Mospërditësimi i regjistrit të pedofilëve është hap prapa për Maqedoninë e Veriut

    Një i akuzuar në Tetovë duke u futur në Gjykatën Themelore në Tetovë / Foto nga arkivi

    Organizatat që në fokus kanë të drejtat e fëmijëve theksojnë se përditësimi i regjistrit të pedofilëve bëhet ngadalë dhe nuk arrin të sjellë rezultatet e pritura.

    Për ta problematike mbetet dhe ulja e dënimit për personat që kryejnë veprën penale dhe akte të tjera seksuale me fëmijë nën moshën 15-vjeçare.

    Këto vërejtje i argumentojnë me faktin se në regjistrin e pedofilëve akoma nuk figuron rasti i abuzimit të vajzës 9 vjeçe nga ana e fqinjit të saj 81-vjeçar nga Shkupi, banor i lagjes Kisella Vodë, të cilit më 6 tetor iu caktua masa e paraburgimit pasi dyshohet se ka kryer veprën “akte të tjera seksuale me fëmijë nën moshën 15-vjeçare”.

    Këto organizata thonë se në regjistrin e pedofilëve duhet të futen të gjithë personat në momentin që nis procedura gjyqësore ndaj tyre dhe jo të pritet vendimi përfundimtar i gjykatave.

    Ky regjistër përmes shfaqjes publike të personave që abuzojnë seksualisht me fëmijët e mitur, nga viti 2012 synon të parandalojë lëvizjen e tyre në afërsi të fëmijëve.

    Kontrolli i regjistrit mund të bëhet me emër dhe mbiemër, adresë ose qytet në të cilin publikohen fotografitë e të dënuarve, vendbanimi dhe dënimi që kanë marrë.

    Por Rita Beadini, aktiviste për të drejtat e grave, thotë për REL-in se regjistri është një e arritur sado e vogël teksa shton se duhet bërë më shumë që ai të jetë i dukshëm dhe të përditësohet në kohë.

    “Ky regjistër sado që nuk ka funksionuar si duhet, pasi disa herë nuk ka qenë funksional, gjë që e bën të vështirë qasjen deri tek ai që të merren informacione po nga ky regjistër, megjithatë ne jemi një hap para si shtet me instalimin e këtij regjistri, pasi jo çdo shtet e posedon atë”, konsideron ajo.

    Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila është përgjegjëse për këtë regjistër, theksojnë se janë duke punuar që bëhen ndryshime në mënyrë që ligji për regjistrat të jetë në harmoni me ndryshmet e bëra të Kodi Penal në fillim të këtij viti.

    Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, në shkurt të këtij viti, nocioni i mëhershëm juridik “Sulm seksual ndaj të miturit nën 14 vjeç” është zëvendësuar me veprën re penale “Përdhunim i fëmijës nën 15 vjeç”.

    Ndryshimet në Kodin Penal parashohin uljen e dënimeve për abuzuesit me fëmijët. Nëse aktet e tjera seksuale ndaj një të mituri nën moshën 14 vjeç më herët dënoheshin me të paktën 12 vjet burgim, tani dënimi minimal është 8 vjet burgim.

    Lidhur me këtë Rita Beadini vlerëson rritjen e moshës së personave të abuzuar ndërkohë për të problematike mbetet ulja e dënimit.

    “Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, sidomos uljen e dënimit për pedofilët, është një hap prapa për shtetin tonë. Përfundimisht mendoj se duhet të merret më seriozisht çështja e pedofilisë në vendin tonë pasi është një fenomen, edhe pse nuk flitet mjaftueshëm dhe nuk denoncohet mjaftueshëm në institucionet tona”, shton Beadini.

    Organizatat për të drejtat e fëmijëve theksojnë se sfidë mbetet mbrojtja kibernetike e fëmijëve pasi pedofilët nuk paraqesin vetëm rrezik nga afërsia fizike, por abuzuesit viktimat i shënjestrojnë përmes rrjeteve sociale. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Borrell: Ballkani Perëndimor sa “më afër” ta koordinojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në

    Lajmi i rradhës

    Ahmeti kundërshtarëve: as mos ëndërroni se mund të na fitoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë