Shoqëri e sëmurë…

    ZEF PREÇI 

    Nuk ka fjalë që ngushël lon prindërit që humbasin fëmijën, dritën e syve të vet… Aq më pak, në rastin e dhimbshëm të këtyre ditëve me fëmijën trevjeçar në Tiranë. Unë nuk dëshiroj të bie pre e emocioneve që nxit ky rast. As të bëhem pjesë e gjyqeve popullore që behen me shumiceë në rrjetet sociale. As të ushtroj presion mbi organin e akuzës që duhet lënë të bëjë punën e vet. Por, vetëm të sjell në vëmendjen e publikut dy-tri aspekte që tragjedi të tilla evidencojnë.

    Së pari, sistemi i kontrollit mjekësor. Dikur, në atë sistemin e dobët shëndetësor të regjimit të ekonomisë së centralizuar, qysh gjatë shtatzënisë, gratë ishin të detyruara të vizitoheshin te mjeku, ekzistonte konsultori “Nëna dhe Fëmija”. Kjo jo për nostalgji të asaj kohe që mos ardhtë kurrë dhe askund në botën e sotme, por për të kuptuar se racionaliteti ekonomik që vlerëson “mirëmbajtjen” më shumë se “remontin kapital” ishte rrënjosur te teknicienet e mjekësisë dhe jo vetëm…

    Madje, edhe pagesat e lejeve të barrëlindjes ishin të kushtëzuara me kontrollet periodike para dhe pas lindjes së fëmijës. Po sot? Në shtëpitë e lindjes (maternitetet) shtetërore të Tiranës (sepse nuk di të ketë ndonjë spital privat të licensuar si të tillë, pra si shtëpi lindjeje), edhe vetëm pak kilometra nga qendra e Tiranës, lindin mjaft fëmijë, nënat e të cilëve shohin mjekun vetëm ditën kur shtrohen në spital për të lindur…

    Së dyti, licensimi i një numri shërbimesh mjekësore, ashtu si në çdo sektor tjetër është bërë nën ndikimin e interesave oligarkike dhe korruptive, thjesht duke deshtetëzuar çfarë gjetën nga sektori publik, duke grabitur fondet, por më shumë se gjithcka duke grabitur “klientët” që në fakt duhej të ishin “pacientët”, qytetarët e shkretë që paguajnë nga xhepat e tyre të varfër më shumë se 55% të shpenzimeve kombëtare në shëndetësi, në një kohë kur një qytetar evropian paguan mesatarisht vetëm 15% të këtyre shpenzimeve.

    Kjo sepse te ne sektori është në kthetrat e PPP-ve dhe të interesave financiare të politikanëve që qëndrojnë mbas tyre, d.m.th., mungon tregu i shëndetit, edhe pse pagesat e përvitshme njohin vetëm rritje. Meqë jemi te licensimi, me ngjan se vendi yne eshte shnderruar ne nje spital të madh ndërkombëtar, ku ata disa nga pak mjekë që janë këtu, dhe ata mjekë nga Italia, Turqia etj., pa asnjë certifikim profesional dhe ligjor, me lende te para pune dhe medikamente qe sillen disa ilegalisht, disa të skaduara, mjaft syresh papaguar edhe taksa dhe tërësisht pa kontrollin e rreptë që ka BE, bëjnë eksperimentet e tyre.

    Një herë për pak vdes një grua që donte të humbiste peshën, një herë tjetër humbet jetën një gjmnaziste që u bë shkak që edhe mjeku anestezist të largohej nga kjo botë disa muaj më vonë, e tani nje fëmijë tjetër. Të jem i qartë, unë nuk akuzoj mjekët personalisht dhe besoj shumë të aftësitë e tyre, por… sistemi, sistemi.

    Nese medikamentet dhe pajisjet mjekësore kontollohen nga një apo disa duart oligarkësh dhe klientësh të qeverisë, nëse shteti nuk investon në kontrollin e tyre, nese në treg futet pa dogane cfaredo “mjeku” nga Italia, Turqia, India, etj., vështirë se mund të ndodhë ndryshe. Ndërsa shkruaj këto radhë, në rrjet qarkullon një foto-reklamë nga aeroporti i Tiranes ku promovohet fiks ajo qe nuk duhej te ndodhte, shërbimi që ofrohet në një seancë të vetme…

    Unë nuk di se si jepen licencat dhe se çfarë kushtesh duhet të plotësojë kompania (d.m.th.,sa mjekë, sa ndihmës, sa me kohë të plotë, sa me kohë të pjesshme, etj.), por qëkur ndodhi rasti i parë vitë më parë, mendoj se institucioni pergjegjës shtetëror, më shumë se të bënte gjithçka për të marrë kontrollin e këtij apo atij urdhri të të mjekësisë, duhej “të shtrëngonte rripat” në procedurat e licensimit, monitorimit, mbikqyrjes, adaptimit të standardeve të njohura të vendeve të zhvilluara, ndëshkimit të shkeljeve dhe të mos jemi gjithnjë përpara së njëjtës situatë: presim hetimet, mundësisht mos t’i përmendet emri i kompanisë, dhe me keq akoma të mbyllim sytë se çfarë po ndodh në këtë sistem…

    Së treti, përsëri për reklamat trullosëse, pse jo edhe mashtruese që mbushin orët e mas-medias elektronike, për të cilat nuk ka faj vetëm nevoja e tyre për burime financiare, por përsëri… sistemi. Autoriteti i Medias Audiovizuale ka tagrin të mbrojë interesin publik, duke monitoruar dhe eventualisht edhe të ndërhyjë edhe në këtë sferë.

    Dhjetëra medikamente, me emra tërheqes, promovohen 24/24. Ku është mjeku? Ku është certifikimi që i bën të besueshme? Ku është shteti apo më mirë, në anën e cilës palë është? Të mos harrojmë se në këtë vend ka më shumë farmaci se dyqane të bukës, se ilaçet, madje edhe të rrezikshme për brezat që vijnë siç janë antibiotikët, merren lirisht si karamele nëpër farmacitë tona…

    Nuk ka dyshim se kështu siç është katandisur shërbimi shënde tsor në vendin tonë, po shfaqemi ditë pas dite si një shoqëri e sëmurë, ndoshta jemi të tillë, por të sëmurët e vërtetë ngjasojnë të jenë ata që marrin përsipër të qeverisin fatet e këtij vendi dhe mandej, nuk ka përse të bëjnë të çuditurin kur shohin se vendi po boshatiset ditë pas dite…/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Degradimi i pashmangshëm i luftës në PD dhe kundër PD-së

    Lajmi i rradhës

    Reagon Alternativa në Tetovë: “Elem Turs”, mos i përjashtoni punëtorët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë