Pushteti përpiqet t’i kontrollojë mediat në vazhdimësi

    Sa herë flitet për Ditën Botërorë të Lirisë së Medias na kujton nevojën për lirinë e medias në Maqedoninë e Veriut. Punonjës të medias për Nistori shprehin nevojën për gjendjen e lirisë së medias dhe revoltën për zvarritjen “qëllimisht” të propozim ligjit për sulm ndaj gazetareve, shkruan Nistori.

    Përkundër alarmit në raportet ndërkombetare për rastet e sulmeve verbale dhe fizike ndaj gazetareve, politika në vend nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e gjendjes. Kjo sipas ShGM-së ndodh për shkak të mungesës së nje propozim ligji për Kodin zgjedhor (draft-ndryshime) ku parashihen dënime më të ashpra për sulme të këtilla (ndaj gazetareve).

    MUNGESA E VULLNETIT POLITIK, PAMUNDËSON MBROJTJE TË GAZETARËVE

    Pse zvarritet miratimi i një Kodeksi që do te mbroje gazetarët, ndërkohë punonjësit mediatik ndihen çdoherë e më shumë të kërcënuar?

    Elida Zylbeari – Kryeredaktore në Portalb.mk

    “Mediat e lira mundësojnë që vendi të përparojë në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Europian, si dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Mediat patjetër të lihen të lira, ndërsa gazetarët të papenguar në punën e tyre. Mungesa e vullnetit politik në vend pamundëson mbrojte më të lartë të gazetarëve, duke lënë ligjet për mbrojtjen e tyre të pa-votuara në Kuvend. Kjo duhet urgjentisht të ndryshojë, Kuvendi duhet me urgjencë të caktojë seanca për diskutim për ndryshimet në Kodin penal ku sulmet ndaj gazetarëve vlerësohen si sulm ndaj zyrtarëve dhe parashihen dënime nga 3 muaj deri në 3 vite burg për kanosjen e një gazetari apo punonjësi të mediave. Këto ndryshime janë lënë shumë gjatë nëpër korridoret e Parlamentit duke shpërfillur kështu dëshirën dhe nevojën e shumë kolegëve tanë.” – deklaron Zylbeari për Nistori.

    Ajo thotë se, është koha e fundit që kreu politik në Maqedoninë e Veriut të kuptojë se e ka për detyre që gazetarëve t’u garantojë sigurinë në punën e tyre, vetëm në këtë mënyrë do të mund të demokratizohet.

    Njohësi i medias Sefer Tahiri për Nistori thotë se nevoja për ndryshimet ligjore duhet të aprovohen sa më shpejtë. Sipas tij, mos votimi i ligjit dhe hyrja në fuqi për sulm ndaj gazetarëve është mungesë e vullnetit politik.

    “Sulmet ndaj gazetarëve duhet të konsiderohen njësoj si ato që u bëhen personave zyrtarë ne detyrë, andaj ndryshimet ligjore duhet të aprovohen sa më shpejtë! Nuk mendoj se zvarritja është e qëllimshme, por më shumë është mungesë e vullnetit politik që të drejtave të gazetarëve dhe mediave tu qasen me seriozitet më të madh.” – shton Seferi.

    Rangimi sa i përket lirisë së mediave sipas Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 57-të nga gjithsej prej 180 shteteve të botës. Edhe sipas Freedom House media dhe shoqëria civile marrin pjesë në diskursin e fuqishëm publik, mirëpo gazetarët dhe aktivistët ende përballen me presion dhe frikësim.

    EDUKIMI MEDIATIK, NEVOJË E DOMOSDOSHME

    Sipas gazetarit Adrian Kerimi, Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar aspak përparim mbi lirinë e mediave, pasi indeksi vjetor në këtë fushë çdo vit është më i keq.

    “Mund të them se ka përparim të dukshëm në pavarësimin e gazetarëve. Gjeneratat e reja po tregojnë një qasje të mirë profesionale në temat me interes publik dhe në betejat për të mbrojtur interesin publik. Kjo jep shpresë që në të ardhmen, mediat të cilët do të udhëhiqen nga këto kuadro të jenë të lira, të pavarura, konstruktive, kritike dhe objektive. Nevojitet akoma punë për gjeneratat të tilla duke filluar nga ato më të reja dhe në këtë drejtim mendoj se edukimi mediatik nga shkollat e mesme është mëse i nevojshëm si asnjëherë më parë.” – shprehet Kerimi.

    AUDEINCA KA NEVOJË PËR TË VËRTETËN DHE PËR ASGJË TJETËR

    Gazetari Senat Zylbehari për Nistori shprehet se, gazetaria në terren është një kënaqësi e veçantë, sepse bart hallet, por edhe zgjidh problemet e qytetarëve, sidomos kur punon në vendin ku edhe je lindur dhe rritur. Por, sipas tij, ky mision ka edhe peripecitë e veta.

    “Puna e gazetarit llogaritet ndër punët më me rrezik dhe kur e them këtë, kam parasysh të raportuarit e problemeve të ndryshme, keqpërdorimet që bëjnë institucionet, lënia pas dore e punëve që duhen realizuar, mosmbajtja e premtimeve nga krerët e institucioneve, etj. Pra, gazetarët raportojnë për personat që kanë pushtet dhe këtu dihet se presioni i gazetarëve është i madh, pasi që hakmarrja apo shantazhet janë evidente. Në punën time 14 vjeçare si gazetar, kam pasur presione të ndryshme, kam pasur kërcënime qoftë të drejtpërdrejta, por edhe në mënyrë indirekte. Si zakonisht janë të formës “bëje, por e sheh se çfarë do të gjejë”, por mund të them se veçmë jam bërë imun ndaj tyre. Mendoj se audienca ka nevojë për të vërtetën dhe për asgjë tjetër.” – deklaron Zylbehari.

    POLITIKA, ME ÇDO KUSHT PËR TA VËNË MEDIAN NËN KONTROLL

    “Gazetarët e mirëfillitë mezi gjejnë punë”
    Zoran Dimovski

    Gazetari Zoran Dimovski thotë se media në RMV është bërë gjithnjë e më shumë e varur ekonomikisht nga qendrat e larta të pushtetit, gazetarët e papaguar dhe ashtu si në çdo sektor nëse jeni i pafuqishëm ose i varur financiarisht nga dikush, atëherë liria vetë humbet.

    “Nëse flasim për gazetarë të mirëfilltë, ata nuk mund të zgjedhin ku të punojnë, sepse mezi gjejnë punë, të cilëve vendet e tyre të punës janë të mbushur me kuazi-gazetarë dhe atë punë që e gjejnë nuk u paguhet sa duhet. Poashtu, një numër i madh i gazetarëve janë pa status pune, pra pa sigurim, kështu që çdo ditë pune pronari mund t’u thotë që nuk më duheni më, nuk mund t’ju paguaj. Prandaj gazetarët, veçanërisht korrespondentët (reporterët), janë vazhdimisht në teh, të frikësuar për vendin e tyre të punës. Dhe pikërisht kjo është ajo që çdo frikë sjell pasiguri dhe pasiguria nuk sjell liri. Dobësitë e mësipërme janë rezultat i shkatërrimit të qëllimshëm të mediave, pra humbjes së pushtetit dhe dinjitetit të tyre, si dhe pasigurisë ekonomike, për të fituar më shumë kontroll nga qendrat e pushtetit. Por, edhe rrjetet sociale tashmë e kanë bërë të veten, tashmë marrin nga kolaçi i vogël ekonomik që shteti dhe sektori privat ndajnë për median. Por, pyetja është se ku përfundon ajo pjesë e tortës, te mediat e vërteta, apo tek ata që janë në favor të një qeverie apo tjetrës dhe kështu humbet më së shumti liria e mediave.” – shton ndër të tjera Dimovski.

    Edhe pse ka progres në aspektin e lirisë së mediave të mbështetur nga shifrat zyrtare ku Maqedonia këtë vit është në vendin e 57-të në Indeksin Botëror të Reporterëve pa Kufij, me një progres prej 33 vendesh nga viti 2021, kur ishte në vendin e 90-të, mendimi është se, hartimi i një kornize ligjore për mbrojtjen e gazetarëve dhe financimi i tyre larg kanaleve të pushtetit është më se i nevojshëm për një liri të mirëfilltë në media. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski: Nuk kam frikë të shkoj në zgjedhje, Kovaçevski po ikën nga zgjedhjet e parakohshme

    Lajmi i rradhës

    Si ishte Kievi para luftës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë