Alternativa dhe Besa do të insistojnë deri në fund me kërkesat e tyre për gjuhën shqipe

    Të gjitha kushtëzimet që vijnë nga partitë shqiptare në opozitë, janë thjeshtë politikë ditore thotë Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Sipas tij, partitë shqiptare do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, ndërsa sa i përket heqjes së 20% si definicion për gjuhën shqipe thotë se është thjesht përkufizim në Kushtetutë që nuk ka të bëjë me përdorimin dhe nuk ndikon në praktikë

    “Ajo që e mban BDI-në e mban të fuqishme dhe të fortë gjatë gjithë këtyre viteve është konsistenca në qëndrimet politike. Po ju  vërejnë njerëzit se i ndërroni qëndrimet ashtu si ju vie interesi partiak, deri sa ishin në Qeveri gjithë BE, qeveria e mirë. Dil prej qeverisë nuk bën BDI-ja, hyn tjetra në Qeveri, BDI e mirë. Do t’i votojnë ato ndryshime kushtetuese, do t’i votojnë. Por, këto qëndrime i dëmtojnë. Në rregull mua më konvenon që tregohen aq jo serioz në qëndrime por nuk është mirë për imazhin e përgjithshëm të shtetit.”- deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

    Për këto deklarata TV21 kërkoi qëndrim edhe nga partitë shqiptare. Megjithatë as njëra e as tjetra nuk u përgjigj në mënyrë të prerë nëse do t’i votojnë apo jo ndryshimet kushtetuese pa kushtëzimet që i kanë bërë.

    “Nuk mund të presim diç më tepër nga partia e listës së zezë amerikane, ata as mund ta shtyjnë procesin integrues përpara dhe as nuk mund të plotësojnë kërkesat e shqiptarëve sepse prioritet e kanë krimin dhe korrupsionin. Lëvizja BESA është parimore në qëndrimet e veta, ne presim që qeveria si propozues zyrtar i ndryshimeve kushtetuese të inkorporoj kërkesën tonë heqjen e termit nënçmues 20%  për shqiptarët dhe të zëvendësohet me gjuha shqipe. Ne qëndrojmë deri në fund në kërkesën tonë sepse është kërkesë e drejtë dhe legjitime.”- thanë nga Lëvizja Besa.

    “Se çka deklarohen nga “Non-grata & Soravija” nuk është e rëndësishme aspak për ne. Nëse kanë të thonë diçka se si mund të hyhet në listat e zeza amerikane apo si mund të blihen qendra tregtare në moshë 25 vjeçare atëherë edhe mund të merret mësim nga ata. Ndërsa sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe procesit integrues, ne si Alternativë qëndrojmë fuqishëm në bindjet tona se është tejet denigruese që gjuha shqipe të vazhdojë të definohet edhe më tej me aso terma poshtërues dhe njëkohësisht do të insistojmë deri në fund që të fusim në kushtetutë amendamentin për luftë kundër korrupsionit politik.”- pohuan nga Alternativa.

    Sipas Osmanit BDI nuk ka  bërë kompromis me përdorimin e gjuhës shqipe asnjëherë, ndërsa vlerësojnë se  për momentin është më esenciale edhe për vetë shqiptarët integrimi në BE, sesa definimi i gjuhës shqipe.

    Lajmi Paraprak

    Imazhi mbi Piramidën e (pa)Kohë nga Luran Osmani

    Lajmi i rradhës

    KONTESTI BULLGARI – RMV | Sofja pa kushte të reja për Shkupin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë