Përsiatje për 5 Majin

    Edmond Tupja

    Tërë bashkatdhetarët e mi, jo vetëm ata me  letërnjoftim shqiptar, por edhe me shpirt vërtet shqiptar, e dinë se çfarë simbolizon data 5 Maj, e dinë që bëhet fjalë për Ditën e Dëshmorëve të luftës nacionalçlirimtare, të atyre të rejave e të rinjve që derdhën gjakun e dhanë jetën për lirinë e popullit në luftë kundër pushtuesve nazifashistë.

    E kujtojmë këtë ditë çdo vit, do ta kujtojmë, pra, edhe këtë vit, d.m.th. 78 vjet pas çlirimit të vendit, ditë në të cilën autoritetet më të larta të Republikës së Rraskapitur të Shqipërisë shkojnë në Varrezat e Dëshmorëve për të bërë homazhe me fytyra hijerënda, me kurora domethënëse, me përkulje pompoze para monumentit të Nënës Shqipëri! Kur i ndjekim në televizion këto homazhe, diçka na sëmbon në zemër, të paktën ne të vjetërve, me prindër që morën pjesë aktivisht në luftën nacionalçlirimtare pa prapamendime djallëzore, pra jo për të ardhur në pushtet  për t’u pasuruar padrejtësisht e për të mbretëruar mizorisht në kurriz të popullit të thjeshtë, përkundrazi, ata luftuan me idealizëm për të flakur zgjedhën e pushtuesit të huaj, për të rindërtuar vendin dhe për të jetuar të gjithë sa më mirë në një Shqipëri të lirë e të begatë.

    Me siguri edhe këtë vit, më 5 Maj, kjo datë do të përkujtohet, në Varrezat e Dëshmorëve do të shfaqen sërish autoritetet e lartpërmendura me po ato fytyra si vitin e kaluar, me po atë tip kurorash, me po ato gjeste e përkulje ku të bie në sy diçka çaplineske që sa vjen e theksohet më shumë me kalimin e viteve!

    Përse vallë m’u kujtua sot Dita e 5 Majit, ndërkohë që deri në këtë ditë duhen ende gati tre muaj e gjysmë? Jam i bindur se, bash në këtë çast që më lexojnë, disa nga lexueset dhe lexuesit e mi mendjemprehtë e të mirinformuar do ta marrin me mend përgjigjen e pyetjes sime! Po, m’u kujtua dita e 5 Majit sepse, duan apo s’duan indiferentët e hipokritët, duan apo s’duan sidomos pushtetarët e korruptuar, oligarkët, zengjinët e rinj e të vjetër, mafiozët dhe skota e tyre e neveritshme, është një lagje në Tiranë, një lagje me emrin “5 Maji”, ku banorëve të saj po u shembin padrejtësisht shtëpitë, ku këta fatkeqë bëjnë qëndresë, madje nuk pranojnë as të largohen nga gërmadhat e shtëpive të tyre të shpartalluara, nga rrënojat e ëndrrave të tyre të tradhtuara. Ata bëjnë përgjegjëse e fajtore për dramën e tyre Bashkinë e Tiranës, madje kryebashkiakun Velija personalisht. Disa nga fatkeqët tashmë pa shtëpi të lagjes “5 Maji” po i kalojnë netët e acarta të këtij dimri pikërisht mes gërmadhash, gati të braktisur nga të gjithë, përveç atyre gazetarëve dhe rrjeteve televizive që përpiqen të sensibilizojnë opinionin publik për këtë padrejtësi të përbindshme.

    Meqë sapo i lidha bashkë dy datat “5 Maj”, më lind deri diku e drejta të shtroj pyetjen ndoshta absurde për ndonjë njeri të pashpirt, por domethënëse për ata që kanë zemër dhe ushqejnë dhembshuri për fatkeqët, të çdo lloji qofshin këta: Çfarë do të thoshin heronjtë dhe dëshmorët e luftës nacionalçlirimtare po të mësonin se në lagjen “5 Maji” po vuajnë ende disa shqiptarë me familjet e tyre, të cilëve u kanë shembur shtëpitë? Sigurisht, do të mendonin se fajin për këtë gjëmë e kanë armiqtë e shqiptarëve dhe se duhen marrë armët kundër tyre!

    Mirëpo, kur të mësonin se Shqipërinë e çliruar prej tyre dhe sot aleate të Natos nuk e ka sulmuar, madje as e kërcënon ndonjë armik i jashtëm, atëherë do të mendonin se bëhet fjalë për armiq të brendshëm. Kështu që, duam, s’duam, i bie që shqiptarët fatkeqë të lagjes “5 Maji” të kenë… të kenë një armik… një armik të brendshëm, i cili po u rrafshon shtëpitë, çka do të thotë se, rrjedhimisht, logjikisht e për pasojë të pashmangshme, ky armik mund e duhet të jetë me siguri të plotë vetë Bashkia e Tiranës nën udhëheqjen e pamëshirshme të kryebashkiakut Erion Veliaj!

    Pastaj, kur të mësojnë se Erion Veliaj është kanakari i Edi Ramës, kryetarit të Partisë Socialiste (ish-Partia e Punës, pra ish-Partia Komuniste e Shqipërisë), njëkohësisht kryeministër, atëherë heronjtë dhe dëshmorët e luftës nacionalçlirimtare që prehen në Varrezat e Dëshmorëve, të çorientuar për çka po u ndodh, do të struken edhe më thellë në gjirin e gjakosur të tokës amtare nga frika se mos qeveria (fjalë kjo me “q” e jo me “n” në vend të saj), nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, jep urdhër t’i zhvarrosin, t’ua bluajnë e djegin eshtrat në mënyrë që, me t’u zhdukur nga faqja e dheut Varrezat e Dëshmorëve, në vend të tyre të ndërtohen kulla të paktën njëqindkatëshe në një lagje heroikisht lavdiplotë të quajtur cinikisht “5 Maji”, në të cilat, si pasojë e globalizimit sorosian, do të vijnë të strehohen muhaxhirë nga Afganistani, Pakistani, Irani, Kurdistani, Iraku, Libani, India, Bangladeshi, Zambia, Etiopia, Kenia, Afrika e Jugut dhe të tjera vende, ndërkohë që shqiptarët atdhehumbur do të shpërndahen  lypsarisht  nëpër botë si zogjtë e qyqes Shqipëri duke belbëzuar në gjuhë të huaja deri ditën kur t’u varroset përfundimisht gjuha amtare, si edhe vetëdija kombëtare!

    Lajmi Paraprak

    Reagon OKKI: Sali Berisha duhet të jetë më i kujdesshëm ndaj ndjesive fetare të popullit shqiptar

    Lajmi i rradhës

    Gjobiten 17 shoferë të dehur në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë