Arrivistët e PD-së

    PËLLUMB NAKO

    Në vigjilje të krijimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Eduard Selami, Gramoz Pashko, Besnik Mustafaji e shumë e shumë të tjerë, në raport me politikën ishin militantë. Si të tillë e formuan partinë, bënë njëfarë karriere brenda saj dhe hynë në zgjedhje deri sa arritën në fitoren e parë të Partisë Demokratike. Pra, hera e parë dhe fatkeqësisht e fundit që fjala militant partie përkon me personalitete të shquara në fushat profesionale prej nga vijnë. Nga ajo kohë deri më sot, militanti i partisë nuk i korrespondon më të njëjtit koncept. Në ditët tona, masivisht militanti partiak shihet ose si pjesë e ish-administratës, ose si e keqja më e madhe e administratës që qeveris, si antipod i të quajturit intelektual për të cilin lidershipi i partisë shpreh interes. Madje, shpesh, të quajturit intelektuale kanë përbuzje për militantët.

    Shkëputja nga militantizmi partiak i individëve të shkallëve të larta të partive u realizua me një shpejtësi marramendëse. I quajturi intelektual nuk e sheh më të arsyeshme, as të nevojshme të bëjë karrierë politike brenda partisë duke filluar si militant në lagje, sepse në një formë apo tjetrën ai do të katapultohet nga kryetari duke iu imponuar radhëve të poshtme partiake. Dhe hendeku ndërmjet dy shtresave sa vjen e thellohet. Hapja e partisë drejt intelektualëve më shumë përkthehet në dhënie postesh të larta politike e administrative për një kategori personash jashtë radhëve të militantëve dhe rregullave të vendosura. Katapultimi, si mënyrë veprimi e preferuar nga kryetarët, nuk arriti të rrisë e të forcojë filizat e sapolindur të karrierës së mirëfilltë partiake të viteve ‘90 për të ngjitur majat e politikës shkallëshkallë. Thënia më e famshme që e pasqyron këtë realitet është deklarimi i Fatos Nanos kur përmendi rastin se si e kishte marrë Edi Ramën nga Parisi me thonj të paprerë dhe se e kishte bërë ministër.

    Nëse do të shihnim nga njëra anë katapultimin nga kryetarët dhe nga ana tjetër të katapultuarit politikë që sot zhurmojnë aq shumë, do të vinim re se individi me profilin më të aftë për t’u vendosur ndërmjet kryetarit dhe militantëve, është politikani arrivist ose “kacavjerrësi social” sipas termit anglez. Arrivisti është i pranishëm kudo në shoqëri. Ai politik ndodhet gjithmonë në vendin e duhur, në kohën e duhur për postin e lakmuar. Gjithmonë pas tij do të jetë dikush për ta rekomanduar te kryetari i partisë për të qenë në krye të punëve të lidhura me pushtetin. Hyrja në këtë apo në atë parti varet nga ai që e mbështet, sepse për të kjo gjë ka pak rëndësi. Ai i shërben mjaft mirë dhe për gjithçka bamirësit që e katapultoi dhe nga ana tjetër për militantët kapërcimi i tij bëhet i pranueshëm, pasi tek arrivisti ata shohin një gjeni, me të cilin krenohen e debatojnë me njëri-tjetrin duke i rritur famën dhe prestigjin. Për këtë arsye i falin gjithë anomalitë dhe arrogancën që shfaq në sjellje me ta.

    ÇFARË PROFILI KA ARRIVISTI NË POLITIKË?

    Arrivisti është një person i gatshëm të bëjë gjithçka për të arritur atë që dëshiron dhe me çdo çmim. Marrëdhëniet që krijon përgjithësisht kanë në bazë vetëm interesin. Nuk e ka për zemër ndarjen e njohurive me të tjerët. Arrivisti i shmanget bërjes mirë. Sipas pikëpamjes së tij, çdokush që e rrethon për të është një konkurrent i gatshëm për t’i rrëmbyer atë që dëshiron. Ndryshe nga ambicia, arrivizmi provokon ndjesi negative te të tjerët. Kjo anë e karakterit të tij, afrohet me egoizmin dhe manipulimin në shumë drejtime. Arrivisti faktikisht nuk është i sinqertë, as i natyrshëm në gjithçka që flet. Ambicia e tij është e tillë që i jep të drejtë vetes të ecë mbi kokën e kujtdo. Ai është mjeshtër i intrigës, i kulisave.

    SI MUNDET QË NJË PROFIL I TILLË TË BËHET I DOMOSDOSHËM PËR KRYETARIN DHE I ADHURUAR NGA MILITANTËT?

    Kjo ka të bëjë me sjelljen e tij. Me ata që e katapultojnë, arrivisti është i aftë t’i lajkatojë në mënyrë të llogaritur, të përulet, të vetëposhtërohet, të ulë të tjerët deri sa t’i shkatërrojë, të shpifë, të falsifikojë aftësitë, dituritë. Lista e ultësive të tij është e pafund. Ai digjet nga brenda të ketë zyrën më të mirë, adhuron të zbresë nga makina kur dikush i hap derën. Personit të cilit i kërkon ndihmë, ka projektuar t’i zërë vendin. Ndërkohë ajo femër përdor rregullisht edhe hiret e saj, por gjithsesi kjo është njëra anë.

    Nëse një koleg është i sinqertë dhe i pranon atij se një problem të caktuar e ka të vështirë ta kuptojë dhe më pas tërhiqet nga përballja, është fatale për të. Arrivisti këtë moment e ka të lavdishëm. Ai nuk tërhiqet dhe as që i hyn problemit. Përvetëson disa thënie stereotipa, të cilat i llogarit t’i citojë me fjalë të mëdha pa domethënie, me sigurinë e dikujt që e njeh çështjen në themel, gjithmonë me oratori të rrjedhshme duke i krijuar audiencës përshtypjen e një gjeniu dhe kolegëve ndjesi inferioriteti. Kjo sjellje manipulative e kthen në idhull të militantëve, të cilët mendojnë se fatet e tyre varen prej tij.

    Në kontekstin politik të vendit tonë, veprimi i adhuruar i kryetarëve të partive për të katapultuar figura me profil të tillë, ka bërë që ambienti politik të jetë i tejmbushur me arrivistë dhe fatet e vendit gjithmonë e më të paqarta. Pavarësisht se në parti të ndryshme, ata kanë një ngjashmëri absolute. Por duke qenë së Partia Socialiste është e bukosur si një pusetë ku asgjë nuk pipëtin, fenomeni duket i qartë në këtë kohë krize në Partinë Demokratike. Dhe pikërisht, është një moment vështirësie apo krize e lidershipit ai që nxjerr në pah dhe e bën të dukshme rrezikshmërinë që paraqesin arrivistët jo vetëm për partinë ku militojnë, por edhe për mbarë vendin. Në thelb, ata mbeten themeli i paqëndrueshmërisë politike. Aktualisht, në PD spikasin disa syresh që nuk kanë qenë asnjë ditë në jetën politike të militantëve të lagjes dhe që po mbysin median me ultimatume arrogante për dorëheqje të kryetarit aktual të partisë si dhe me thirrje për largim nga skena të liderit historik pa pasur as merakun më të vogël nëse kanë legjitimitet për këto kërkesa. Qëndrimet e tyre zbulojnë tiparin më të rrezikshëm të një arrivisti: për ta ka interes vetëm realizimi i objektivit personal edhe sikur të vihen në krye të një partie në rrënim i sipër, të një vendi në të tatëpjetë. Fatet e vendit e të partisë nuk janë problem i tyre. Aq më pak demokracia. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Shqipëria dhe Serbia me nivelin më të lartë të personave që marrin kredi për shkollim dhe zhvillim profesional

    Lajmi i rradhës

    Rendevski: Përqindja e lartë e antitrupave te qytetarët nuk do të thotë se është arritur imuniteti kolektiv

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë