Eklipsimi i publikut

    GENTI ÇELA

    Gjatë fushatës së këtyre ditëve në Gjermani, vërehej se kandidatët e atjeshëm për kancelarë kishin një numër të ulët ndjekësish në profilet e tyre në “Facebook”.

    Në një shtet me 83 milionë banorë dhe 60 milionë votues, kandidatët kryesorë, Laschet i CDU dhe fituesi Scholz nga SPD, kanë secili nga 40 mijë ndjekës.

    Për një paralele me politikanët kryesorë të Shqipërisë, vendit sa një Land i vogël gjerman, shifrat janë të habitshme.

    Kryeministri Rama ndiqet nga 1.5 milionë profile. Pra, në zgjedhjet e fundit është votuar sa 1/3 e ndjekësve të tij në “Facebook”. Ndiqet 40 herë më shumë se fituesi i zgjedhjeve në Gjermani.

    Kryeopozitari Basha ndiqet nga 600 mijë ndjekës.

    Ish-Kryeministri Berisha nga 1 milion ndjekës në “Facebook”.

    Presidenti Meta nga 139 mijë ndjekës.

    Përjashtohet nga ky vëzhgim profili i z.Veliaj, pasi të dhëna kibernetike faktojnë për ndjekës nga kombësi të çuditshme si filipineze, someleze, kineze etj., çka tregon për ndjekës të paguar (fake followers).

    I pashmangshëm një hop vrojtimi mbi qasjen që kemi ndaj politikanëve tanë dhe ndaj besimit virtual.

    E pashmangshme mbetet edhe qasja e politikanëve ndaj rrjeteve sociale, ndaj atij që studiuesit e komunikimit e quajnë “The Phantom Public”, publiku fantazmë.

    Filozofia jonë politike e common senseit sjell një publik vetëm për të mbështetur dhe përlëndëzuar sjelljen e zyrtarëve dhe pushtetarëve.

    Ata nuk mund të jenë zyrtarë publikë nëse nuk kanë një publik, edhe kur ai është fantazmë.

    Edhe kur numri i votuesve që përdorin të drejtën e tyre madhështore, votën, zbret me shpejtësi në raport me ata që e kanë atë mundësi.

    Në Shqipëri voton gjysma e zgjedhësve me këtë të drejtë. Kjo gjysmë ndahet në pjesë ku më pak se gjysma e gjysmës, votojnë qeverinë. Rrjedhimisht kemi qeverisje të pakicës për shkak të atyre që nuk votojnë.

    Disa, ndër këta të fundit, predikojnë pafuqinë e politikës në tërësi. Disa me indiferencë praktikojnë mospjesëmarrjen si një skepticizëm të hapur ndaj dobësisë së votës edhe kur ajo lexohet drejt.

    “Nëse vota jonë do të ndryshonte diçka, ata nuk do të na lejonin të votojmë”, citojnë Mark Twain. Dhe në fakt, nuk është asfare i panjohur tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve.

    Optimizmi për demokracinë është mjegulluar.

    Jemi të njohur me gërnjën e nxehtë të tifozëve të pushtetit ku shkëlqen mungesa e dritës së mendimit. Sheshet virtuale ngjajnë me çerdhe qeveritare ku kënga e përditshme është tifozëria ndaj drejtorit. Falë kësaj kënge të përditshme, fitohet buka e përditshme.

    Jemi të njohur edhe me denoncimin dhe kriticizmin që shpesh ndërthuret nga burime emocionale nëpërmjet tonit grindavec e përgjithësues, fatalist e absolutist, ku si pasojë kemi një publik të pështjelluar e tifoz. Pështjellimi ka bërë publikun mosbesues në eficiencën e veprimit politik.

    Çka nuk duhet të krijohet si perceptim, është argumenti i shumëkujt, se gjithë ç’ndodh, është thjesht e vetëm lufta mes atyre që janë e të tjerë që duan të vijnë.

    Por filozofi John Dewey thotë se “Publiku varet nga pasojat e veprimeve dhe nga perceptimi i pasojave”.

    Teksa peshon mjerimin tonë, big brother-i ynë orkestron dramat madhështore të shqiptarëve nën tingujt e një melodie ad hoc, me fyellin e së njëjtës gavërz, asaj të arritjeve të mëdha në muret virtuale ku përplasen realitetet.

    U shpik së fundmi “Agjencia për Media dhe Informim”. Një makineri e instaluar pranë çdo ministrie duke u fokusuar tërësisht te propaganda. Te trallisja e publikut. Te ngatërrimi i shpërdorimit të realitetit me realitetin, duke e kthyer atë në një teatër kukullash. Duke e kthyer në centralizim të policisë së mendimit në fshatin tonë Potemkin. (Potemkin ishte fshati në ish-BS, në Ukrainën e sotme, tërësisht i shkatërruar, por asokohe dihej si një sukses, falë manipulimit. Sot përdoret si term politik i formulës së shkëlqimit të dukshëm dhe mirëqenies imagjinare).

    Sot kemi nevojë për një kriticizëm politik të mençur. Larg situatave që rreken te qëndrimet përgjithësuese të sojit “gjithçka-ose-asgjë”. Por tek alternativa praktike.

    Pa një komunikim idesh racionale, publiku do të mbetet në hije dhe i paformë, në kërkim përpëlitës të vetes, duke mbajtur hijen e vet në vend të substancës së vet.

    Derisa zërat e arsyeshëm të shndërrohen në një komunitet real dhe të madh, publiku do të mbetet në eklipsin e propagandës. Vetëm komunikimi mund të krijojë këtë komunitet. Babeli ynë nuk është ai i gjuhëve, por i simboleve, pa të cilat përvoja e përbashkët mbetet e pamundur.

    Hera-herës, prekim lehtas dhe kalimthi kushtet e një komuniteti përbashkues. Por kërkimi më i lartë dhe i vështirë, i gjallë dhe përgjegjës, duhet të marrë në zotërim makinerinë fizike të transmetimit dhe qarkullimit duke i dhënë jetë lirisë.

    Kur ky komunitet njerëzish të arsyeshëm dhe të lirë, të jetë formësuar, komunikimi, edhe ai virtual, mund të jetë mjet i jetës dhe jo padron despotik i saj.

    Demokracia, ajo me profet Walt Whitman, vjen vetë, si emri i një jete të lirë dhe të përbashkët. Ky proces vjen kur kërkimi i lirë shoqëror bashkohet në mënyrë të pazgjidhshme me artin e komunikimit të plotë e të vazhdueshëm. Të pandrydhur nga rrjetet tërë rrjeta të udhëheqjes./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Meta konsideron se shkarkimi i tij është çështje politike

    Lajmi i rradhës

    Edhe këtë vit nuk do të ketë ceremoni për ndarjen e çmimeve Nobel

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë