Kopetë që kullotin para institucioneve!

    Pas kthimit nga bjeshkët e maleve Bistër, Stogovë, Deshat dhe Korab, disa blegtorë dibranë kanë sjellë kopetë e tyre në qytet dhe në periferi të tij, në pritje të dimrit. Ndërkohë që pjesa më e madhe e blegtorëve lokalë i kanë dërguar bagëtitë për dimërim në Fushën e Pelagonisë, ku tradicionalisht sigurojnë kushte të përshtatshme për strehim, një pjesë tjetër po i mban në afërsi të qytetit – madje edhe në zona të papërshtatshme si parqet dhe hapësirat publike.

    Kohët e fundit janë regjistruar raste të shumta të kullotjes së dhenve në oborret e institucioneve publike. Vetëm gjatë ditëve të fundit, qytetarë të Dibrës kanë raportuar praninë e dhjetëra dhenve në oborrin e çerdhes “Breshia”, një hapësirë e gjelbër që përdoret çdo ditë nga fëmijët e institucionit. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh në opinion, ndërsa reagimet nga qytetarët dhe stafi i çerdhes nuk kanë mjaftuar për ta ndalur pronarin e kopesë, i cili, sipas dëshmive, e ka përsëritur veprimin disa ditë me radhë.

    Nga Shoqata e Blegtorëve Dibranë “Dashi” nuk kanë dhënë ende informacione konkrete se kujt i përkasin kopetë, por kanë dënuar publikisht raste të tilla. Përfaqësues të kësaj shoqate theksojnë se blegtorët duhet të respektojnë rregullat dhe t’i kullosin bagëtitë vetëm në zonat e përcaktuara – në periferi ose në kullosat dimërore të Pelagonisë – dhe jo në hapësira të destinuara për përdorim publik.

    “Në Dibër po dëmtohen përditë hapësirat e gjelbra – parqet, oborret e institucioneve, madje edhe hapësirat pranë Qendrës për Kulturë dhe bulevardit ‘Iliria’”, thuhet në një reagim të shoqatës. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale. Sipas tyre, mungesa e reagimit institucional po nxit përsëritjen e rasteve dhe dëmton pamjen dhe higjienën e qytetit. “Është absurde që në shekullin XXI të shohim dhentë duke kullotur në parqe e varreza publike. Pa gjoba të rrepta, kjo nuk ndalet. Është turp që askush nuk reagon”, thotë Adraman F., 64 vjeç, banor i Dibrës.

    Shoqatat civile paralajmërojnë se do të kërkojnë përgjegjësi institucionale nëse rastet e tilla vazhdojnë. Ato kërkojnë që Komuna e Dibrës dhe Shoqata “Dashi” të bashkëpunojnë për të ndaluar dëmtimin e hapësirave të gjelbra dhe për të garantuar një ambient të pastër dhe të sigurt për qytetarët, veçanërisht për fëmijët. “Rasti i çerdhes ‘Breshia’ është alarm për autoritetet,” thonë aktivistët lokalë. “Nëse nuk veprohet tani, kjo do të kthehet në një praktikë të zakonshme që e dëmton imazhin dhe ekosistemin e qytetit”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ballkani ende larg standardit europian

    Lajmi i rradhës

    25 vrasje për pesë vite, pse shteti dështon t’i mbrojë gratë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë