Pritshmëritë e inflacionit– dilemat e bankave qendrore, rekomandime

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Niveli më i lartë i infla cionit në 30 vite”, janë titujt që mbizotërojnë sot në fjalorin e debateve ekonomike e financiare, në të gjithë forumet, mediat, duke bërë që inflacioni të jetë tema më e nxehtë në tregje sot. Dhe jo më kot. Po t’u referohemi treguesve të fundit të inflacionit në disa vende, shifrat janë të tilla që tejkalojnë parashikimet edhe të një muaji më parë.

    Në vendet e Eurozonës, në nivel vjetor, në muajin mars arriti në 7.5 %, në Gjermani 7.6 %, në Spanjë 9.8 %, duke u shoqëruar nga rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës dhe mallrat ushqimore. Kjo sepse presioneve inflacioniste të fundvitit të kaluar dhe fillimvitit qe jemi iu shtuan ato të krizës së energjisë dhe pasojave ekonomike të luftës së Rusise në Ukrainë. Por, ndërkaq, sondazhet e kryera nëpër familje e biznese dhe tregjet deri diku nuk duken shumë të shqetësuar nga kjo – ata presin që inflacioni të jetë kalimtar dhe që Bankat Qendrore ta kenë situatën nën kontroll për të ulur inflacionin brenda pak viteve, si një ndër objektivat e tyre.

    Është me shumë rëndësi çfarë mendojnë dhe bëjnë bankat qendrore për t’iu përgjigjur klimës aktuale dhe për çfarë duhet të jenë të vetëdijshëm investitorët, por edhe faktorët e tjerë të interesit që preken.

    Në fund të fundit, në terma të përgjithshëm, shkaku i inflacionit të tanishëm, që ka përfshirë gjithë ekonomitë e zhvilluara dhe jo vetëm, qëndron në mungesën e ofertës në raport me nivelin e lartë të kërkesës. Si pasojë e COVID-19, prodhimi dhe konsumi i mallrave dhe i shërbimeve u kufizua. Tokat nuk u punuan, fuqia punëtore, ose nuk ishte në gjendje të punonte, ose punoi me më pak efikasitet (të paktën në aspektin afatshkurtër) dhe kapitali (si për shembull, mjetet dhe pajisjet) thuajse nuk u shfrytëzuan, por në të njëjtën kohë konsumatorët, të vendosur përballë një recensioni, shpenzuan më pak.

    Kërkesa më pas u kthye dhe tejkaloi nivelet normale (e nxitur nga normat e ulëta të interesit dhe “politikat bujare fiskale” në formën e mbështetjes së papunësisë dhe pezullimit të përkohshëm dhe lehtësimit të taksave). Megjithatë, oferta mbeti e kufizuar, në formën e më pak burimeve (në lëndë të para, sasinë e artikujve në dispozicion, disponueshmërinë e transportit), duke shkaktuar ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe duke bërë që në fund të prekeshin çmimet dhe për rrjedhojë edhe inflacioni. Rritja e fundit e tensioneve gjeopolitike, rrjedhim i luftës së Rusisë në Ukrainë ka bërë që çmimet e energjisë, naftës, gazit, lëndëve të para dhe shkëputjet në zinxhirin e mallrave ushqimore, ndikuan dukshëm në rritjen e çmimeve, duke nxitur edhe më tej rritjen e inflacionit.

    SFIDA E BANKAVE QËNDRORE

    Bankat qendrore kanë për detyrë (mision) të ruajnë inflacionin në një shtrirje kohore afatmesme. Kjo bie disi në kundërshtim me një ndër matësit e inflacionit, si IHÇK (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit), i cili paraqet një shifër afatshkurtër duke iu referuar së shkuarës, dhe zakonisht mbulon vetëm një vit. Kjo mospërputhje, ndoshta në mënyrë të padrejtë, mund të çojë në kritika ndaj Bankave Qendrore, nëse IHÇK është shumë i lartë apo më i ulët, sidomos nëse ato nuk ndërmarrin veprime. Ndonëse Bankat Qendrore monitorojnë IHÇK-në, ato e vendosin theksin te perspektiva afatmesme. Bankat Qendrore përqendrohen në pyetje të tilla si: Sa e qëndrueshme mund të jetë rritja e çmimit të energjisë? Cilat janë pritshmëritë e pagave gjatë vitit të ardhshëm dhe më tej? Dhe deri në çfarë mase do të lehtësohen kufizimet/presionet e furnizimit në 12-24 muajt e ardhshëm?

    DY DILEMA

    Dilema e parë: Kush ka rol vendimtar për përballjen e krizës aktuale, bankat qendrore apo Qeveritë? Përgjigjja është, të dyja në bashkëpunim, por peshorja anon me shume nga qeveritë. Kjo sepse nëse Bankat Qendrore ka vetëm mundësi të “rrisë vigjilencën’ apo të ndërhyjë, përmes detyrave funksionale të tyre, si politika monetare (interesave), menaxhimi me efektivitet e rezervës valutore, mbështetja e mirëfunksionimit te sistemit bankar, qeverive u del detyra të marrin masa mbështetëse të jashtëzakonshme, financiare (në politikën e subvencionimeve, të taksave, të pagave e pensioneve, të kompensimeve, që nuk janë të lehta. Harmonizimi i masave të bankave qendrore me ato të qeverive përbëjnë kyçin e suksesit. Dilema e dytë: është për vetë bankat qendrore. Si dhe kur duhet të ndërhynë me politiken monetare (ndryshimet –në rastin konkret me normat e interesit)?

    Të dhënat më informuese për inflacionin për bankat qendrore janë pritshmëritë për inflacionin, të cilat mblidhen nga vrojtimet ose çmimet e instrumenteve financiare. Kjo bëhet për të monitoruar nëse pritshmëritë e inflacionit mbeten të ankoruara.

    Në përgjithësi, pritshmëritë afatmesme (2- 3 vite) dhe afatgjata (5+ vite) për inflacionin mbeten të ankoruara në raport me mesataret historike, edhe pse kanë qenë në rritje kohët e fundit (veçanërisht në tregjet financiare dhe sondazhet e kompanive). Kjo vazhdon të tregojë se tregjet, familjet dhe kompanitë kanë besim në aftësitë e bankave qendrore për të mbajtur nën kontroll inflacionin – përmes ndryshimeve të normës ose duke lejuar që efektet e përkohshme të zhduken. Situata ku ndodhet aktualisht Ukraina mund të ndikojë deri-diku në rezultatet e anketës së ardhshme.

    Për shembull, dy muaj më parë, Banka e Anglisë besonte se IHÇK do të rritej më tej, duke arritur kulmin deri në 7.25% në prill të vitit 2022, por do të ulej deri në 2% deri në fund të vitit 2023.

    Po të vërejmë pritshmëritë për normat e interesit, ekziston një tregues i qartë që tregon se tregjet presin që Rezerva Federale, Banka e Anglisë, si edhe Banka Qendrore Evropiane (dhe pastaj shumica e vendeve të prekura) të rrisin normat në të ardhmen e afërt dhe shumë herë më shpejt nga sa ishte menduar pak muaj më parë. Dhe kjo ka filluar. Si gjithmonë ka reaguar më shpejt, me një dinamizëm karakteristik, FED, që para pak ditësh e rriti normën e interesit me 0.5% dhe ka paralajmëruar një rritje tjetër në muajin maj. Banka e Anglisë, po. Ndërsa BQE ende ngurron, është disi më e stepur, më e matur të reagojë menjëherë. Kjo, sepse dilema është si të mbahet një ekuilibër midis frenimit të rritjes së inflacionit dhe rënies ekonomike që po dhe mund të shkaktohet. Maturia e BQE vjen edhe për shkak të “lumit të parave” për shkak të paketave të BE dhe shteteve europiane, gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia.

    Kjo, sepse rritja e normave nuk është e vetmja masë që pritet të zbusë inflacionin. Çdo tremujor, Banka e Anglisë projekton IHÇK për 3 vitet e ardhshme, përmes dy mundësive: norma interesi të pandryshuara dhe norma interesi sipas pritshmërisë së tregut. Kjo tregon se pritet që nga rritja e pritshme e normave të interesit (rreth 0.75-1%) të ulet inflacioni me 0.5% përgjatë 3 viteve. Pjesa dërrmuese e reduktimit të inflacionit shkaktohet nga efektet e përkohshme që zhduken me rënien e krahasuesit një-vjeçar. Presioni i çmimit të naftës pa dyshim që mund të shkaktojë efektin e kundërt mbi inflacionin, ndaj duhet vëzhguar me kujdes se si do të vijojë situata e luftës në Ukrainë.

    ÇFARË KA GJASA TË NDODHË?

    Së pari, rritjet e HIÇK-së nuk përkthehen automatikisht në rritje të normave të interesit, edhe pse këto shifra duken sikur nuk do të ulen dot, por do të qëndrojnë të larta. Bankat Qendrore përqendrohen në pritshmëritë afatmesme të inflacionit dhe shqyrtojnë çdo faktor kalimtar. Duke qenë e vërtetë kjo, cila është lëvizja e tyre të radhës?

    Në Mbretërinë e Bashkuar rritjet e normave të interesit të dhjetorit të 2021 dhe shkurtit të 2022 kanë treguar se Banka e Anglisë është e shqetësuar se mos goditjet e fundit të inflacionit mund të vazhdojnë edhe pak më gjatë dhe tregon gatishmërinë e saj për të vepruar tani për të mbajtur nën kontroll inflacionin për një periudhë afatmesme. Inflacioni ka gjithashtu shumë gjasa të rritet më tej në një periudhë afatshkurtër, veçanërisht nëse marrim parasysh situatën aktuale të luftës në Ukrainë që po ndikon në çmimet e naftës, duke arritur kulmin përgjatë muajit prill të 2022 (me hyrjen në fuqi të rritjes së çmimit të energjisë). Pritshmëritë e tregut shkojnë deri në 1% të rritjes së normave në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2022, kështu që normat e interesit (të cilat pa dyshim do të ndikojnë në hipotekat dhe kursimet) do t’i afrohen 1.5% deri në fund të vitit.

    Pra, tregjet, bizneset dhe familjet së bashku presin që Bankat Qendrore të sigurojnë uljen e inflacionit drejt objektivit brenda 2-3 viteve të ardhshme. Kjo do të sigurohet përmes rritjeve modeste të normave, si dhe lehtësimit të disa faktorëve të përkohshëm, si pengesat e furnizimit dhe lajmet pozitive gjeopolitike që do të ulin çmimet e energjisë.

    PO INVESTITORËT ÇFARË MUND TË BËJNË PËR INFLACIONIN?

    Investitorët mund të ndikojnë në një ose më shumë nga faktorët që lidhen me inflacionin: -Të ofrojnë shumëllojshmëri. Pavarësisht gjithçkaje, kjo mbetet një këshillë e mirë, por fuqizimi i portofolit ndaj inflacionit nënkupton mundësimin e përballjes me klasat e aktiveve që mund t’u rezistojnë çmimeve më të larta. Nëse ata duhet të mbajnë obligacione, duhet të mbajnë parasysh shtimin e një sasie modeste të obligacioneve me rendiment më të lartë, si obligacionet me rendiment të lartë dhe të tregut në zhvillim. –Njëhershmi, ekzistojnë disa të dhëna që tregojnë se stoqet me vlerë më të ulët (të cilat tani përfshijnë kompanitë e naftës dhe gazit – të cilat gjithashtu do të përfitojnë nga rritja e çmimeve të naftës – dhe bankat) e përballojnë inflacionin më të lartë, dhe normat më të larta të nevojshme, më mirë se stoqet me rritje të kushtueshme. Pra, sigurohuni që të mos jeni tepër të përqendruar në sektorët e rritjes, si teknologjia (gjë e cila nuk është e lehtë duke pasur parasysh rëndësinë e tyre të lartë historike në indekse të caktuara si indeksi i tregut të stoqeve S&P 500).

    -Shtoni disa asete “të vërteta” si prona (të listuara) dhe infrastruktura. Janë të mbrojtura deri-diku nga inflacioni, duke qenë se gjenerojnë në një masë të konsiderueshme përmes natyrës së tyre domethënëse të rrjedhjes së parasë.

    INVESTONI MË PAK NË OBLIGACIONE DHE “PARANË E THATË” (NËSE MUNDNI)

    Aksionet dhe asetet me rrezik më të lartë mund të gjenerojnë fitime, të cilat e tejkalojnë inflacionin, edhe brenda një afati të afërt; por është deri-diku më e mundshme që “paraja e thatë” dhe obligacionet të çojnë në humbje të fuqisë blerëse për mbajtjen e tyre. Për shembull, një investitor në Mbretërinë e Bashkuar, nëse është me fat, mund të marrë 0.5% në një depozitë bankare. Banka e Anglisë aktualisht e parashikon inflacionin, brenda këtij viti, diku te 6%, gjë e cila do ta varfëronte depozitën e saj bankare në terma realë me 5.5% në vitin 2023.

    Edhe obligacionet e lidhura me inflacionin nuk janë aq ndihmuese sa mund të mendoni – shumica e tyre tani janë aq të shtrenjta saqë blerja e tyre bllokon një rendiment real negativ nëse i mbani ato deri në maturim.

    Krahas kthimeve pozitive të pritura pas inflacionit, rriten gjasat që aksionet të gjenerojnë kthime reale nëse investitori arrin t’i mbajë ato për më shumë se një vit. Kështu që, për një investitor që ka një horizont më afatgjatë, si edhe ka aftësinë dhe vullnetin për të pranuar rreziqe më të larta që mund t’i kanosen portofolit të investimeve të tij, rritja e rrezikut mund të përmirësojë mundësinë që portofoli i investimeve të tij të tejkalojë inflacionin, veçanërisht nëse ai i zgjeron gjithashtu zotërimet e aksioneve.

    PRISNI DUKE DURUAR

    Nëse zinxhirët e furnizimit normalizohen, stimujt monetarë dhe fiskalë tërhiqen, tensionet gjeopolitike lehtësohen dhe njerëzit shpenzojnë sërish më pak për mallra dhe më shumë për shërbime, inflacioni ka shumë gjasa të ulet.

    Mund të mos ndodhë aq shpejt sa shpresojmë, por inflacioni duhet të ulet dhe kur të fillojë të bjerë, shumë shqetësime të investitorëve në lidhje me inflacionin do të ulen. Ndërkohë, investitorët duhet patjetër të ndërmarrin hapa, por inflacionit do t’i duhet kohë derisa të normalizohet.

    PO SHQIPERIA?

    Qeveria shqiptare reagoi në kohe me paketën e rezistencës sociale, e cila me shpejtësi u kompletua dhe me aktet ligjore të nevojshme që startojnë zbatimin e kësaj pakete. Kjo paketë mbështet shtresat më në nevojë, biznesin dhe sektorët më të prekur nga kriza aktuale, energjetikën, bujqësinë, transportin. Po të shtojmë këtu dhe gatishmërinë e qeverisë për të mbështetur (garantuar) me kredi sovrane, dëshmohet për një vazhdimësi të mbështetjes ndaj pasojave të krizës, në varësi të ecurisë së situatës.

    Ndërkaq, sjellja e Bankës së Shqipërisë është në një vijë me masat, veprimet dhe rekomandimet e BQE dhe FED dhe institucioneve financiare nderkombetare, FMN, në përmbushje të misionit të saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe inflacionit. Për këtë qellim, përballë faktit që çmimet po rriten dhe inflacioni duket se do të jetë mbi pritshmeritë, siç theksoi Guvernatori Sejko në deklaratën e tij për shtyp dy javë me parë (çmimet do të jenë të larta për vitin 2022 e 2023 dhe do të gërryejnë fuqinë blerëse të konsumatorëve, ndërsa theksoi se inflacioni do luhatet nga 5 deri në 6% në vitin 2022 dhe do të ketë rënie në 2023) dhe prandaj Këshilli Mbikëqyrës i BSH, reagoi dhe vendosi rritjen normës bazë të interesit me 0,5%, duke e çuar në 1 për qind. Ndikime në ulje do të ketë edhe në treguesin e rritjes ekonomike. Njëhershmi, BSH vazhdon të jetë vigjilente në ruajtjen e stabilitetit financiar, mirëfunksionimin e sistemit bankar, miradministrimin dhe rritjen e rezervës valutore, qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit dhe bashkëpunimin me everinë për funksionimin e garancisë sovrane, si një instrument mbështetës për biznesin. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ibrahimovic do të pensionohet nga futbolli, por ka një kusht

    Lajmi i rradhës

    Prindër, mësoni fëmijë të përballen me situata të ndryshme

    Lajme tjera

    E MIRA S’KA FUND

    ANDRRAT PËR KOSOVËN QË I TRAJTON TË GJITHË BARABARTË. Relacioni jem me Kosovën është goxha kompleks. Herë e…
    Më tepër

    Pështjellim

    LEONARD DEMI Në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji, komuniteti euroatlantik u përfshi në reagime të ashpra kundër…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë