Pavarësisht stereotipeve, gratë në RMV më të përgjegjshme se burrat në trafik

    Fatkeqësisht në shoqërinë tonë edhe sot ekzistojnë stereotipet. Pavarësisht përpjekjeve për t’i tejkaluar, ato përsëri janë pjesë përbërëse e jetës tonë dhe në shumicën e rasteve veprojnë në mënyrë diskriminuese. Një e tillë që po përballet çdo grua është sa i përket vozitjes. Makinat gjithnjë janë konsideruar hobi vetëm i meshkujve në të cilat femrat nuk kuptojnë dhe nuk duhet të ndërhyjnë. Para dy dekadash në shoqërinë tonë kishte shumë pak femra që ngisnin makinën dhe ato që donin të regjistronin testin dekurajoheshin duke ju thënë se është punë mashkullore dhe se nuk është e përshtatshme që një grua të vozis makinën. Edhe sot një numër i konsiderueshëm i njerëzve në shoqërinë tonë e mendojnë të njëjtën. Për ta femrat nuk janë shofere të mira nuk është për tu nënvlerësuar.

    Vitet e fundit prania e femrave në timon është krejt e natyrshme, janë tejkaluar paragjykimet se ka problem me vozitjen mbrapa ose me parkimin. Por ajo që i dallon shoferet femra sipas hulumtimeve dhe analizave është se ato janë shumë të kujdesshme në drejtimin e automjetit, janë më të përgjegjshme dhe i përmbahen rregullave më shumë. Sipas të dhënave të KRSKRR, kjo marrëdhënie vërehet në gjitha grup-moshat e drejtuesve të mjeteve.

    Statistikisht meshkujt janë më proporcional për tu përfshirë në aksidente veçanërisht në ato që janë të një natyre më të rënda. Sipas Dejan Andonoviq nga KRSKRR, statistikat tregojnë se femrat janë më pak pjesëmarrëse në incidente trafiku sesa meshkujt.

    “Gratë nuk janë pothuajse asnjëherë shkaktare të aksidenteve me viktima dhe të lënduar. Femrat që janë nëna janë edhe më të kujdesshme, ata respektojnë rregullat e vendosjes së rripit, vozitjes me fëmijët në një karrige sigurie, ata janë shofere shumë më të kujdesshme. Rrallë ndodh që policia të kap një grua në gjendje të dehur ose që drejton makinën me shpejtësi të madhe. Sipas asaj që unë di, nga 10 shoferë të paligjshëm, vetëm dy do jenë gra”, u shpreh Andonoviq.

    Teorinë se femrat janë më të duruara në timon e mbështesin edhe ekspertët. Drejtuesit meshkuj kanë më shumë vetëbesim, janë më të prirur për të rrezikuar dhe për këtë ata kanë më shumë gjasa të gabojnë. Ata nënvlerësojnë më shumë rrezikun në trafik. Analizat tregojnë se ndryshe nga gratë, burrat janë më shumë të njoftuar me pajisjet e sigurisë në automjete. Ata e dinë që ka kontroll elektronik të stabilitetit që ndihmon në parandalimin e aksidenteve me përmbysjen e automjetit, më mirë dinë të përdorin mjetet ndihmëse, janë më të qetë në rast të ndonjë aksidenti trafiku, menaxhojnë më mirë në një hapësirë të vogël me manovra të vështira, parkojnë më shpejtë, etj. Kjo është ajo që krijon perceptimin e rremë se burrat janë drejtues më të mirë se gratë.

    Në Maqedoni sipas KRSKRR afër 70-80% e viktimave në aksidente trafiku janë meshkuj, ndërsa 20-30% janë femra. Sjellja agresive nuk është karakteristikë e femrave, rrallë sheh një femër që nënvlerëson pasojat e drejtimit të një automjeti nën ndikim të alkoolit. Një anketë e KRSKRR vitin e kaluar tregon se 60% e femrave shofere në Maqedoni janë të bindura se janë shofere më të mira se meshkujt, 88% besojnë se sjellja agresive në trafik është karakteristik e meshkujve, 60% besojnë se meshkujt janë të papërgjegjshëm, 63% konsiderojnë se burrat dhe gratë janë pjesëmarrës të barabartë në komunikacion, dhe 37% besojnë se burrat janë dominues dhe nuk i respektojnë gratë në komunikacion.

    Sipas rezultateve të OBSH-së, 77% e vdekjeve në komunikacion shkaktohen nga meshkujt, si dhe rreth 72% e viktimave të aksidenteve janë meshkuj, dhe sipas të dhënave nga kompanitë botërore të sigurimit, rreth 80% e dëmeve të shkaktuara në sistemin e komunikacionit është bërë nga burrat. Hulumtimet tregojnë gjithashtu se meshkujt bëjnë më shumë shkelje në trafik. Sipas eksperimentit dallime mes burrave dhe grave ka në disa tipare si për shembull, më e dukshme është ndryshimi në fuqinë fizike i cili tek gratë është dy herë më i dobët se tek burrat, meshkujt janë më të qëndrueshëm dhe më të mirë sa i përket shpejtësisë së reagimit. Ndoshta mendim më autoritar për këtë temë është mendimi i një instruktori/e të drejtimit të automjetit pasi ata janë përgjegjës për trajnimin e përdoruesve të ardhshëm të trafikut. Zakonisht ata kalojnë kohën më të madhe të ditës së tyre në rrugë duke trajnuar kandidatët e tyre, kështu që ata përballen me të gjitha llojet e situatave.

    Sipas instruktorit R.G tashmë nuk mund që të bëhet një përgjithësim i tillë. “Drejtues më të mirë janë ata që kanë kulturë trafiku. Të dhënat se femrat janë shofere më të mira apo anasjelltas nuk mund që të merren më si të mirëqena pasi situata në realitet është krejt ndryshe. Përvoja ime ndryshe nga sa dihet, tregon ende se tani një nga karakteristikat kryesore të shofereve femra është padurimi”, u shpreh ai. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PËRJASHTIMI I GRUPIT TË ZJARRIT | Faton Ahmeti: Statuti i BDI parasheh që kryetari ka të drejtë të përjashtojë persona të caktuar

    Lajmi i rradhës

    Ganiu: Jemi më BDI se Artan Grubi, nuk e lëshojmë partinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë