Kadriu: Maqedonia e Veriut akoma nuk është distancuar nga politikat nacionaliste

    ‘Politikbërja në një shtet multietnik’ është libri i botuar së fundi nga profesoresha universitare, Besa Kadriu. Ky botim është rast studimor i politikbërjes në RMV nga periudha 2007 – 2017. Përveç politikbërjes, Kadriu trajton edhe multikulturalizmin, nacionalizmin, raportet mes etniteteve dhe rolin e tyre në proceset politike.

    Gazetare | Blerona Zylbeari Jakupi

    Nistori: Brenda kësaj dekade, si është zhvilluar politika në vendin tonë multietnik?

    Një proces shumë i ngadalshëm, krahasuar me standardet të cilat duhet t’i ndjek një shoqëri dhe një shtet siç është praktika e Maqedonisë së Veriut. Vendi duhet të ketë parasysh faktin që aspiratat që ka për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane, duhet mbi të gjitha të distancohet nga praktika e politikës nacionaliste dhe të ndjek përpara respektimin e shoqërisë multietnike, multikulturore, sepse vetëm kështu mund të mendohet e ardhmja e këtij vendi.

    Nistori: Cilët kanë qenë aktorët kryesorë të politikbërjes?

    Aktorë politik janë ata të cilët e përbëjnë rrjedhën e proceseve politike. Këtu përfshihen aktorët ligjdhënës, parlamenti, autoritetet e pushtetit ekzekutiv, agjencitë qeveritare, ndikimet anësore që vijnë nga grupet e interesit, përfaqësues të komunitetit akademik si dhe një sërë anëtarësh të cilët cilësohen në terminologjinë angleze si “stakeholders” të vijimit të këtij procesi.

    Nistori: Po qytetarët, çfarë roli kanë në politikbërje, a janë qytetarët element kyç në procesin politik?

    Në shoqëritë demokratike është çelësi i funksionimit të një fryme më liberale të demokracisë. Ajo shikohet tek vota e lirë, legjitimimi i pushtetit, etj. Nëse këto procese zhvillohen nën ndikimin e një pushteti, aty nuk mund te flasim për rol të mirëfilltë e të lirë të qytetarit. Këtu jemi larg këtij procesi.

    Nistori: Si e shihni raportin e shqiptarëve dhe maqedonasve, a i ka lëvizur përpara proceset politike ky raport?

    Raportet në mes dy etniteteve më të madha, shqiptarëve dhe maqedonasve, ndoshta nuk janë të nivelit të pas konfliktit të vitit 2001, sepse faktori ndërkombëtar ka ndikuar sadopak në zbutjen e këtyre raporteve të ndërsjella.

    Megjithatë, nga ajo kohë e deri më sot, jo se është arritur shumëçka nga ajo që është dëshiruar. Kjo nënkupton që në pikëpamje juridike dhe praktike realiteti i aspektit multietnik dhe funksionimit të barabart etinik, nuk ka as punën minimale që duhej bërë, që këto raporte të trajtohen edhe në pikëpamje institucionale.

    Nistori: Në shoqëritë multietnike, dashur e pa dashur, nacionalizmi bëhet ‘pretekst’ për lindjen e konflikteve, si ka ndikuar kjo dukuri në bashkëjetesën e qytetarëve të RMV-së?

    Nacionalizmi në përgjithësi, në koncept, nënkupton impozitimin e një kulture të lartë në shoqëri, ku më parë, kulturat e ulta ishin marrë pjesë e shumicës, apo pjesë e tërësisë së shoqërisë; Por, sot në botë, shumë njerëz vuajnë nga një tipar i këtillë, ku politikëbërja zhvillohet nën ndikimin e ideologjisë nacionaliste, nga të cilat lind diskriminimi etnik, racor, etj, gjëra dhe dukuri me të cilat po ballafaqohemi edhe ne. Sado që pretendohet se i kemi kaluar këto situata, realiteti është i dhimbshëm tek ne.

    Nistori: Multikulturalizmi është një tjetër çështje të cilën e keni prekur në librin tuaj. Çfarë modeli duhet të ndjekë RMV, që të gjithë qytetarët të ndjehen të barabartë?

    Maqedonia e Veriut është një shtet që ndjek procesin e reformave dhe rrjedhimisht, ky proces duhet të përkojë edhe me gadishmërinë e vendit për të ndjekur edhe modelin e shteteve, apo përmbajtjen e koncepteve multietnike, në vendet më të zhvilluara në Europë dhe gjetiu, siç mund të ishte modeli belg me disa tipare, ai zviceran apo ai kanadez dhe gjetiu.

    Nistori: Sa vështirë është të ruhet identiteti i një shoqërie siç është e jona teksa jetojmë në një shtet multikulturor?

    Vlerat multietnike ruhen duke i kultivuar dhe duke i trajtuar institucionalisht për t’i mbrojtur ato dhe duke investuar tek të njëjtat, sepse kështu kanë vepruar shoqëritë e vendeve të zhvilluara në Europë dhe gjetiu. Ata sot, janë bashkim i vlerave, kulturave, gjuhëve dhe aspekteve të tjera, siç janë, përvojat dhe unifikimi i fuqive ekonomike, politike dhe aseteve të tjera të shteteve të fuqishme siç janë bashkimi i fuqive ushtarake dhe sferës së sigurisë dhe mbrojtjes, etj. Tendencat e këtilla të bashkimit në shumëllojshmëri kanë bërë të mundur të mbijetojnë edhe shumë etni dhe kultura të ndryshme, siç është dhe rasti i shoqërive indogjene, samëve në kulturën skandinave, etj.

    Nistori: Si e shihni përfaqësimin etnik dhe pozitën e shqiptarëve në RMV?

    Aktualisht, pozita e shqiptarëve në kontekstin e barazisë etnike ende shikohet në sensin e trajtimit institucional si detyrim apo trysni e cila zhvillohet nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar. Kur këto raporte ndëretnike do të zhvillohen shumë të çliruara nga mentaliteti i vjetëruara dhe larg trysnisë së mendimit politik, rëndom, të trajtuara në një formë të shëndoshë dhe shumë spontane që do të përkonte shumë afër sistemit të mirëfilltë të demokracisë. Vetëm atëherë mund të mendonim se këtu jemi çliruar nga ato kanosje që janë ndërtuar dhe zhvilluar në mes dy etniteteve më të mëdha në RMV, shqiptarëve dhe maqedonasve, e qe kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një kërcënim real i prishjes së stabilitetit të këtij vendi. Besoj dhe konsideroj që duhet punuar shumë në këtë drejtim, derisa ky aspekt të marrë trajtën e duhur të sendërtimit dhe funksionimit normal e të balansuar në mes dy etniteteve.

    Lajmi Paraprak

    85 për qind e ujërave të zezë nuk pastrohen në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi thotë se tre kompani kanë bërë parregullsi në importin e mazutit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë