Në Ukrainë po luhet fati i demokracisë

    BLENDI KAJSIU

    Lufta që po zhvillohet në Ukrainë është në thelb një përballje mes dy sistemesh politike demokracisë dheautoritarizmit. Edhe pse e varfër edhe pse plot probleme e korrupsion, Ukraina është një vend demokratik ku ekziston debati publik dhe parlamentar, ku ekziston mundësia teorike që qeveria të ndryshohet me zgjedhje. Rusia, nga ana tjetër, është një regjim autoritar, ku ekzistojnë zgjedhjet formale, por asnjë mundësi teorike që Vladimir Putin t’i humbasë ato. Ndaj beteja që po zhvillohet sot në Ukrainë është vendimtare për të përcaktuar fatin e demokracisë në nivel global. Fitorja e Rusisë së Putinit nuk prodhon thjesht një problem gjeopolitik apo ushtarak për Perëndimin. Mbi të gjitha është një kërcënim për demokracinë në SHBA, Europë dhe në të gjithë globin. Suksesi ushtarak i Putin forcon dhe legjitimon sistemin autoritarist që ai përfaqëson, që prej vitesh ka fituar mbështetës, admirues dhe imitues në Europë dhe SHBA.

    Kryeministri hungarez, Victor Orban, dhe Presidenti turk, Erdogan, janë vetëm dy prej admiruesve dhe mbështetësve të Putin në Evropë. E djathta ekstreme evropiane, si Fronti Nacional në Francë i Marine Le Pen, jo vetëm ka shpallur haptas admirimin e saj për një lider të fortë si Putin, por edhe ka marrë financime elektorale prej tij.

    Në SHBA, admirimi për Putin është akoma më i lartë. Ndërhyrja e Putin në zgjedhjet presidenciale të 2016 që prodhoi fitoren e Donald Trump, tashmë është faktuar. Ky i fundit jo vetëm nuk e denoncoi agresionin ushtarak rus, por shprehu admirim për inteligjencën e Putin dhe mënyrën se si ai e realizoi këtë agresion. Gazetarët kryesorë të së djathtës në SHBA, si Tucker Carlson i gjigantit mediatik “FOX News”, u rreshtuan publikisht përkrah Putin duke arritur deri aty sa të kritikojnë dhe fajësojnë Presidentin aktual, Joe Biden, dhe Partinë Demokratike për atë që po ndodh në Ukrainë.

    Admirimi për lidershipin diktatorial të Putinit ka prodhuar imitimin e tij nga politikanë të lartë si në Evropë, edhe në SHBA. Victor Orban e ka aplikuar me sukses putinizmin në rastin e Hungarisë, duke kombinuar nacionalizmin konservator me imazhin e liderit të fortë. Ai ka vënë nën kontroll si mediat, edhe oligarkët lokalë, duke e larguar Hungarinë nga modeli demokratik evropian drejt sistemit autoritarist rus. Problemi është se Orbanizmi tashmë është transformuar në një “histori suksesi” që imitohet që nga Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke deri tek e djathta ekstreme evropiane.

    Edhe në këtë aspekt situata në SHBA është akoma më e rëndë. Donald Trump ishte dhe mbetet kopja e putinizmit në kontekstin amerikan që kufizon ndjeshëm këtë fenomen. Si President, ai shfaqi nivele të papara korrupsioni, autoritarizmi, agresioni ndaj mediave të pavarura, si dhe një ligjërim që kombinonte nacionalizmin, racizmin dhe konservatorizmin në mënyrë tejet polarizuese. Natyrisht që Trump nuk gëzoi suksesin e Putin, pasi SHBA-të nuk janë Rusia.

    Ama, të gjitha karakteristikat dhe metodat e tij qeverisëse ishin thellësisht putiniane dhe autoritariste. Në mënyrën më putineske, ai jo vetëm refuzoi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por edhe u përpoq të organizonte një grusht shteti më 6 janar të viti 2021. Tentativa e tij për të përdorur ushtrinë tashmë është zbardhur nga komisioni hetimor i Kongresit Amerikan për këtë çështje. Ndërkohë, ai e ka transformuar Partinë Republikane në një forcë politike antidemokratike, ku shumica e republikanëve sot urrejnë më shumë Presidentin e tyre amerikan Joe Biden se Vladimir Putin.

    Për të gjitha këto arsye, një fitore e Putin në Ukrainë nuk është një tragjedi lokale, po globale. Suksesi do t’i jepte akoma më shumë pushtet, admirues dhe imitues sistemit autoritar të Putin në Evropë, SHBA dhe në mbarë globin. Sidomos në këto kohë krizë ekonomike kur qytetarët shpesh kërkojnë “lidership të fortë” që i zgjidh problemet komplekse me “dorë të hekurt”. Ndaj konsolidimi i pushtetit të Putin nëpërmjet një suksesi ushtarak në Ukrainë do në nënkuptonte forcim të Orbanizmit në Hungari, të Erdoganizmit në Turqi dhe të Trumpizmit në SHBA.

    Të gjitha këto “izma” janë versione të modelit autoritarist putinist, që si në sferën lokale, edhe në atë ndërkombëtare, është forcuar dhe legjitimuar nëpërmjet luftërave. Ishte ndërhyrja e suksesshme ushtarake e Putin në Çeçeni në vitet 2000, ndërhyrja e suksesshme ushtarake në Gjeorgji në vitin 2008, suksesi ushtarak rus në Siri në vitin 2015 dhe së fundmi aneksimi i suksesshëm ushtarak i Krimesë në vitin 2014, që prodhuan imazhin e Putin si lider të fortë dhe e sistemit të tij politik autoritarist si “efikas”.

    Dështimi ushtarak në Ukrainë do ta hidhte në erë imazhin e Putin si lider i fortë dhe idenë se sistemi i tij politik është efikas, si brenda, edhe jashtë Rusisë. Ashtu sikurse dështimi i Gjermanisë hitleriane gjatë Luftës së Dytë Botërore hodhi në erë vetë modelin nazist, që deri në atë pikë kish shumë imitues dhe admirues në Evropë dhe botë.

    Fitorja e Ukrainës, nga ana tjetër, nuk do ish thjesht një fitore e drejtë e viktimës ndaj agresorit, por një fitore e madhe për vetë demokracinë. Ajo do tregonte se demokracia mbetet një sistem superior ndaj autoritarizmit, edhe kur është imperfekte, edhe kur vuan nga korrupsioni, edhe kur prodhon frustrim dhe zgjedhje që nuk ofrojnë zgjidhje. Prandaj, sytë dhe zemrat sot i kemi nga Ukraina, sepse aty po luhet jo vetëm fati i një kombi, por i vetë demokracisë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Lewandowski e do me ngulm kalimin te Real Madridi

    Lajmi i rradhës

    BFI: E dënojmë agresionin rus

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë