Bie pritshmëria për anëtarësim në BE

    Sipas një hulumtimi të ri nga Instituti për Demokraci Societas Civilis (IDSC), këtë vit niveli i mbështetjes në vendin tonë ndaj anëtarësimit në Bashkimi Evropian (BE) ka shënuar rënie të madhe në krahasim me nëntë vitet e fundit. Rezultatet pasqyrojnë pakënaqësi, por ato nuk do të thotë t’i drejtohemi partnerëve të tjerë si Rusia apo Kina. Për gati një dekadë, mbështetja e qytetarëve për anëtarësim në BE ka rënë me një të katërtën. Nëse në vitin 2014, 80 për qind e të anketuarve ishin “për” anëtarësimin në BE, në vitin 2023 kjo përqindje do të jetë 60 për qind. Njëri hulumtim i referohet mbështetjes për anëtarësim vetëm këtë vit, ndërsa tjetri mbulon opinionet për procesin e integrimit evropian në periudhën 2014-2023. IDSC deri më tani nëntë herë ka bërë një analizë të opinionit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

    Të dhënat shqetësuese i referohen të rinjve dhe mbështetjes së tyre për anëtarësimin në BE.

    “Kategoria më e re e qytetarëve të rritur nga 18 deri në 24 vjeç janë në thelb më euroskeptikët. Të rinjtë në vend ofrojnë më pak mbështetje për procesin në krahasim me kategoritë më të vjetra. “Vetëm gjysma e të rinjve e përkrahin anëtarësimin në BE”, thotë autori i analizës, profesori universitar, Ivan Damjanovski.

    Këtë vit ka rënë mendimi se fqinjët janë pengesa kryesore për anëtarësimin në BE dhe po rritet numri i atyre që besojnë se faji duhet kërkuar në shtëpi, pra në moszbatimin e reformave dhe “detyrave të shtëpisë”. Zhgënjimi i qytetarëve që reformat nuk janë realizuar është një nga aspektet kryesore pse mbështetja për integrimet ka rënë. Një e treta e të anketuarve mendojnë se procesi integrues paraqet harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me legjislacionin e BE-së dhe 11 për qind mendojnë se bëhet fjalë për plotësimin e kushteve të fqinjëve.

    Kur u pyetën pse e mbështesin anëtarësimin në bllok, faktorët ekonomikë mbizotërojnë, pra qytetarët presin një standard më të mirë, papunësi më të ulët, qasje më të lehtë për punë jashtë vendit, ndërkohë që promovimi i demokracisë nuk është një faktor. 90 për qind prej të anketuarve besojnë se anëtarësimi në BE nuk do të reduktojë emigrimin e të rinjve.

    Sondazhi tregon se numri i atyre që besojnë se vendi do të bëhet anëtar i BE-së në tre deri në pesë vitet e ardhshme po bie, që sipas autorëve do të thotë se njerëzit janë bërë më realistë në pritshmërinë e tyre. Megjithatë, shqiptarët etnikë janë më optimistë se BE-ja do të jetë gati të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030.

    Por edhe përkundër mbështetjes së reduktuar, euroskepticizmi ende nuk është rritur, gjegjësisht qytetarët janë thjesht të pavendosur dhe të pacaktuar, por nuk janë shprehimisht kundër anëtarësimit, thotë drejtori i Institutit për Demokraci, Marko Troshanovski. Ai thotë se besueshmëria e procesit mund të rikthehet nëse reformohet BE-ja.

    “Nëse forcohen kriteret e avancimit në bazë të meritës, e jo avancimi i kushtëzuar nga tekat individuale të vendeve anëtare”, nënvizon Troshanovski.

    Komunikologu Abedin Ismaili për gazetën Koha, ka vlerësuar se vonesa e stërzgjatur nuk krijon shpresë, prandaj është e natyrshme edhe rritja e euroskepticizmit në vend.

    “Burimi kryesor i skepticizmit për anëtarësim të vendit në BE vjen pikërisht nga kushtet që duhet plotësuar, e për këtë qytetarët janë të vetëdijshëm që vendi ynë në vendnumëron. Këtu bie fjala për reformat në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit e të tjerat. Çështja e ndryshimeve kushtetuese është vetëm alibi. Kjo çështje është shumë delikate për faktin se tani më shpresat sa shkojnë e zbehen e për fat të keq diçka më e mirë as nuk e ofrohet e as nuk mund të gjendet”, shprehet ai.

    Sipas Ismailit, pas autokritikes vlen të theksohet që edhe BE-ja nuk është shumë e interesuar për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor prandaj edhe po përdor “filtrim” të hatashëm, pasi siç tha ai, kur mundet me Ukrainën në gjendje lufte të hapen negociatat, pse nuk mundet edhe me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, në kohë paqe e të sigurta të cilat janë edhe anëtare të NATO-s. Në fund, ai tha se vlen të theksohet që në Maqedoninë e Veriut orientimin pro-evropian e mbajnë e nuk do ta lëshojnë asnjëherë shqiptarët. Drejtori i zyrës së Fondacionin Gjerman Konrad Adenauer në Shkup, Daniel Brown thotë se rezultatet e hulumtimit nuk duhet të na habisin.

    “Rezultatet janë shprehje e pakënaqësisë së thellë. Megjithatë, ne e kemi parë që publiku nuk është gati dhe nuk dëshiron t’i drejtohet disa partnerëve të tjerë, por dëshiron të qëndrojë në rrugën evropiane. Ajo nuk dëshiron të bashkëpunojë me Rusinë apo Kinën apo partnerë të tjerë më gjerësisht. Rezultatet janë ende një shprehje e atij dimensioni”, tha Brown.

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit në RMV nuk ndjehen të sigurtë

    Lajmi i rradhës

    Hoxha: jam takuar me Ali Ahmetin dhe Taravarin, jemi të gatshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë