Gazetar | Adrian Kerimi
Pushteti dhe opozita akoma gëzojnë konsensus politik mbi Ligjin për legalizimin e objekteve pa leje (Ligji për planifikim urban). Ndonëse Qeveria ditë më parë njoftoi se tërhiqet nga teksti i ligjit të cilin nuk e dekretroi Presidenti Stevo Pendarovski, partia në pushtet këmbëngul se zgjidhja ligjore është në interes të qytetatarëve dhe po punohet për një koncept të ri ligjor të bazuar në mendimet e ekspertëve dhe pikëpamjet e opinionit. LSDM-ja për momentin nuk komenton nëse në dispozitat e propozimit të ri do të ketë amnisti për ndërtuesit e objekteve pa leje.
“Zgjidhja ligjore është në interes të qytetarëve. Me të do të zgjidhen problemet disa vjeçare të tyre. Dispozitat e tij përfshijnë mbi 50 mijë amvisëri në nivel shteti. Ne i dëgjojmë qytetarët dhe ekspertët. Mbi bazën e propozimeve të tyre do të përgatisim zgjidhje të re ligjore. Do të gjejmë mekanizmat e duhur juridik me qëllim ligji përsëri të kthehet në procedurë parlamentare para deputetëve”, thuhet në qëndrimin e LSDM-së.
Të pyetur zyrtarisht nga redaksia e Nitstori-t, partia shqiptare në pushtet (BDI) nuk kishte asnjë koment nëse mbështet një zgjidhje të re ligjore me amnisti të përfshirë në të. Jo zyrtarisht, Integristët i kanë besuar këtë çështje partnerit të tyre të koalicionit, ndërsa mbështetjen ose jo ndaj propozimit do ta shpalosin gjatë procedurës parlamentare.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja e cila mbështeti zgjidhjen e parë ligjore dhe amnistia në të ishte përfshi me amendamentin e propozuar nga partia e Hristijan Mickoskit, kësaj here si duket përgjegjësinë për amnisti do ja faturojë pushtetit. Partia e Mickoskit kërkon ligj të filtruar nga ekspertët dhe qytetarët.
“Derisa pushteti vendos për propozim-ligj të ri, presim që i njëjti të filtrohet në trajektoren demokratike, që nënkupton të shoshitet nga publiku dhe ekspertët. Derisa e kalon këtë filtër dhe mbi gjitha i plotëson nevojat e qytetarëve, atëherë të vendoset para deputetëve”, thuhet në qëndrimin e VMRO-DPMNE-së.
Opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë qëndrim të prerë; nuk mbështesin zgjidhje ligjore populiste prapa së cilës fshihet amnisti për siç thonë, mafinë urbane.
“Qeveria premtoi se nuk do të vazhdoj me procedimin e të njëjtit, por do të hap debat të përgjithshëm për të propozuar një ligj më të mirë. Ky ligj ka për qëllim që të amnistojë fajtorët dhe mafinë urbane nëpër komuna. Kjo bëhet për arsye populiste dhe elektorale në prag të zgjedhjeve lokale në dëm të interesit publik për të pasur qytete sipas standardeve urbanistike dhe planifikimit urbanistik”, thuhet në qëndrimin e koalicionit opozitar ASH-AAA.
Megjithëse qëndrimi tyre në raport me problematikat e qytetarëve zgjidhja e të cilave buron nga ky ligj është që kjo zgjidhje ligjore duhet miratuar.
“Nga ana tjetër ne e bashke ndjejmë nevojën e qytetarëve për të zgjidhur statusin e objekteve të tyre pa leje duke qenë të bindur se ata janë më së paku fajtor në këtë çështje sepse asnjë qytetar nuk do të rrezikonte të investojë qindra mijëra euro në objekt për të cilin nuk do të kishte siguri se nuk do të rrënohet. Këtë siguri ia ka dhënë dikush në institucion, në komunë ose gjetiu”.
Më 14 maj presidenti Pendarovski njoftoi se nuk ka dekretuar Ligjin për planifikim urban të miratuar paraprakisht në Kuvend. Në qëndrimin e tij, i pari i shtetit kishte potencuar se dispozitat e ligjit të miratuar më konsensus në Kuvend parashikojnë amnisti indirekte për personat fizik dhe juridik të cilët kanë ndërtuar objekte pa leje. Më pas Pendarovski duke u thirrur në Kushtetutë kishte potencuar se në rast se ligji kalon në lexim të tretë, ai do ta dekreton të njëjtin. Qeveria dhe kryeministri Zoran Zaev kishte njoftuar se do t’i respekton vërejtjet e presidentit, ndërsa në zgjidhjen e re ligjore nuk do të përfshihet legalizimi i objekteve pa leje të ndërtuara në zonat e mbrojtura. Ligji për planifikim urban ndodhej në procedurë parlamentare edhe në gjatë përbërjes së kaluar, por i njëjti nuk ishte miratuar në mungesë të konsensusit pushtet-opozitë. /Nistori/