SEANCA E 10-TË GJYQËSORE E SPITALIT MODULAR NË TETOVË | Ekspertët: Nuk kemi mundur ta bëjmë kontrollin e instalimit të rrymës, sepse spitali ishte plotësisht i djegur

    *Foto Arkiv / Të akuzuarit për rastin në spitalin modular në Tetovë / Fotografia: Fisnik Xhelili

    Sot në seancën e 10-të gjyqësore për tragjedinë në spitalin modular, dëshmuan dy ekspertë të instalimit elektrik dhe dy infermiere të Spitalit klinik të Tetovës që kanë qenë pjesë e Qendrës për Kovid-19 në atë kohë. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 6 prill dhe sipas gjykatës, nëse shkohet me këtë ritëm të seancave, vendimi pritet të jepet edhe pas dy apo tre seancave gjyqësore, raporton Nistori.

    Vllatko Stoilkov nga Fakulteti Elektroteknik i Shkupit tha se instalimi i rrymës elektrike KA qenë në përputhje me rregulloren.

    “Furnizimi me energji elektrike ka qenë në përputhje me rregulloren. Sa i përket instalimit, nuk kemi mundur ta bëjmë kontrollin në vend në vetë spitalin modular në Tetovë sepse ishte djegur plotësisht. Kemi inspektuar dy spitale të tjera modulare në Gostivar dhe Kavadar, në të cilët kemi kontrolluar nëse pajisjet përputhen me projektin dhe kemi konstatuar se spitalet modulare janë ndërtuar në përputhje me ligjin”, dëshmoi eksperti Vllatko Stoilkov nga Fakulteti Elektroteknik i Shkupit.

    Në seancë deklaruan infermieret Daniella Simjanovska dhe Fluturije Islami. Ato ishin në cilësinë e dëshmitarëve, të thirrura nga mbrojtja e të akuzuarit të tretë, mjekut Boban Vuçevski.

    “Nuk mund t’ju them se kush ishte krijuesi i spitalit modular. Kryeinfermierja më thirri dhe më tha që do të punësohem në spitalin modular, gojarisht. Kisha vënë re aparate zjarrfikëse dhe në derën e hyrjes së modularit ishte shkruar “ndalohet hyrja e personave civilë”, dëshmoi një nga infermieret.

    “Ishim shumë të zënë, mendoj se kishte makineri PP në dhomën e personelit mjekësor dhe kishte një tabelë në derën e përparme të spitalit modular që thoshte se ndalohet hyrja”, dëshmoi një infermiere tjetër.

    Ndryshe, vërejtja e gazetarëve sot ishte se hasin në vështirësi për të dëgjuar dëshmitarët dhe avokatët dhe prokurorët që prezantojnë në seancë, kjo për shkak se nuk punojnë mikrofonët e sallës së gjyqit. Ky problem i ka shoqëruar gazetarët në 10-të seancat e kaluara. Gjykatësi udhëheqës i rastit u arsyetua se “këto janë kushtet”.

    Çfarë ndodhi në seancat e kaluara gjyqësore?

    SEANCA I

    SPITALI MODULAR | Besimi: I besoj sistemit gjyqësor, e vërteta do të dëshmohet

    Sot (06.09.2022) në Gjykatën Themelore në Tetovë filloi gjykimi për lëndën K nr. 450/22, gjegjësisht për djegien e spitalit modular. Seanca përsëri u shty për më 14 tetor, pasi mungonin dy nga gjithsej tre të akuzuarit. Në seancën gjyqësore, i pranishëm ishte vetëm i akuzuari Florin Besimi, ish-drejtor në Spitalin e Tetovës, raporton Nistori.

    “Të gjithë atë çka kam ta them për këtë proces gjyqësor të rastit tragjik, do ta them para gjykatës. Ju lus juve që të përcjellni këtë rast për shkak se unë personalisht besoj në sisitemin gjyqësorë dhe jam i bindshëm se e vërteta do të dëshmohet”, deklaroi para mediumeve Florin Besimi ish-drejtor i Spitalit të Tetovës.

    Besimi kërkoi nga gazetarët që të jenë të vëmendshëm dhe të kenë durim deri në fillimin e procesit gjyqësorë sepse ai është i bindur se do me fakte dhe argumente do të dëshmohet e vërteta.

    SEANCA II

    Besimi: Me faktet që i posedoj, do ta dëshmoj pafajësinë time

    Sot u anulua për së dyti herë seanca gjyqësore për vdekjen e 14 pacientëve në rastin tragjik në spitalin modular të Tetovës, të cilët po trajtoheshin nga Covid-19. Arsyeja e e anulimit ishte se dy të akuzuarit, Boban Vuçevski (mjek) dhe Artan Etemi (ish-drejtor ekonomik i Spitalit të Tetovës), gjë për të cilën nuk ishin të njohur se duhej të kishin avokat mbrojtës, shkruan Nistori.

    Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi i akuzuar për djegien e spitalit modular në Tetovë sot para medias deklaroi se, pafajësinë e tij do ta dëshmojë kur të fillojë gjykimi.

    “Ju lus që të përcjellni këtë proces gjyqësor, pasi që unë besoj se me faktet të cilët do të vërtetohen, do të dëshmoj pafajësinë time për këtë proces për këtë ngjarje tragjike. Për këtë ka dëshmi të pakontestueshme, të cilat gjatë procesit gjyqësor do t’i shpalosim. Andaj shpresoj se, së shpjeti do të fillojë ky proces gjyqësor dhe do të mbarojë.” – deklaroi Besimi.

    E vërteta është se në rastin tragjik kanë vdekur 14 pacientë të prekur nga Covid-19. I pyetur nga Nistori se çfarë të vërtete pret ai që të vërtetohet për 14 të vdekurit në spitalin modular të Tetovës më 8 shtator të vitit 2021. Ai tha se të gjithë dëshmitë do të shpalosen para gjyqit.

    “Ju thash që ta përcillni procesin gjyqësor dhe gjithçka që kemi dhe këto dëshmitë e pakontestuara do t’i përcjellim atje.” – shtoi Besimi.

    Ndryshe, Vuçevski dhe Etemi nuk pritën të përgjigjen para medias dhe menjëherë u larguan nga hapësirat e Gjykatës së Tetovës.

    Seanca e parë u shty, sepse mungonin dy të akuzuarit: Etemi dhe Vuçevski, ndërsa i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori Besimi.

    Gjykatësi i cili udhëheq me lëndën, Jordan Velkovski, e caktoi seancën e radhës për me 8 nëntor 2020 në ora 10:00.

    Pas rastit tragjik u dorëheqje si akt moral dhanë drejtori i Spitalit të Qytetit, Florin Besimi, drejtori ekonomik, Artan Etemi dhe zëvendësministri i ministrisë së Shëndetësisë, por Qeveria nuk pranoi largimin e Venko Filipçes i cili aso kohe drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

    Piramida e përgjegjësisë nga ana e organit të akuzës është ndarë në përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë. /Nistori/

    SEANCA III

    Përsëri anulohet seanca gjyqësore për spitalin modular, Besimi: Mezi pres të dëshmojë pafajësinë time të pakontestueshme

    Është anuluar seanca e tretë gjyqësore për tragjedinë në spitalin modular, sepse mungonte avokati i të akuzuarit Boban Vuçeski, ndërsa gjykatësi që udhëheq lëndën, Jordan Velkovski e paralajmëroi të akuzuarin Vuçevski, se seanca e ardhshme do të zhvillohet pa avokatin e tij, nëse një gjë e këtillë përsëritet, shkruan Nistori.

    Pas mbarimit të seancës pritej të prononcoheshin të akuzuarit, por mjeku Vuçeski dhe ish-drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës, Artan Etemi u larguan me shpejtësi nga mediat. Ndërkohë, Besimi tha se mezi pret të fillojë gjykimi dhe të dëshmojë pafajësinë e tij.

    “Mua nuk më mbetet asgjë tjetër, përveç se atë që e kam thënë më herët, dëshira ime e vetme është që ky proces të filloj sa më shpejtë, që të më jepet mundësia të dëshmoj pafajësinë time të pakontestueshme në procesin gjyqësor dhe për atë të njoftohet edhe opinioni publik”, deklaroi Florin Besimi.

    Seanca e ardhshme u caktua më 7 dhjetor 2022 në ora 10:00. Kjo është seanca e tretë që anulohet, sepse dy të akuzuarit Boban Vuçevski (mjek) dhe Artan Etemi (ish-drejtor ekonomik i Spitalit të Tetovës), nuk ishin të njohur se duhej të kishin avokat mbrojtës.

    SEANCA IV

    Anulohet seanca e katërt gjyqësore për spitalin modular, Besimi: Dëshmitë do ta vërtetojnë pafajësinë time

    Edhe seanca e katërt gjyqësore për zjarrin në spitalin modular të Tetovës u shty për shkak të reagimit të avokatëve mbrojtës, sepse ata kërkonin nga Prokuroria Publike që materialet që dëshmojnë për rastin duhet të sqarohen në detaje – dëshmitë të përmbajnë formën e kërkuar, raporton Nistori.

    Për një gjë të tillë është pajtuar edhe prokurori publik duke e konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e ka shtyrë atë. Afati u rregullua me kërkesë të palëve.

    Nga ana tjetër i akuzuari dhe njëherit ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi për Nistori e ka përshëndetur fillimin e procesit gjyqësor për tragjedinë në spitalin modular. Ai nuk e pranon akuzën dhe se do ta dëshmojë pafajësinë e tij.

    “Ky fillim i procesit për mua është shumë i rëndësishëm dhe kjo do të thotë mundësi për dëshmimin e pafajësisë time lidhur me këtë rast tragjik! Ajo çka pres nga ky proces gjyqësor është mundësimi i paraqitjes së të gjitha dëshmive materiale, por dhe dëshmitarëve të cilat pa asnjë dyshim do të vërtetojnë pafajësinë time.” – deklaron Besimi.

    Seanca e ardhshme për fatkeqësinë në spitalin modular do të mbahet më 27 dhjetor të këtij viti.

    SEANCA V

    Prokuroria i prezantoi provat kundër të akuzuarve për zjarrin në Spitalin Modular, avokatët i kontestuan

    Seancën e pestë, të mbajtur me 27 dhjetor Prokuroria Publike e Tetovës i prezantoi titujt e provave të shkruara të cilat janë të përfshira në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Avokatët e të akuzuarve kërkuan që përveç leximit të titujve të sqarohen edhe provat e ofruara, ata theksuan se në listën e dëshmive mungojnë tituj si dhe disa nga to janë me mangësi. Pas paraqitjes së provave të shkruara, gjykatësi e shtyu seancën kryesore të vazhdojë me 16 janar. Në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria. Seancën e radhës pritej që dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të dëshmojnë gojarisht.

    SEANCA VI

    Gjashtë seanca të anuluara për tragjedinë në Tetovë | Familjarët: Kush mba përgjegjësi për 14 shpirtrat e të vdekurve! (Video)

    Sot në Gjykatën Themelore në Tetovë para se të mbahet seanca e gjashtë gjyqësore për të akuzuarit në tragjedinë në ish-spitalin modular në Tetovë, familjarët e viktimave kanë kërkuar drejtësi. Sipas tyre, edhe pse nuk besojnë në sistemin gjyqësor, por shpresojnë që gjykimi të ketë epilog të drejtë, raporton Nistori.

    “Ne familjarët e viktimave, jemi mbledhur këtu për të parë si funksionon drejtësia e këtij shteti, por siç shihet drejtësi nuk ka. Akuzohen njerëz që duhet të akuzohen, por ka edhe të tjerë që duhet të akuzohen. Sipas nesh duhet të jetë këtu edhe ish-minsitri edhe shumë të tjerë pas atij. Është një zinxhirë shumë i gjatë i të akuzuarve. I kanë zgjedhë tre persona, seancat gjyqësore anulohen vazhdimisht. Ne si familjarë kemi ardhur për të dëshmuar se çfarë ka ndodhur në atë spital.” – deklaroi Mumin Ismaili, djali i cili e humbi nënën në natën tragjike.

    Sipas tij, ata do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi edhe pse nuk i besojnë sistemit gjyqësor, kjo duke marrë parasysh edhe rastet tjera të ashtuquajtura të montuara. Familjarët nuk i kanë humbur shpresat, madje do të kërkojnë hetim ndërkombëtar.

    Nga ana tjetër edhe Ibin Emshi – familjari i cili humbi babain dhe vëllaun përderisa trajtoheshin në Kovid qendrën në Tetovë tha se a ka nevojë hetim ndërkombëtar përderisa kemi faktin se spitali u dogj për tre minuta.

    “Sipas këtij shteti, a ka nevojë për hetim ndërkombëtar kur një spital digjet për tre minuta, kurse drurin po e fute në zjarr nuk digjet për tre minuta. Këtu nuk ka edhe logjikë për të kërkuar hetim ndërkombëtar. Për tre minuta u bë shkrumb spitali. Drejtësia këtu është zero. Një vit e gjysmë po përgatitet lënda, pse anulohen seancat gjyqësore, dëmi është bërë, ndërkaq përgjegjësit shëtiten në liri. Kush do të marrë përgjegjësi për këto 14 shpirtëra” – pyeti Emshiu, familjar i dy viktimave.

    Edhe pse familjarët e viktimave ishin të pranishëm në seancë për të dëshmuar në Gjykatën Themelore të Tetovës, seanca u anulua përsëri për shkak se i akuzuari ish-drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës Artan Etemi nuk ishte i pranishëm, sepse ka pasur rast vdekje dhe nuk është në gjendje të mirë psiko-emocionale. Seanca e radhës pritet të mbahet më 31 janar.

    Ndryshe, një grup njerëzish kishin dalë për të mbështetur të akuzuarin doktor Boban Vuvçeski, me arsyetimin se ai nuk është fajtor dhe përgjegjës për tragjedinë e 8 shtatorit 2021.

    SEANCA E SHTATË PËR SPITALIN MODULAR NË TETOVË

    Sot në seancën e shtatë gjyqësore për zjarrin në spitalin Modular në Tetovë fjala ishte edhe për dëshmitarët e rastit. Me propozim të Prokurorisë, dëshmuan dy mjekë, një motër medicinale dhe dhe katër familjarë të viktimave, njofton Nistori.

    Mumin Ismaili, familjar i viktimës në tragjedinë e 8-të shtatorit 2021
    “Ne dhamë deklarata (në seancën gjyqësore). Kishte provokime nga prokurorët në rastim tim. Si dhe pse jam gjendur brenda në spital. Ajo dihet pse kemi qenë aty në spital, pasi dihen rrethanat në spitalet e RMV-së. Çdo familjar i ka qëndruar afër në dhomë familjarit të vet. Unë me nënën kam qëndruar 28 ditë (në spitalin modular)…Nuk na ka thënë askush (nga personeli, se dikush duhet të qëndrojë afër familjarëve). Ka qenë e ditur, patjetër është dashtë të qëndrojmë afër familjarëve tonë, sepse nuk ka pas shërbim. Ekip mjekësor ka pas vetëm tre modra medicinale, ndërsa pacientë ka pas: gjashtë dhoma nga gjashtë krevatë, 36 pacientë. Ata pacientë kanë pas nevojë për ndihmën tonë në çdo minutë dhe sekondë.” – deklaroi Ismaili, familjarit të cilit i vdiq nëna në rastin tragjik të 8 shtatorit.

    Ismaili shpreson se do të zbardhet rasti dhe se është në rrugën e duhur për të kërkuar drejtësi.

    Në seancën e sotme, dëshmuan edhe mjeku Mustafa Tahiri dhe Shpenza Arifi të cilët kanë qenë në ndërrim natën kur ka ndodhur zjarri në Spitalin modular.

    “Fillimisht kam tentuar të ndaloja zjarrin më batanijet e pacientëve e më pas dola për të kërkuar kofe me ujë që nuk gjeta”, tha Tahiri.

    Shpenza Arifi e cila ka qenë në ndërrim me mjekun Mustafa Tahiri tha se kishte kërkuar nga motrat që të sillnin aparate kundër zjarrit por nuk kishin gjetur.

    Sipas dëshmive zjarri kishte shpërthyer fillimisht te koka e pacientes dhe murrit e më pas ishte përhapur gjithandej. Pacientja kish qenë e shtruar për një periudhe aty ndërsa ishte me nevoja të posaçme. Me te kishin qëndruar dhe familjare të saj për shkak të gjendjes së saj të rëndë shëndetësore.

    Gjate seancës dëshmoi gjithashtu dhe nëna e njërit nga të mbijetuarit. Fillimisht ajo tha se kishe dëgjuar britma dhe piskama si dhe kishte parë motra të cilat ishin munduar me shishe me ujë të ndalojnë përhapjen e zjarrit. Gjate dëshmisë ajo tha se kishte qëndruar 4-5 dite me gjithë djalin në Spitalin modular megjithëse potencoi se shumicën e kohës kishte qëndruar dhe në ambientin e jashtëm të Spitalit që të mos bëhet e bezdisshme gjithë kohës brenda modularit. Tha se jam kujdesur për djalin ta ushqej ta pastroj, ta mbathë dhe kam dalë jashtë hapësirave. Ajo shtoi se nuk ishte penguar nga personeli qe t’i qëndroje afër të birit.

    Ndërkohë një tjetër dëshmitaret e natës së 8 shtatorit 2021 tha se kishte qëndruar për 28 ditë me radhë me bashkëshortin brenda modularit të Tetovës dhe se askush nuk e kishte ndaluar as të hynte as te dilte e të qëndronte për tu kujdesur për bashkëshortin e saj. Ajo deklaroi se nuk ka pasur roje te dera e modularit. Në dhomën 5 ku ka qëndruar së bashku me bashkëshortin thotë se ka pasur edhe disa familjarë tjerë të pacientëve të cilët kane qëndruar rregullisht aty.

    “Momentin kur pash zjarrin shkova ta shpëtoj burrin po dikush e mbylli derën dhe ndërsa ajo u shkri nga zjarri. Burrin e hoqa nga krevati dhe e lëshova poshtë sepse nuk munda të arrijë ta shpëtojë, ndërsa unë kërceva nga dritarja. Askush nuk na thonte mos hyni, sepse pacientët kishin nevoje për ne”, tha dëshmitarja.

    Ndryshe, seanca e ardhshme do të mbahet më 16 shkurt dhe pritet të jetë gati edhe ekspertiza.

    SEANCA E TETË PËR SPITALIN MODULAR NË TETOVË

    Sot në Gjykatën Themelore në Tetovë u zhvillua seanca e tetë gjyqësore për natën tragjike në spitalin modular në Tetovë, e cila ndodhi më 8 shtator 2021 ku vdiqën 14 persona. Sot dëshmuan dy infermiere, prindër të viktimave, dy të afërmë të personave që kanë marrë trajtim spitalor, si dhe tre ekspertë. Gjithashtu sot përfunduan dëshmitë nga dëshmitarët e caktuar nga Prokuroria, përveç njërit që duhet të ftohet në seancën e radhës më dy mars, raporton Nistori.

    Infermieret që dëshmuan rrëfyen rastin dhe thanë se e gjitha ndodhi brenda 2-3 minutave. Pavarësisht se ka pasur aparate kundër zjarrit, por nuk kanë arritur në atë tollovi nga zjarri dhe tymi të bëjnë diçka, pasi kanë dalë jashtë për të kërkuar ndihmë dhe nuk kanë arritur t’iu vijnë ndihmë personave që kanë qenë të shtrirë në modularen.

    Familjarët thanë se gjatë kohës së zjarrit nuk kanë parë aparate kundër zjarrit. Poashtu potencuan faktin se askush nuk ua ka ndaluar frekuentimin në spital dhe nuk kanë parë madje as shenjë për ndalim të personave të paautorizuar.

    Gjykatës iu drejtua inxhinieri elektroteknik, Rubin Boshkovski i punësuar në Departamentin e Ekzaminimit dhe Ekspertizës Kriminalistiko-Teknike në MPB, i cili si kryeinspektor në Departamentin e Zjarrit, Shpërthimeve dhe Mjeteve Shpërthyese, mori pjesë në inspektim së bashku me përfaqësues të SPB Tetovë dhe Prokurorisë më 9 shtator 2021.

    Ai ka shpjeguar se si ka nisur zjarri, për të cilin është bërë edhe analiza laboratorike. Është konstatuar se kablloja zgjatuese që ka marrë flakë më herët ka pasur dëmtime mekanike.

    Gjithashtu dëshmoi edhe profesoresha Anita Grozdanova nga Fakulteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë, e cila shpjegoi materialet që përbënin spitalin modular dhe si dhe profesori Sveto Cvetkocki. 

    Gjykimi do të vazhdojë më 2 mars me dëshminë e një tjetri ekspert të propozuar nga Prokuroria, pas së cilës do të paraqiten provat me shkrim të propozuara nga mbrojtja.

    Para fillimit të gjyqit në orën 09:00AM para gjykatës protestuan një grup njerëzisht për të mbështetur mjekun Boban Vuçevski, i akuzuar në rastin tragjik ku vdiqën 14 persona.

    Gjyqi për zjarrin e ndodhur më 8 shtator 2021, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën dhjetë, filloi më 7 dhjetor 2022.

    SEANCA E NËNTË PËR SPITALIN MODULAR NË TETOVË

    Instalimi i rrjetit të energjisë elektrike në Spitalin Modular të Tetovës është bërë në mospërputhje me rregullat e parapara. Kështu, ka deklaruar eksperti i elektrikes Irfan Shaqiri, gjatë dëshmisë së tij në gjyqin për zjarrin në Spitalin Modular. Shaqiri i cili ka kryer hetime një ditë pas zjarrit, tha se procedura e instalimit të rrymës ka qenë joadekuate dhe pa respektuar standardet evropiane, ndërsa nuk ka asnjë elaborat lidhur me procedurën.

    “Kyçja e objektit në largpërçues është bërë nga dy elektricist të punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës, pra nuk ka qenë elektricist dhe nuk kanë pasur asnjë dokument ose elaborat për këtë rast. Puna nuk është mbikëqyrur nga inxhinier me licencë nga Oda e Elektricistëve. Instalimi i rrymës është bërë pa asnjë dokument dhe se çfarë kabllo duhet të vendoset në bazë të rregullave. Rryma është vendosur në bazë të udhëzimeve nga elektricistë më të vjetër, por edhe nuk ka pasur as udhëzues dhe skemë se si do të instalohet rryma. Po ashtu edhe kablloja është vendosur pa standarde”. tha Irfan Shaqiri, ekspert.

    Në seancë gjyqësore u paraqit edhe dëshmitarja Ollgica Delevska, e cila tha se natën kritike kur ka shpërthyer zjarri ishte në spital me bashkëshortin e saj, ndërsa brenda nuk ka parë të ketë aparat për shuarjen e flakëve.

    “Kemi dëgjuar njerëzit duke kërkuar ndihmë, njerëzit kanë qenë në panik, shpërtheu zjarri dhe kemi filluar çdo kush që të gjendet dhe të shpëtojë në mënyrën e tij. Janë thyer dritaret dhe kam kërcyer nga dritarja duke dalë jashtë. Nuk kam vërejt se ka aparat kundër zjarrit”, u shpreh Ollgica Delevska, dëshmitare.

    Ndërkohë familjarët e viktimave shprehën revoltën e tyre kur gjykatësi ftoi si dëshmitarë personat që kanë humbur jetën në tragjedinë. Mbrojtja e të akuzuarve, Florin Besimi, Artan Etemi, Boban Vuçevski dhe personi juridik Spitali modular, filloi me leximin e dëshmive dhe më pas do të vazhdohet edhe me thirrjen e dëshmitarëve. Gjatë seancës, nuk u pranua kërkesa e palës mbrojtëse që të dëshmojë një person nga krim teknika e forenzikës së Gjermanisë. Seanca e radhës do të mbahet më 21 mars. Në zjarrin që përfshiu Spitalin Modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021 humbën jetën 14 persona. /Alsat/

    Kush akuzohet?

    Në zjarrin vdekjeprurës që kaploi spitalin modular për Covid-19 në Tetovë, më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona, tetë gra dhe gjashtë burra të moshës 29 deri 78 vjeç. 2 pacientë të tjerë mrekullisht shpëtuan, bashkë me dy mjekë dhe katër infermiere.

    Pas tragjedisë, dy drejtorët e spitalit në Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi dhanë dorëheqje nga postet e tyre. Të njejtën gjë më pas e bënë edhe ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, dorëheqjet e të cilëve nuk u pranuan nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev.

    Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vuçevski, janë të akuzuar në këtë rast. Gjykatësi i cili udhëheq këtë lëndë është Jordan Velkovski.

    Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Shoqëria e lëngshme

    Lajmi i rradhës

    Ikja e mjekëve të RMV, çështje e ndërlikuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë