Diplomatë të shumë vendeve kanë marrë pjesë në sesionin e titulluar “Ndërtimi i besimit përmes dialogut” në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog (FPD).
Mes tjerash, në sesion fjalim kishin zv/ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kaymakcı; kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani; ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka; si dhe kryediplomatja e Kosovës, Donika Gёrvalla-Shvarc.
Në raport me procesin e eurointegrimeve, zv/ministri Kaymakcı në fjalën e tij u shpreh se nuk duhet emëruar rajoni si “Ballkani Perëndimor” për të diskriminuar Turqinë si vend-kandidat, duke bërë thirrje për qasje gjithëpërfshirëse.
Ai u shpreh se fatkeqësisht deri tani kemi parë bllokim të dialogut në zona të ndryshme, duke theksuar se bllokimi i bën dëm edhe vetë BE-së.
“Bllokimi nuk i ndihmon BE-së. Bllokimi nuk i ndihmon transformimit në vendet kandidate. Në fund, mund të përdorni të drejtën e vetos nëse doni, por të mos lejojmë nacionalizimin e politikës së zgjerimit të BE-së”, tha Kaymakcı.
Ai gjithashtu tha se dëshiron të shohë një Komision Evropian më të fuqishëm, si dhe vëmendje në interesin e përbashkët evropian, që sipas tij, është që të gjithë të jenë në familjen e BE-së.
Kaymakcı tha se Turqia mbështet procesin integrues në strukturat euroatlantike të vendeve ballkanike, si dhe dialogun mes këtyre vendeve, duke theksuar se së fundmi, Turqia ishte në gjendje të ketë dialog më të mirë me Greqinë.
“Shpresoj të mund të shohim dialogun e njëjtë në ishullin e Qipros, ku qipriotët turq dhe grekë të mund të bisedojnë për menaxhimin e ardhshëm të resurseve hidrokarbure, që mund të ndihmojë në krijimin e besimit”, tha ai.
Kaymakcı gjithashtu theksoi se Turqia nuk është një pjesë që mungon në tërësinë e BE-së, “por është një shtyllë që i mungon Evropës, dhe do të jetë shtylla e BE-së gjeopolitike dhe gjeostrategjike, kur të ndodh anëtarësimi i saj”.
Ai gjithashtu vuri në dukje se dialogu i nivelit të lartë është suspenduar nga BE-ja për shkak të çështjes së Qipros.
“Sa i përket dialogut me BE-në, takimet e dialogut të nivelit të lartë janë suspenduar nga BE-ja. Pse? Pasi kemi çështjen e Qipros, pra nuk mund të kemi dialog për migracionin, nuk mund të kemi dialog për energjinë, transportin, lidhshmërinë. Mendoj se kjo nuk është qasja e duhur”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e punës në agjendën pozitive.
“Zhvillimi i dialogut pa besim, nuk prodhon dhe nuk jep rezultatet e dëshiruara”
Duke folur për dialogun, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se nëse flisni për Ballkanin në çfarëdo periudhe kohore, do të vëreni se ajo që mungon është dialogu, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e besimit të ndërsjellë.
“Zhvillimi i dialogut pa besim, nuk prodhon dhe nuk jep rezultatet e dëshiruara, edhe kur dialogu në dukje është i suksesshëm”, tha Osmani.
Ai gjithashtu tha se zhgënjimi që erdhi si pasojë e dështimit të BE-së të fillojë bisedime me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është i madh, duke shtuar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për vendime të vështira, komplekse dhe të guximshme.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, në fjalën e saj tha se procesi i integrimit të vendeve të rajonit në BE ka shërbyer si element që ka bashkuar rajonin, por shtoi se vërehet që BE-ja ka mungesë të qasjes strategjike.
“Besoj se pyetja para nesh është: Si ta rrisim vëmendjen strategjike të BE-së për rajonin tonë? Në një farë mase, kjo tashmë po ndodh sepse BE-ja po kupton dëmtimin e kredibilitetit të saj dhe e dyta që vakumet nuk ekzistojnë në gjeopolitikë”, tha Xhaçka.
Ndërkohë, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gёrvalla-Shvarc, tha se diplomacia në Ballkan shpesh herë është keqpërdorur për të bllokuar të vërtetën dhe progresin, duke shtuar se vendet e Ballkanit kanë nevojë të bisedojnë me më sinqeritet mes vete, si dhe në raport me BE-në.
“Të gjithë e dinë se integrimi në BE i gjithë rajonit do të bllokohet, për sa kohë që Serbia bllokon këtë rrugë duke refuzuar të pranojë realitetet”, tha Gёrvalla-Shvarc.
Kujtojmë se sot dhe nesër në Ohër dhe Oteshevë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë mbahet Forumi i Prespës për Dialog, me konferencën e titulluar “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë”.
Në faqen zyrtare të forumit thuhet se FPD është platformë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u mundësuar vendeve, udhëheqësve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe t’i forcojnë partneritetet./Anadolu Agency/