Vendimi i Bashës i vështirë, por politikisht i duhuri

    PREÇ ZOGAJ

    Një vendim shumë i vështirë, in extremis, për këdo që do të ishte në krye të Partisë Demokratike. Aq më shumë për Luzim Bashën, i cili ka startuar dhe është ngjitur në majat e politikës si i përzgjedhuri i Berishës.

    Përgjatë viteve, jo pak njerëz në mjedisin tonë politik e mediatik janë investuar për të paraqitur Bashën si manekin të Berishës, deri si dëzhurn i tij në PD. Basha u linte këtë përshtypje me mirënjohjen, mirësjelljen e deri me veneracionin e tij të sinqertë për promovuesin dhe mentorin e tij politik. Në vendin tonë opinionet i formojnë rëndom paragjykimet, cektësia, ana e jashtme e gjërave, lehtësia për të bërë batuta denigruese ndaj të tjerëve, vartësia toksike ndaj tyre.

    Shumë prej njerëzve të kësaj sëre ngatërrojnë edukatën me mëvetësinë e personit. Në të vërtetë mëvetësia i dilte më pak në pah zotit Basha. Por kush ka pasur rastin ta njohë nga afër, mund ta ketë kuptuar se e kishte. Të qenësishme, të brendshme. Berisha me siguri ia ka dalluar këtë cilësi. Dhe besoj se e ka promovuar edhe për ketë. Nuk ka kuptim, madje është kundërthënëse që kryetari i një partie konkurruese në demokraci të promovojë si pasues një person pa personalitet, që nuk merr dot vendime me vullnetin e tij. Çfarë do t’i duhej?

    Dje ka ndodhur që kjo cilësi e Bashës të kulmojë me një vendim kompleks, që pak kush e priste pikërisht sepse e paragjykonin si njeri të dobët. Vendim i cili në një vështrim arkaik bardh e zi, të cekët e emocional, shikohet sikur është atëvrasje politike. Çfarë atëvrasjeje? Basha nuk ka marrë një vendim për të dalë nga hija e paraardhësit apo për të hapur tragën e tij që është kuptimi dhe qëllimi i të ashtuquajturave atëvrasje politike kur pasuesi i tregon kufijtë paraardhësit që s’di të ikë. Një atëvrasje e tillë e ka humbur me kohë kohën e vet në marrëdhënien Basha-Berisha. Basha kësaj radhe ishte në pozicionin e një personazhi dramatik. Në tekstin e tij të parmbrëmshëm nuk kishte dhe s’mund të kishte asnjë fjalë nga fjalori i atëvrasjeve politike. Përkundrazi.

    Sado paradoksale të duket – dhe paradokset janë shpesh vërtetime të mira – Basha u shfaq si asnjëherë tjetër pikërisht lideri që ka promovuar Berisha. Rrethana e mallkuar deshi që vendimmarrja e fortë e pasuesit të binte mbi paraardhësin. Po kjo nuk është as hera e parë, as hera e fundit që ndodh në politike dhe mes politikanësh. Siç erdhën punët, pas presionit të fortë amerikan për largimin e Berishës, shoqëruar me paralajmërimin e qartë të izolimit të PD-së nëse kjo nuk do të ndodhte, Basha kishte dy rrugë: të bindte Berishën të tërhiqej vetë ose ta largonte duke bërë zemrën gur.

    Ato çfarë dinin e nuk mund të mos dinin të dy ishin minimalisht dy gjëra. E para, PD ishte e vdekur dhe pa asnjë shans për të fituar nëse zgjidhte të shndërrohej në një bunker të antiamerikanizmit, sfiduese unanime në shkallë të gjerë e politikës së Presidentit Biden për trajtimin e korrupsionit në vendet aleate si një dukuri që cenon sigurinë kombëtare të SHBA-së.

    Së dyti, në kushtet e krijuara, më reali për të mos thënë i vetmi shans për Berishën për të hequr një ditë ndëshkimin amerikan është një parti demokratike në pushtet, që do të mundësonte shtrimin e problemit të tij në instanca të larta shtetërore të pudorit apo korrigjimit amerikan. Pra, për të fituar i duhej të mënjanohej. Ky ishte verdikti i kësaj periudhe. I sertë sigurisht, por pa alternativë të afërt. Duke e kuptuar kështu këtë histori, disa njerëz, përfshirë autorin e këtyre rreshtave, e kanë nxitur Berishën me shkrime ta ndante rastin e tij nga fati i PD-së. Pra, të largohej vetë deri në kthimin eventual të situatës në gjendjen e mëparshme. Nuk mund ta dimë sa është investuar Basha përgjatë verës për ketë zgjidhje. Ka gjasa të mos e ketë gjetur gjuhën me Berishën. Për rrjedhim, u detyrua të ndërmerrte vetë zgjidhjen e dytë, së cilës i doli zot, siç duhet të bëjë një lider.

    Vendimi është i vështirë, por politikisht i duhuri në rrethanat e krijuara. Në ketë vendim pravalon interesi i demokratëve për të fituar, interesi i Shqipërisë që pret rrotacionin e pushtetit dhe një qeverisje ndryshe.

    Vendimi eviton izolimin e paralajmëruar amerikan të PD-së, pra shpalljen “non grata” të vetë kupolës drejtuese të PD-së, që do ta asgjësonte ëndrrën e fitores. Askush nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël se në Shqipëri mund të fitojë një parti që ka kundër SHBA-në. Dhe s’duhet të fitojë. Vendimi rihap perspektivën e menjëhershme të fuqizimit të marrëdhënieve të Partisë Demokratike me SHBA-në, si një premisë e dorës së parë për të marrë pushtetin e udhëhequr vendin.

    Reagimi lakonik i Ambasadës amerikanë në Tiranë e dëshmon qartë këtë. Tri shprehjet kyçe të reagimit amerikan ishin “kurajoja për t’u ndarë e shkuara… e udhëhequr Shqipërinë përpara” , “kënaqësia për të punuar më ngushtë se kurrë me kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike”. Këto shprehje nuk kanë nevojë për koment.

    Vendimi i heq më në fund Edi Ramës dhe grupit të tij monopolin e marrëdhënieve me SHBA-në, monopol i keqpërdorur për t’u vetëlicencuar deri si rrethues i zgjedhjeve dhe blerës i votave me justifikimin e “djallit” në krahun tjetër. Prej mbrëmë Edi Rama nuk e ka më këtë monopol. Sa më shumë të konsolidohet PD-ja në kursin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në, plus modernizimin e saj të domosdoshëm, aq më shumë do të zbehet figura e Ramës brenda vendit, në Uashington dhe në kryeqytetet e vendeve europiane. Jo vetëm kaq. Ai shumë shpejt do të fillojë të përballet me abuzimet e pushtetit të tij me flamurin amerikan në dorë. Shumë shpejt do të përballet me mashtrimin e madh në lidhje me drejtësinë e re, ku duket qartë se ngrehinës sui generis të institucioneve të reja nuk po i përgjigjet produkti i pritshëm për të cilin është bërë ky investim i madh.

    Kushdo e ka vënë re se partnerët strategjikë, pavarësisht mbështetjes dhe nxitjes konstante të institucioneve të reja të akuzës dhe gjykimit, janë të pakënaqur me produktin dhe po fillojnë të kërcasin dhëmbët. Me rrjetat dhe metodat perfide, zoti Rama me të tijtë ia kanë dalë të pengojnë përfshirjen në SPAK dhe në institucione të tjera të individëve me integritet të lartë dhe rekorde të kurajos profesionale, por që nuk kontrolloheshin nga rrjeta e PS-së. Për këtë temë do të shkruajnë në ditët në vazhdim. Për t’u kthyer ku e lamë: një PD e shpallur “non grata” nga SHBA do të ishte dhurata më e madhe për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Ai nuk e ka e nuk do ta ketë këtë dhuratë.

    Vendimi i zotit Basha nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të Urdhrit Ekzekutiv të fillim-qershorit të Presidentit Biden. Ky Urdhër, i cili është vazhdim i atij të vitit 2001 të Presidentit Bush, që parashikonte sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Urdhri i ri përfshin për herë të parë me emër Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

    Shqipëria është një vend i bllokuar prej kohësh nga një kastë plurale solidare që është pasuruar nëpërmjet pushtetit, që ka marrë peng zgjedhjet dhe mundësinë e qytetarëve për të vendosur, që ka aksesorët e vet në botën e biznesit dhe madje edhe në media. Ky është establimshmenti që ka vendosur pandëshkueshmërinë në sferat e larta, shkakun madhor të varfërisë dhe shpopullimit të vendit. Kasta solidare është kaq e ngulitur sa populli i një vendi të vogël si Shqipëria nuk mund ta shkulë dot.

    Shpresa e vetme është SHBA, qoftë me instrumentin e shpalljes “non grata”, që e ka vetë në dorë, qoftë me nxitjen e proceseve gjyqësore brenda vendit. SHBA i ka premtuar popullit shqiptar vendosjen e ndëshkueshmërisë që do të shënojë fillimin e një periudhë të re në Shqipëri. SHBA do ta mbajë fjalën. Fakti që Urdhri Ekzekutiv zgjerohet me emër me Shqipërinë dhe e trajton korrupsionin si një fenomen që cenon sigurinë kombëtare të SHBA-së do të thotë se e keqja ka shkuar larg këtu dhe numri i të nominuarve “non grata” do të jetë i madh. Kush nuk i vendos në këtë kontekst të ri ngjarjet që po ndodhin, e fut gjithë analizën në hulli të gabuar.

    Nuk përjashtohet se në këtë stuhi që pritet të ngrihet, vala të marrë me vete edhe ndonjë dru të drejtë. Ky do të jetë efekti anësor i operacionit të madh. Efekt që do të korrigjohet. Forca e SHBA-së qëndron vërtet tek aftësia e saj për t’u korrigjuar kur bën gabime. “Ajo që e bën Amerikën unike është kurajoja e udhëheqësve të saj të ballafaqohen me mëkatet e së kaluarës. Është pikërisht kjo çiltërsi çarmatosëse që e bën vendin pishtar të njerëzimit”, shkruajnë në librin e tyre “Dita që u shua” studiuesit Ivan Krastev dhe Stephen Holmes.

    Berisha ka të drejtë të shpresojë se vendimi i SHBA-së kundër tij do të mund të konsiderohet një ditë gabim dhe të korrigjohet. Por ndërsa korrigjimi eventual nuk ka një afat dhe mund të zgjasë, Berisha nuk ka të drejtë të mbajë peng Partinë Demokratike në këtë pritje pa afat. Vetë PD dhe lidershipi i saj do të bënin një gabim trashanik vetëvrasës të sfidonin një politikë ndëshkimi të të pandëshkuarve, të cilin shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë e konsideron rrugën e shpëtimit.

    Mbrëmja e së enjtes dhe dita e djeshme kanë qenë momente për të cilat e ardhmja dhe historia do të flasin me qartë. Berisha mund të kishte zgjedhur të mallëngjente publikun. Ai e ka ketë talent. Por së paku deri tani bëri një zgjedhje tjetër, ku spikasin batutat e kulturës politike tridhjetëvjeçare të konfliktit, ku spikasin akuzat pa doganë kësaj radhe brenda llojit.

    Dua ta përsëris: Partia Demokratike nuk mund ta ndihmojë për asgjë zotin Berisha. Shpallja e tij “non grata” është një problem që duhet ta zgjidhë vetë. PD mund ta ndihmojë vetëm nëse vjen në pushtet. Berisha gjithsesi e di vetë se çfarë duhet të bëjë. Por për të nderuar të vërtetën dhe respektuar ata që e ndjekin, së paku të mos vazhdojë me argumente që nuk i qëndrojnë logjikës së thjeshtë siç është ai që amerikanët e kanë shpallur “non grata” se ka kundërshtuar ndarjen e Kosovës. Biden dhe administrate e tij kanë qenë dhe janë kundër shkëmbimit të territoreve. Kaq do të mjaftonte që Berisha ta hiqte nga lista e tij për fansat argumentin në fjalë. Politikanët shqiptarë të Tiranës e kanë zakon t’i japin vetës një rendësi që nuk e kanë. Kjo e problemeve të Kosovës është tipike. Kosovën e ka çliruar dhe pavarësuar mbi të gjithë SHBA. SHBA është faktori determinat për arritjen e një marrëveshjeje të njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi. As na ka mbetur ne, as e bëjmë dot./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Rreziku i qeverisjes delirante

    Lajmi i rradhës

    “Askush nuk i respekton protokollet” | Qytetari flet për menaxhimin e keq në kovid-qendrën e Tetovës (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë