Riemërimi i rrugëve në Tetovë, pa Badenter?

    Qendra e Tetovës/Fotografia: Nistori

    Ditëve të fundit sërish është aktualizuar çështja e ndryshimit të emrave të rrugëve, shesheve, bulevardeve dhe shkollave. Tashmë ka një propozim nga ana e Shoqatës së Akademikëve Shqiptarë drejtuar komunës së Tetovës me propozime konkrete të emrave, ndërsa nga ana tjetër raportohet se sipas regjistrimit të fundit maqedonasit janë 18.3 për qind dhe rrjedhimisht nuk do të duhet që në këshill të kalojë ky propozim me parimin e Badenterit. Nga komuna e Tetovës thonë se pritet momentum më i favorshëm që të vihet në rend dite një propozim I tillë në seancë të këshillit të komunës.

    Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës, Besar Durmisi është shprehur se do të presin propozime edhe nga shoqatat tjera që nëse kanë propzime konkrete.

    “Më pastaj do të ulemi dhe do të bashkëbisedojmë me të gjithë koordinatorët e grupeve të këshilltarëve të partive politike që e përbëjnë këtë këshill komunal, ndërsa do të bisedojmë edhe me qytetarët për rrugët që do të emërohen apo riemërohen. Mund të kemi situatë kur për një rrugë të kemi më shumë propozime dhe do të gjejmë konsensus dhe emër më të përshtatshëm për atë rrugë”, tha Durmishi.

    Pas arritjes së propozimeve, komuna e Tetovës planifikon të themelojë një komision që do të bëjë shqyrtimin e propozimeve. Nëse nuk ka propozime atëherë mendoj se më herët do të arrijmë që ta vendosim në rend dite këtë propozim, nënvizon Durmishi. Krahas kësaj, pritet që të shqyrtohet edhe vendimi i mëhershëm I këshillit të komunës për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë.

    “Ka një vendim të këshillit në vitet e mëparshme që janë riemëruar disa rrugë në Tetovë, por nuk e di se pse nuk është implementuar ai vendim nga të gjitha institucionet, pra që fillimisht ndryshimet të bëhen nga ana e kadastrës së qytetit dhe më pas të procedohet ai vendim edhe më tutje. Ne edhe atë vendim do ta shqyrtojmë të shohim se ku janë ngecjet dhe se çka duhet të bëhet më tutje”, tha Durmishi.

    Përderisa partitë maqedonase janë kundër ndryshimit të emrave të rrugëve në Tetovë, ku emrat aktual aspak nuk kanë të bëjnë me realitetin etnik, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se pas shqyrtimeve të propozimeve të arritura do të vihet në rend dite çështja e ndryshimeve të emrave. Ai ftoi edhe partitë maqedonase të jenë pjesë e këtij procesi sepse do të duhet që të propozojnë emra të rrugëve. Nga ana tjetër partitë politike maqedonase insistojnë se ndryshimi i emrave të rrugëve nuk është prioritet i tyre dhe se prioritetet e tyre janë problemet infrastrukturore të qytetit të Tetovës. Nga ana e komunës së Tetovës, presin që brenda këtij viti të hapet edhe kjo temë por se a do të vihet si rend dite në seancë ende nuk dihet. Krahas kësaj, çështja e Badenterit do të duhet që të diskutohet edhe me jurist se a do të vlejë ose jo. /koha/

    Lajmi Paraprak

    NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Alternativa – ASh-së: Pse nuk e pranoni amendamentin për luftimin e korrupsionit politik?!

    Lajmi i rradhës

    Lloga: Të ndëshkohet kryetarja e Gjykatës në Kumanovë ose edhe mua të më drejtohet me “shiptar”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë