Sallat e dasmave në RMV, të rezervuara deri në 2024!

    Dita më e bukur e jetës për shumë të sapomartuar mund të kthehet në një telashe të vërtetë nëse rezervimin e restoranit e lënë pak muaj para dasmës. Gjithçka është e rezervuar paraprakisht një vit para, apo edhe më shumë. Dasmat mbahen gjithnjë e më shpesh gjatë ditëve të javës. Çmimet e menyve të ushqimit janë një histori më vete. Pronarët e restoranteve thonë se përkundër rritjes drastike të çmimeve të ushqimeve, çmimet e tyre janë rritur maksimumi për pesë euro për person. “Këtë biznes familjarë e bëjmë tash e njëzetë vite. Unë i menaxhoj vetë rezervimet, mund të them që përveç kohës së pandemisë, në çdo sezonë tjetër verore numrin e rezervime e kemi pasur të stërmbushur”, thotë menaxherja e një salle dasmash në Kumanovë e cila deshti të mbetej anonime.

    Ajo gjithashtu shton se çmimet janë të përballueshme për xhepin e secilit. Çmimet janë të ndryshme, por në krahasim me vendet fqinje si Kroacia dhe Serbia, çmimet tona janë shumë të ulëta. “Shembull në Serbi, një restorant mesatar ofron një menu prej 45 euro për person. Në Kroaci çmimet janë shumë më të larta, nga 60 në 90 euro. Çmimet e dasmave atje i kalojnë 20.000 euro dhe për të njëjtin numër të ftuarish paguajmë rreth 9.000 euro”, thotë ajo.

    Një qytetar tjetër ka potencuar se e kishte shumë të vështirë të gjente një sallë dasmash të lirë për ta rezervuar atë për dasmën e tij. “Ne martohemi në korrik ndërsa para vitit të ri e rezervuam sallën e dasmës. Kemi kërkuar nëpër të gjithë qytetin dhe mezi e gjetëm një sallë të lirë për atë datë, edhe atë disa kilometra larg qytetit”, tha ai.

    Fakti që dasmat mbahen në masë gjatë periudhës së verës e vërtetojnë edhe të dhënat e Entit të Statistikave. Sipas njoftimit të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, janë lidhur 13.337 martesa dhe krahasuar me vitin paraprak numri i tyre është rritur për 29.8%. Më së shumti martesa, 1981 ose 14.9%, janë lidhur në muajin gusht, dhe më së paku në muajin prill, 667 ose 5,1%. Më e shpeshta është martesa e parë me pjesëmarrje prej 94.0% për femrat dhe 93.3% për meshkujt. Në martesën e dytë me pjesëmarrje 6.2% dhe në martesën e tretë me pjesëmarrje prej 0.6%, në numrin total të martesave hyjnë më shpesh meshkujt. Në vitin 2021 numri më i madh i martesave është lidhur në grupmoshën nga 25 deri në 29 vjeç, pra 4392 ose 32.9% për femrat dhe 4959 martesa ose 37.2% për meshkujt. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Sa u europianizua rajoni?

    Lajmi i rradhës

    Shtëpitë me arkitekturë tradicionale drejt zhdukjes!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë