SHFAQJE PENDIMI, JO FJALË URIMI!

    Bekim Ramadani
    Profesor

    Të dashur nxënës e studentë, sonte nuk do të shpalos fjalë të zbukuruara për Vitin e Ri, por do të shfrytëzoj rastin që të kërkoj falje për mashtrimet pafund që ju kam përçuar përmes hipokrizisë sime.

    Më falni nxënës, më falni studentë, sepse, bëra gabimin e pafalshëm, ju lash pa gjumë për net të tëra duke ju detyruar vazhdimisht që të mësoni! Kam vepruar shtrembër duke ju përcjellë mesazhin se mësimi është një rrugë e vetme drejt lumturisë dhe suksesit, andaj kërkoj ndjesë që nuk ju kam treguar se bota ka shumë rrugë, dhe shpeshherë, janë rrugë krejtësisht të tjera ato që ju çojnë drejt parasë, drejt sevdasë.  

    Nxënës e studentë të dashur, ju kam mashtruar duke ju përçuar atë thënien e Konfucit se “nxënësi që mëson e nuk mendon është i humbur, kurse ai që mendon e që nuk lexon është në rrezik të madh”… Jo, jo. Duhej t’ju thosha me kohë që as mos lexoni dhe as mos mendoni, por thjesht bini fort tavolinës, bëhuni të zëshëm, bëhuni rebelë, po deshët të jeni të suksesshëm. Ju lutem mos lexoni, kurrë mos lexoni, sepse leximi dëmton sytë, mirë shohin vetëm analfabetët!

    Ju kam thënë, jo rrallë, që të jetoni në partneritet me natyrën, që ta mbroni atë dhe ekologjinë, përmes këshillave pafund, ndërkaq nuk ju tregova se bota funksionon ndryshe, nuk ju tregova se te paraja arrihet mu përmes shkatërrimit të natyrës, duke e grabitur atë. Shikoni që pasanikët më të mëdhenj të botës janë pikërisht ata që plaçkitin në mënyrë të pakontrolluar dhe pareshtur prej natyrës: naftën, gazin, pyjet, mineralet… Më falni që nuk jua përcolla së paku atë thënien e famshme, “Sa e sa pyje priten në botë për t’u krijuar letra ku do të shkruhet për rrezikimin e pyjeve”, që të arrini më shpejt tek absurditeti i së vërtetës!

    Eh, sa orë kemi harxhuar duke diskutuar për besën shqiptare, për atë fjalë nderi, e kurrë nuk ju thash se botën shqiptare e kanë udhëhequr dhe do ta udhëheqin, përgjithnjë, njerëzit e pandershëm, se ata kanë vendosur dhe do të vendosin për mua, për ty, për ne, për të gjithë. Më falni, më falni ju lutem, sepse nuk ju thash që besa është mashtrimi më i madh! Unë duhet t’ju shpjegoja, pa asnjë fije hipokrizie, se prej tre shqiptarëve, gjithmonë, dy janë tradhtarë, kështu thotë legjenda jonë “e madhe” për Rozafën. Ndërkaq, ai i vetmi, shqiptari i fjalës, ai i ndershmi, është në gjendje të të falë gjithçka, kohën, pasurinë, gjakun, por nuk ta falë, kurrën e kurrës, suksesin.

    Pendohem për mënyrën se si ju kam bindur që të dëgjoni muzikë në çdo kohë e në çdo vend, vetëm e vetëm që të fisnikëroni shpirtrat tuaj të rrezikuar nga çdo anë, që të bëheni më muzikalë, më të mirë, ndërkaq duhej të jua them të vërtetën që të mos dëgjoni muzikë, sepse ajo do t’ju zbusë pa masë, do t’ju bëjë shumë të ndjeshëm dhe të paaftë për t’u përballur me egërsinë shtazarake të botës njerëzore, gjithandej.

    Më falni për lodhjen që ju kam shkaktuar me leksionet e mia për sjelljen e njerëzishme, për paqen, për devotshmërinë, për nevojën e të qenit me këmbë për baltë dhe me gojë për mjaltë… Ju kam thënë vazhdimisht jetoni me parime të qarta, me karakter të fortë, mos u bëni sahanlëpirës, mos u përulni orë e çast duke u bërë lajka më të fuqishmëve, mos u bëni, kurrën e kurrës, puthadorë. Më falni edhe për këtë dredhi!… Ju kam thënë mos u bëni të egër duke jua treguar atë thënien e vjetër: “qengji i butë i thith dy nëna”, ndërkaq është dashur t’jua them, të vërtetën, atë më të renë: “servili thith gjithë kopenë“.  

    Kërkoj ndjesë, sepse ju kam thënë që dashuria është ndjenjë e fuqishme, e thellë, e çiltër, një vlerë e jashtëzakonshme, një virtyt i lartë! Kam bërë gabim, është dashur t’jua them të vërtetën, se ajo nuk bazohet as te miqësia, as te shoqëria, as tek afria, por vetëm te dobia, pasuria e fuqia.

    E pranoj plotësisht gabimin tim, sepse ju kam mashtruar rëndë duke ju thënë broçkulla të tipit të Çajupit: “Rrini këtu dhe mos ikni, mos e lakmoni kurbetin, mos shkoni në vende të largëta, sepse në vendlindje balta është më e ëmbël se mjalta!”… Ikni, po mundët, bëni këtë që sonte, kërkoni fatin! Ikni nga zullumi, ikni nga mësimdhënësit që ju mashtrojnë njëjtë sikur unë! Ikni sepse jeni buzë greminës, por ngado që të shkoni, ju lutem, të mos e harroni pendimin tim për kohën që ju kam detyruar ta përdorni pa kuptim! /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    HISTORITË E VITIT 2023 NË LENTET E FOTOGRAFËVE SHQIPTARË

    Lajmi i rradhës

    Ushqimet më të mira kundër gripit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë