“Në periferi pranë aeroportit”, tregim nga Ismail Kadare

    – Ky është TU.

    – Jo, ky është Karavell.

    Ne ndoqëm me sy një copë herë aeroplanin e madh që kaloi fare ultas, plot zhurmë dhe me shenja të gjelbra, mbi kokën tonë dhe, siç duket, u ul në aeroportin ndërkombëtar, disa kilometra larg, përtej pyllit të errët.

    Rrinim në errësirë, në anën e pasme të shtëpizës së drunjtë, pranë gardhit me kallama dhe pinim cigare.

    – Ke ftohtë? – tha ajo.

    – Jo.

    Ajo ishte me një fustan të bardhë vere, nga ata që mbajnë zakonisht vajzat në rrethina, në verë.

    Në errësirë nuk ia dalloja mirë fytyrën dhe më vinte keq, se ajo ishte e bukur dhe nuk mërzitesha kurrë ta vështroja. Vetëm kur thithte cigaren, dhe ajo e thithte shumë, si të gjithë ata që nuk e pinë, në dritën e dobët, të kuqe shihja buzët e saj dhe sytë që vështronin majën e cigares.

    – Nga mund të ketë fluturuar Karavelli? – pyeti.

    – Ku ta dish? Ndoshta nga Parisi.

    – Pse jo nga Kopenhageni?

    – Ndoshta nga Kopenhageni.

    Kurse fustani i bardhë dukej mirë në errësirë. Mua gjithmonë më pëlqenin vajzat me fustane të bardha, të thjeshta, që zbrisnin nga trenat elektrikë diku nëpër stacionet e shumta të periferisë, me nga një çantë të vogël të bardhë ose blu, që ta bënin me dorë pa të njohur dhe mbeteshin pastaj prapa dhe nuk i takoje kurrë më në jetë.

    – Ky është TU.

    – Po, ky është TU.

    Ne nuk folëm derisa aeroplani kaloi mbi kokat tona me një zhurmë therëse, sikur binin një milion kambana bashkë.

    – Ndoshta ky është juaji, – tha ajo.

    Herë-herë mua më dukej se nuk ishte ajo, po dikush nga ato vajzat e panumërta të trenave të rrethinave, me fustan të bardhë, që gjithmonë ta bënin me dorë. Dhe prisja derisa ajo të thithte cigaren dhe të shikoja prapë, në përndritjen e kuqe, buzët e saj dhe sytë gjysmë të mbyllur që vështronin poshtë.

    Larg u dëgjuan boria e trenit elektrik dhe zhurma e mbytur e binarëve.

    – Kurse trenat nuk mund t’i njohësh, – tha.

    – Po, është e vërtetë. Këtë s’e kisha menduar asnjëherë.

    – Edhe unë kam plot gjëra që s’i kam menduar kurrë në jetë.

    – Çdo njeri ka gjëra që nuk i ka menduar asnjëherë në jetë, – thashë dhe ndeza një cigare tjetër.

    – Unë nuk i kam frikë trenat. Trenat nuk të çojnë kaq larg.

    – Ka trena që të çojnë larg.

    – Megjithatë, nuk i kam frikë.

    Por edhe sikur ajo të mos ishte ajo, po njëra nga ato vajzat me fustan të bardhë, prapë mua do të më vinte keq që po ndaheshim. E aq më shumë që ishte ajo.

    Nata ishte e freskët dhe qentë lehnin tutje, atje ku udha të çonte në errësirë.

    – Të vjen keq që do të ndahemi? – më tha.

    – Po.

    – Le të mos bisedojmë më për këtë, – tha. – Më thuaj ndonjë gjë tjetër, diçka për vendin tënd.

    – Të gjitha t’i kam treguar.

    – Diçka tjetër. Diçka që të mos ketë lidhje me këtë.

    Unë nuk dija ç’të thosha dhe tani nuk ia shihja më fytyrën, sepse ajo e kishte mbaruar cigaren. Tani më dukej se nuk ishte ajo dhe asgjë nuk më vinte ndër mend.

    – Të lutem, – tha, – asnjë fjalë për ndarjen.

    – Sigurisht, kjo është nata jonë e fundit, pse të mërzitemi kot?

    – Po. S’ka nevojë.

    – Ndiz një cigare, – thashë. – Përndryshe, nuk ta shikoj fare fytyrën.

    Ajo ndezi cigaren dhe tani e thithte edhe më fort dhe unë ia shikoja më mirë buzët dhe vështrimin e pjerrët nën ndriçimin e kuq.

    – Thuamë diçka, – tha. – Tregomë ndonjë gjë.

    Ç’të tregoj, mendova. Asgjë s’më vjen ndër mend, ose, më mirë, çdo gjë që më vjen ndër mend nuk duhet treguar. Ne kështu ramë në një mendje.

    – Fol diçka, të lutem.

    – Tani, – thashë. – Tani do të tregoj diçka. A ta kam treguar kur kemi udhëtuar një natë me tren, të dehur tapë?

    – Jo, nuk ma ke treguar.

    – Ishim dyzet veta në kursin tonë, nga njëzet e dy kombësi të ndryshme.

    – Sa shumë.

    – Pse shumë? Ne jemi vetëm dy veta dhe jemi dy kombësi.

    Ajo e mbaroi cigaren dhe tani unë nuk ia shikoja më fytyrën, po vetëm dëgjoja frymëmarrjen e saj të lehtë.

    – Vazhdo, – tha.

    Unë i tregova se si ne, domethënë i gjithë kursi, do të shkonim në një qytet tjetër për ekskursion dhe treni u nis në orën dhjetë e gjysmë të mbrëmjes, kurse ne kishim ardhur të gjithë të dehur dhe Zoti e di se si e gjetëm vagonin tonë. Pastaj treni ishte nisur dhe ne vazhdonim të pinim dhe shishet i flaknim nga dritarja në terr…

    Në qiell u dëgjua përsëri zhurma e një aeroplani.

    – TU, – tha ajo.

    – Jo, është IL.

    – Nga e dallon ti?

    – Nga zhurma, – thashë.

    – Të gjithë ata të shurdhojnë, – tha dhe, pas një heshtjeje, pyeti: – Ku e ke ti vendin?

    – Nuk e di, s’e kam parë biletën.

    – E ke me vete?

    – Po, e ç’rëndësi ka vendi?

    – Është e vërtetë, s’ka asnjë rëndësi. Vazhdo, – tha, – më trego për vagonin e dehur.

    – Vagon i dehur, ti e the bukur, vërtet, çdo gjë ishte si e dehur atë natë, dhe treni, dhe shinat, dhe vetë shishet.

    Dhe unë vazhdova të tregoja se si ne pinim e këndonim dhe thyenim shishet, kurse trenistët kishin mbyllur dyert me çelës që të mos hidhej ndonjë përjashta dhe vajzat tona ishin mbyllur në kupetë e tyre dhe s’ndiheshin fare, ndërsa ne nuk e kuptonim ku ishin zhdukur…

    – Përsëri aeroplan, – më ndërpreu ajo. – Ky është TU.

    – Po, ky është me siguri TU. Tani, ti fillove t’i dallosh.

    – Unë duhej t’i dalloja mirë, sepse ne kemi kaluar shumë muaj në këtë daça, pranë aeroportit. – Ajo e preu fjalën dhe ndezi një cigare. – Po vetëm kohët e fundit më kanë interesuar aeroplanët. Ti e di.

    – E kuptoj.

    – Tregomë, – tha. – Vazhdo.

    Unë tregova se si ne pinim dhe secili fliste në gjuhën e vet dhe merreshim vesh për mrekulli, ndërsa nuk e dinim fare ku shkonim. Madje, ne mendonim se, në përgjithësi, nuk shkonim gjëkundi dhe as ktheheshim nga ndonjë vend, por ishte diçka tjetër midis këtyre dy kuptimeve që ne nuk e merrnim dot vesh çfarë ishte dhe prandaj pinim edhe më.

    Ty të mbuloi prapë errësira, mendova, dhe nuk kisha më ç’të tregoja.

    – Ti tani e flet mirë gjuhën tonë, – tha ajo, – dhe bën pak gabime, vetëm në gjininë femërore të vetës së tretë. Po mua më pëlqen kështu, me gabime.

    Unë buzëqesha.

    – Kurse kohët e fundit shoqet kanë qeshur shpesh me mua, ngaqë kam filluar të bëj gabime.

    Unë qesha.

    – Gabimet e tua, – tha.

    E dashur, mendova, e shtrenjta ime.

    Larg këndonin bulkthet e natës dhe udha nuk dukej fare. Unë shikoja vetëm fustanin e saj të bardhë dhe më dukej sikur qysh tani ajo po më largohej dhe po bëhej e pakapshme, si një kujtim. Qëndruam mjaft kohë pa folur dhe asgjë nuk mund të thosha, sepse nuk mendoja veç për disa flokë dëbore, që binin diku pa kuptim, në thellësi të kujtesës sime.

    – Deri në ç’orë ulen aeroplanët? – pyeti.

    – Deri në mesnatë.

    – Mesnata po kalon.

    – Siç duket, nuk do të ketë më, – thashë.

    – Ndoshta.

    Unë u mundova të gjeja ndonjë gjë tjetër për të thënë, dhe cigaret ishin mbaruar të gjitha. Gjithçka tjetër dukej e mbaruar qysh nga çasti i pasdites, kur, pas dashurisë, ajo hetoi një njollë të vogël në shtrat dhe pastaj fundin e barkut dhe tha “tani mbaroi” dhe shkoi të lahej.

    Ti s’do të dalësh më sonte nga errësira, mendova. Ti do të shkosh pas pak në dhomën e prindërve të tu dhe unë do të shtrihem në dhomën tjetër, në divanin e ngushtë dhe ky do të jetë fundi.

    – Ndoshta, ti duhet të flesh tani, udha është e gjatë dhe e lodhshme, – tha vajza.

    – Do të shkoj pas pak.

    Ndjeva larg një zhurmë të mbytur.

    – Më duket se po vjen i fundit, – thashë.

    Ne vumë veshin të dy dhe dëgjuam se si në thellësi të natës po rritej një zhurmë e mbytur.

    – Kushedi pse është vonuar.

    – Po. Është vonuar shumë.

    Ne prapë nuk folëm, derisa aeroplani u duk në horizontin e errët dhe fluturoi me zhurmë shurdhuese mbi kokat tona, me barkun dhe krahët plot shenja që shuheshin e ndizeshin si të gjalla, dhe asnjëri prej nesh nuk e njohu se ç’aeroplan ishte.

    – Mbaroi, – tha ajo. – Tjetër s’do të ketë.

    Unë nuk dija ç’të thosha dhe më dukej se errësira sa vinte bëhej më e dendur.

    – Shkojmë të flemë, – thashë, – është vonë.

    – Po, i dashur, – tha ajo.

    Unë e putha në buzët e ftohta dhe ne i thamë njëri-tjetrit natën e mirë.

    Moskë-Tiranë, 1960-1961

    Lajmi Paraprak

    Disa gjëra që e bëjnë të veçantë shtetin gjerman për pjesën tjetër të botës

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka logoped në asnjë shkollë fillore të Ohrit dhe Strugës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë