TREGTARËT NË MAQEDONI, NË VEND TË ÇMIMIT, PO ULIN SASINË!

    Çmimet e larta kanë bërë që qytetarët të ndryshojnë traditat konsumatore, duke ulur sasinë e produkteve në mënyrë që t’i ulin shpenzimet. Blerja e frutave dhe perimeve me copa nëpër tregje tashmë është bërë një pamje e zakonshme. Por nga ana tjetër, edhe tregtarët kanë krijuar një metodologji të re që, pavarësisht se sa qytetarët po mundohen të shtrëngojnë rripin, ata akoma më shumë po e ulin sasinë e produktit pa e ulur çmimin.

    Kjo mënyrë e zvogëlimit të sasisë ka qenë një traditë edhe para krizës, por me rritjen e inflacionit – duket se kjo po merë një hov më të madh, duke bërë që tregtarët në këtë mënyrë t’i joshin konsumatorët të cilët me dëshirën për të blerë më lirë, zgjedhin paketime më të vogla. Derisa blerësit nuk i kushtojnë shumë rëndësi deklarimeve se “duke blerë me pakicë” – mund të paguajnë më shumë, tregtarët këtë po e shfrytëzojnë për të shmangur detyrimin e uljes së çmimeve që e kishin premtuar pasi kishin marrë energji të subvencionuar nga shteti.

    Raste me paketim më të vogël e çmim më të ulët më shumë vërehen në produktet ushqimore bazë si sheqeri, vaji, produktet e qumështit, mishi, si dhe produktet e ëmbëlsirave. Është bërë si traditë që vezët të jenë në një klasë më të ulët se ajo që është e deklaruar, produktet e qumështit të peshojnë më pak… kështu që ajo që ka pësuar ulje është sasia dhe jo çmimi siç pritej.

    Nga Shoqata e Konsumatorëve të Maqedonisë thonë se tregtarët po mundohen të shfrytëzojnë çdo mundësi në mënyrë që të tërheqin sa më shumë blerës, por njëkohësisht bëjnë thirrje që blerësit të jenë më të kujdesshëm. “Zakonisht, tregtarët e shfrytëzojnë mundësinë për të shitur në paketime më të vogla që kështu të arrijnë në një çmim më të mirë. Edhe pse në pamje të parë një produkt na duket më i lirë se produkti i një prodhuesi tjetër, diferenca në sasi është ajo që na kushton më shumë. Për shembull, orizi që shitet si 1kg ndërsa ka 750 gram, ndonëse ka çmim më të lirë në raft. Kjo nuk është e paligjshme, dhe tregtarët nuk mund të gjobiten nëse shesin në pako më të vogla, por ata për detyrim e kanë që në mënyrë të qartë të japin çmimin për produktin dhe sasinë e atij produkti. Qytetarët duhet që në ambalazh të shohin ndryshimin e çmimit. Si p.sh, nëse çmimi i djathit i referohet sasisë më të vogël apo më të lartë të yndyrës. Blerësit gjithashtu duhet të shikojnë se çfarë shkruan në deklarimin e prodhuesit. Nuk nënkupton se një produkt është më i lirë vetëm sepse përmban paketim më të vogël dhe çmim më të ulët se produkti tjetër”, deklaroi Mirjana Lonçar nga Shoqata e Konsumatorëve të Maqedonisë.

    Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se në këtë mënyrë tregtarët po abuzojnë me besimin e konsumatorëve që kanë vendosur për një produkt, por nëse kjo praktikë vazhdon edhe në të ardhmen, sigurisht që do të ndikojë që konsumatorët të drejtohen në një produkt tjetër. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut njoftuan se pas festave të fundvitit i kanë intensifikuar aktivitetet dhe kontrollet për të parë nëse po respektohet vendimi për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si rezultat i kufizimit të marzhës dhe çmimit të subvencionuar të energjisë për furrat dhe kompanitë e qumështit. Nga atje njoftuan se po marrin masa ndaj atyre tregtarëve tek të cilët konstatojnë se devijojnë nga marzha më e lartë e përcaktuar prej 5%-10%. “Në bazë të kontrolleve, vihet re trendi i uljes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë”, thanë nga ISHT. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka “ilaç” për të ndaluar migrimin e qytetarëve të RMV!

    Lajmi i rradhës

    HYRJA E ASh NË QEVERI | Taravari: Jemi në bisedime, por janë në nivele joformale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë