Kuvendi filloi shqyrtimin në lexim të dytë të propozim Ligjit për Shtetësinë, pas marrëveshjes përfundimtare mes pushtetit dhe opozitës shqiptare, që me 10 amendamente të përbashkëta të korrigjohet teksti fillestar i Propozim Ligjit. Megjithatë, VMRO-DPMNE, vazhdoi tentimet e saj për zvarritjen e miratimit të propozim ligjit. Në komisionin për Mbrojtje dhe Siguri, deputetët e opozitës maqedonase fillimisht zhvilluan spektakël me fjalime procedurale. Ndërsa deputeti Antonio Milloshovski kërkoi që për këtë propozim ligj të ketë debat publik ku do të përfshihen më shumë institucione dhe ekspertë. Nga opozita shqiptare, deputeti Skënder Rexhepi, deklaroi se ky propozim ligji ka për qëllim zgjidhjen e problemit me dekada të qytetarëve dhe nuk duhet të politizohet.
Në atë diskutim publik mund të ftohen më shumë institucione që janë kompetente për këtë tematikë, ata mund të ishin Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Komiteti i Helsinkit, shoqëri tjera dhe Agjenci shtetërore të specializuar në këtë temë, ose përfaqësues i Këshillit të Evropës përmes zyrës së tyre në Maqedoni”, pohoi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Mos t’i shohim ato hallexhi me përkatësi nacionale, ti shohim si qytetarë të cilët nuk i llogarit shteti se janë vendas apo se janë të këtij shteti, e në momentin që ne e zgjedhim , do të zgjidhim një padrejtësi me norma ndërkombëtare që u ndodh qytetarëve… Nuk duhet të prolongohet në asnjë mënyrë kjo mbledhje sepse jemi shumë vonë për ta sjellë në formë ligjore një nevojë eminente për të gjithë qytetarët tonë”, tha Skënder Rexhepi, ASH-AAA.
Kundër prolongimit të ligjit edhe deputetët e partive shqiptare në shumicë. Sipas deputetit të BDI-së Arbër Ademi, kuvendi duhet të fokusohet tek debati për amendamentet. Ndërsa deputeti i Lëvizjes BESA Fadil Zendeli thotë se kërkesa VMRO-DPMNE për debat publik është e vonuar.
Jemi në leximin e dytë dhe kërkoj konstruktivitet nga të gjitha partitë politike parlamentare, nga të gjithë deputetët në veçanti që janë sot në këtë seancë të këtij Komisioni e të vazhdojmë të procedojmë më tutje”, pohoi Arbër Ademi, BDI.
Është mirë që ta hapim debatin e këtyre amendamenteve dhe aty ti japim mendimet tona… Vlerësoj se nuk është momenti për të bërë debate politike, mendoj se tani ky propozim ligj e ka një histori të caktuar, kemi ardhur në një fazë të caktuar ku duhet të bisedohet rreth saj”, theksoi Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.
Nga ana tjetër partia “E majta” është plotësisht kundër këtij Ligji. Pas takimeve të shumta, pushteti dhe opozita shqiptare u dakorduan që Propozim Ligji të kalojë duke u plotësuar me 10 amendamente të përbashkëta. Pjesë e këtyre amendamente janë edhe shkurtimi i afatit për marrjen e shtetësisë, paraqitja e një dokumenti që dëshmon se personi ka banuar në Maqedoni si dhe obligimi i shërbimeve sekrete që për gjashtë muaj ti përgjigjet kërkuesit të shtetësisë. Komisioni vendosi që amendamentet tua shpërndaj për Shqyrtim deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe do të vazhdojë përsëri seancën, pa caktuar ditën e saktë. /Alsat M/