Nuredini: Fillon procedura për hartimin e Ligjit për mbrojtjen e tokës

    Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, sot ka hapur punëtorinë “Zhvillimi i rregullores për menaxhimin e tokës”, me të cilën ka filluar zyrtarisht procedura për hartimin e Ligjit për mbrojtjen e tokës.

    Siç informoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nuredini kumtoi se ministria resore ka filluar përgatitjen e një ligji të veçantë, i cili do të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen e tokës, politikat dhe masat e ardhshme që duhet të ndërmerren nga autoritetet kombëtare dhe lokale, dhe të cilët do të përcaktojnë qartë kompetencat institucionale dhe financimin lidhur me mbrojtjen e tokës.

    Ky proces mbështetet përmes projektit “Promovimi i Menaxhimit të Qëndrueshëm të Tokës, përmes forcimit të kornizës ligjore dhe institucionale, ngritja e kapaciteteve dhe Restaurimi i Peizazheve Malore më të cenueshme”, që financohet nga Fondi Global i Mjedisit (Global Environmental Facility – GEF) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (United Nation Environment Programme – UNEP), në kuadër të të cilët u mbajt kjo punëtori.

    Në këtë ngjarje u prezantua Plani për përfshierjen e palëve në hartimin e Ligjit për Mbrojtjen e Tokës, i cili do të ofrojë bazë për përfshirje transparente dhe publike të të gjitha palëve të interesuara në hartimin e ligjit. Gjithashtu, u diskutua edhe për sfidat rreth menaxhimit të tokës dhe presionet që ndikojnë negativisht në cilësinë e tokës.

    “Qëllimi i punëtorisë ishte identifikimi i të gjithë palëve që kanë autoritet mbi tokat dhe me veprimet e tyre ndikojnë në cilësinë e tokave, si një nga mediumet e mjedisit jetësor. Kjo është e para nga një seri punëtorish dhe debatesh që do të organizohen në kuadër të projektit, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e një kornize të mirë ligjore për mbrojtjen e tokës përmes një procesi transparent. Toka siguron bazën kryesore për jetesën dhe mirëqenien e njerëzve, duke përfshirë furnizimin me ushqim, ujë të ëmbël dhe shumë shërbime të tjera të ekosistemit, si dhe siguron ekzistencën e biodiversitetit. Përdorimi njerëzor ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e tokës në më shumë se 70% të sipërfaqes globale të tokës, duke mos përfshirë sipërfaqen nën akull. Toka gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në ndryshimet klimatike dhe menaxhimin e qëndrueshëm, dhe e njëjta mund të kontribuojë ndjeshëm në reduktimin e ndikimeve negative të faktorëve të shumtë stresues”, qëndron në kumtesë.

    Nga MMJPH-ja kumtojnë se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, toka mbetet i vetmi medium mjedisor që ende nuk është i rregulluar ligjërisht dhe që përdoret, para së gjithash si burim, pa vendosur masa që duhet të ndërmerren për shkak të menaxhimit dhe mbrojtjes së mirë të tokës.

    Lajmi Paraprak

    Bytyqi: Fatkeqësisht, 63% e të papunëve në RMV janë pa shkollë fillore

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski në takim me Geer: Procesi i skriningut po shkon mirë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë