsia rezultoi se vdekja kishte ardhur ngaqë e ngrata kishte dy javë pa ngrënë vetëm për të respektuar traditën.

    Kështu po ndodh edhe me traditën shqiptarë të mikpritjes, që Kryeministri ynë po e valëvit si flamur për të prekur zemrat e qytetarëve shqiptarë dhe për të dalë para syve të botës si aristokratja e O. Henry. Me të njëjtat emocione, por me një retorikë ku dy cilësitë aq të largëta nga njëra-tjetra, hipokrizia dhe naiviteti bashkohen në harmoni të plotë, kryebashkiaku ynë thotë se “më të mirët do të rrinë këtu” sikur këtu të jetë parajsa vetë dhe te tjerët të këqij do të shkojnë në ferrin perëndimor.

    Është normale marrja e përgjegjësive në të tilla raste. Përfshi këtu edhe detyrimet në kuadrin e NATO-s. Por argumentet e dhëna nga qeveria flasin për papërgjegjshmëri të saj me prapavijën tashmë të njohur të bërjes figurë prej babaxhani në opinionin ndërkombëtar. Ndërkohë, askush nuk di sesa afganë do të vijnë e sa prej tyre do të qëndrojnë në Shqipëri. Asgjëkund nuk qarkullon ndonjë ide (sepse për projekt nuk bëhet fjalë) sesi do të trajtohen në një plan afatshkurtër si dhe afatgjatë këta refugjatë nga Afganistani. Kjo, sepse afatet nuk janë thjesht çështje kohë, por ato paraqesin faza të ndryshme, realitete të ndryshme dhe profil të ndryshëm në procesin e trajtimit të tyre.

    Nëse do të bënim vetëm një hamendje dhe të llogarisnim se këtu në Shqipëri do të qëndronin vetëm 500 apo 1000 prej tyre, nuk do të ishte ndonjë tragjedi. Por, trajtimi që do t’u bëhet më pas, nuk ka lidhje më me asnjë deklarim emoncional të të parëve të qeverisë sonë sepse ata do t’u nënshtrohen parimeve ligjore të të drejtave që gëzojnë refugjatët. Ndër të tjera, kur të vendosen në Shqipëri, ata do të kanë të drejtën e ribashkimit me familjen. Dhe nëse do të merrnin si mesatare se çdo familje ka 5 apo 6 anëtarë, kjo do të thotë se nëse qëndrojnë 1000 prej tyre, shumë shpejt ata do të kenë, pra, të drejtën të kërkojnë e të bashkohen me familjet e tyre dhe numri do të shkojë në 5 apo 6 mijë. E theksoj, shifrat janë thjesht për ilustrim të arsyetimit. Dhe me të drejtën e bashkimit familjar, nuk do të ketë më shanse për Kryebashkiakun të shohë të mirët dhe t’i mbajë. Situata, nga humanitare, kthehet në ligjore. Kjo do të thotë që llogaritë duhen bërë mirë për të mos dalë jashtë mundësive që ka vendi si rasti i aristokrates së rrënuar.

    Nuk duhet harruar gjithashtu se kjo llogari duhet tmarrë në konsideratë sidomos në kontekstin e lëvizjeve migratore që po bëhen në vendin tonë, në mënyrë që të mos preken ekuilibrat socialë e sidomos fetarë të vendit. Aktualisht, edhe aspekti specifik i vendit tonë lidhur me tri fetë dhe harmoninë e tyre, me anë të së cilës nuk lemë vend pa u mburrur, duhet ruajtur me kujdes. Lënia tabu e kësaj teme nuk ka të mira.

    Qeveria dhe opinioni publik e dinë se cilët janë ata që po lenë Shqipërinë për në emigracion drejt Perëndimit, por ata nuk dinë se kush po u vjen në derë. Shqiptarët që largohen janë të besimit mysliman, ortodoks dhe katolik, ndërkohë, ata që hyjnë në vendin tonë si azilantë apo edhe në rrugë ilegale janë të gjithë të fesë myslimane, pavarësisht se shumë prej tyre nuk dëshirojnë të qëndrojnë në vendin tonë. Por, në rastin konkret, kemi të bëjmë me një rrugë, të cilën nuk e bllokojmë dot dhe nuk kemi mundësi ta bllokojmë. Të lodhur nga ecejaket nëpër Europë, shumë prej tyre kanë filluar të qëndrojnë në Shqipëri.

    Nga ana tjetër, braktisja e vendit dhe profili i pastabilizuar i biznesit shqiptar, kanë bërë që në vendin tonë të ndihet nevoja për krahë punë. Nga do të vijnë, apo më saktë, nga po vijnë këta krahë pune? Përsëri me shumicë dërrmuese nga vendet me fe myslimane. Tashmë punëtorë nga këto vende janë realitet në vendin tonë.

    A ka bërë ndonjë prognozë qeveria shqiptare sesi do të jetë përbërja fetare e vendit tonë pas 50 viteve kur ritmet e shtimit natyror i popullsisë po ulen, kur emigracioni i shqiptarëve nuk po mbyllet dhe ndërkohë i vetmi rubinet i hapur mbetet imigracioni nga vendet me fe myslimane? Si do të jetë raporti ndërmjet tri feve tona? Sigurisht me këto që po ndodhin raporti do të ndryshojë në mënyrë drastike dhe për vendin tonë asnjë individ nuk mendon se është e favorshme të humbasë, ose të zvogëlojë prurjet ortodokse dhe katolike në gjithë fushat e jetës së vendit.

    Një fakt i tillë nuk ndikon pozitivisht as në opinionin dyshues, skeptik të vendeve europiane ku kërkojmë të aderojmë. Për hir të vërtetës, nëse shohim gjithë veprimet e vendeve të Europës Perëndimore në raport me azilin e kërkuar nga shtetasit e vendeve të treta, sidomos atyre nga vendet myslimane, ato janë në kah të kundërt me qëndrimet e vendit tonë. Në to ka filluar të dallohet një fenomen i quajtur “Externalisation de l’Asile dans UE”, pra, politika që tentojnë “nxjerrjen e azilit jashtë BE-së”. Kjo do të thotë se vendet europiane po mundohen që problemet e azilit t’i trajtojnë dhe zgjidhin jashtë vendeve të tyre. Pra, në vendet fqinje, si vendi ynë. Dhe të mos harrojmë që vendet europiane janë me dominancë absolute të fesë së krishterë dhe myslimanët një pakicë tepër e vogël. Pra, nuk rrezikohet ekuilibri fetar si në rastin e vendit tonë. Ndërkohë, këto vende nuk po vrapojnë të ngazëllyera drejt mikpritjes.

    Problemi është mjaft kompleks dhe i gjerë sepse për çështje të lidhura me imigracionin jemi para realitetit të bombës që plas shumë vonë. Hapat e hedhur keq sot e japin krismën pas disa viteve, ato kërkojnë pjekuri politike, përgjegjshmëri për fatet demografike të vendit dhe sidomos largpamësi të kalkuluar mirë në kontekstin sesi janë zhvillimet në rajon dhe jo broçkulla absurde se “të mirët do të rrinë”./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    NYT, 1982 | Nga urimi i ngrohtë i Andropovit, tek rikthimi i 36 milion dollarëve flori. “Lufta” e heshtur e sovjetikëve dhe SHBA, për Shqipërinë

    Lajmi i rradhës

    Benfica, Malmö Young Boys fitojnë ndeshjet e para. Uzuni humb penallti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë