Kur dhe sa duhet të shikojnë televizion fëmijët?

    Elmaze Qerimi, psikologe klinike

    Ditët e sotme fëmijët e kanë të lehtë qasjen ndaj ekraneve, si televizion, Iphone, Ipad, video-lojëra etj. Shumë prindër mendojnë se të shikuarit televizion ndihmon në zhvillimin e kreativitetit të fëmijëve, të menduarit, se fëmijët mësojnë të flasin më shpejtë, si dhe se zhvillohet kognicioni i fëmijëve në përgjithësi. Mirëpo, studimet thonë se të kaluarit kohë të gjatë para ekraneve konsiderohet një nga faktorët kryesor që shkakton vonesa në zhvillimin e fëmijës. Statistikat tregojnë se në ditët e sotme rreth 1 në 4 fëmijë vuajnë nga vonesa në zhvillim të shkathësive gjuhësore, emocionale, sociale, kognitive apo/dhe motorike.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fëmijët nën moshën 2 vjeçare duhet të mos qëndrojnë fare para ekraneve, ndërsa fëmijët nga mosha 2 vjeç deri në moshën 4 vjeç duhet të kalojnë para ekraneve jo më shumë se 1 orë në ditë. Studimet thonë se sa më shumë kohë që fëmijët kalojnë para ekraneve, aq më ngadalë mësojnë të flasin. Për më tepër, të kaluarit kohë të gjatë para ekraneve pengon aftësinë e fëmijëve të vegjël për të lexuar fytyrat dhe për të mësuar aftësitë sociale, dy faktorë kyç të nevojshëm për të zhvilluar empatinë. Në një studim të bërë në vitin 2018 nga Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) gjeti se fëmijët të cilët kaluan dy orë në ditë para ekraneve shënuan rezultate të ulëta në testet e gjuhës dhe të menduarit. Ndërsa fëmjët të cilët kaluan më shumë se 7 orë në ditë para ekraneve e kishin të holluar zonën e korteksit të trurit e cila është përgjëgjëse për të menduarit kritik dhe arsyetimin/logjikën.

    Ndërsa, një studim tjetër gjeti se fëmijët e moshës në mes 1 dhe 2 vjeç që kalojnë orë të shumta para ekraneve, më vonë do të kenë vështirësi të përqendrohen, të kujtojnë udhëzimet dhe të kryejnë me sukses detyra të shumta. Tre vitet e para të jetës truri zhvillohet me shpejtësi të madhe. Fëmijët mësojnë duke ndërvepruar dhe duke e eksploruar mjedisin e tyre, duke i vëzhguar të rriturit dhe më pas duke i imituar ata. Koha e tepërt para ekraneve e pengon aftësinë e një fëmije për të vëzhguar dhe përjetuar aktivitetet tipike të përditshme në të cilat duhet të përfshihen për të mësuar rreth botës. Komunikimi me fëmijën, lojrat e ndryshme me fëmijën dhe ndërveprimi i dyanshëm me të janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e trurit të tij dhe çelësi që ata të zhvillojnë shkathësitë. Por nëse e keni të pamundur t’ia largoni plotësisht ekranet, të paktën sigurohuni që të kontrolloni cilësinë e asaj që fëmja juaj shikon dhe sigurohuni që të jetë e përshtatshme për moshën e tij. /natalmedia.com/

    Lajmi Paraprak

    “Amvisëritë dhe kompanitë e vogla energjinë e prodhuar shtesë do të mund ta shesin në rrjetin e furnizuesit universal”

    Lajmi i rradhës

    Punonjësit e Drejtorisë së Librave Amë ndërpresin përkohësisht grevën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë