Për traumat kolektive dhe panikun

    Bleona Kurteshi

    Që nga fillimi i sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës fryma e solidaritetit tek shoqëria kosovare duket se nuk ka munguar. Duke filluar nga mediat sociale të cilat janë mbushur me postime nga më të ndryshmet, e deri tek tubimet të cilat solidarizohen me gjendjen aktuale në Ukrainë. Fotografi e postime të cilat vënë në pah të ngjashmen midis gjendjes në Ukrainë dhe Kosovës së vitit 1999, prej të cilave një pjesë e madhe janë të postuara nga të rinjë që ose kanë lindur pasluftës ose kanë qenë në moshë shumë të re në kohën e luftës, më bëjnë të mendoj për atë që unë vendosa ta quaj “paslufta traumatike e Kosovës”. Të qenurit fëmijë i pasluftës është një faktor i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si ti rritesh. Duke filluar nga narrativat më të cilat rrethohesh e deri tek vizioni që krijon për të ardhmen dhe për “tjetrin”.

    Të gjitha këto të bëjnë të sjellësh nëpër kokë pyetje si, a ka pa pasur ndonjëherë nismë e cila do ta trajtonte gjendjen traumatike kolektive të shqiptarëve të Kosovës, pas luftës? Termi traumë kolektive ka të bëjë me reagimet sociale dhe psikologjike ndaj një përjetimi traumatik që prek një shoqëri të tërë. Trauma kolektive përfaqësohet në kujtesën kolektive të grupit dhe, si të gjitha format e tjera të kujtesës, ajo përfshin jo vetëm një riprodhim të ngjarjeve, por edhe një rindërtim të vazhdueshëm të traumës dhe forma të caktuara veprimi në raste kur has në një ngjarje që mund të ketë diqka të ngjashme.

    Kujtesa kolektive e një fatkeqësie në të kaluarën krijon një dinamikë që gërsheton lidhjen midis traumës, kujtesës dhe pasigurisë ontologjike. Të gjithë i kemi të freskëta pamjet e kolonave të gjata të veturave, duke pritur për të blerë miell në fillim të pandemisë Covid 19, në Mars të vitit 2020. Ndërlidhja që dëgjohej më së shpeshti ishte ajo me luftën në Kosovë. Pamje të ngjashme po na përcjellin edhe sot, kur qytetarët po vrapojnë drejt dyqaneve dhe fabrikave për të sigurar sasi të mëdha të gjërave ushqimore të cilat ata i konsiderojnë esenciale. Por, kësaj rradhe jo nga frika e virusit por nga panika të cilën siç duket e ngjalli gjendja mes Rusisë dhe Ukrainës. Në këtë situatë duhet ta kemi parasysh faktin se frika dhe paniku nuk janë probleme individuale. Si faktorë aktivizues konsiderohet të jetë ekspozimi i vazhdueshëm i qytetarëve ndaj pamjeve dhe narrativave të transmetuara përmes mediave masive.

    Qytetarët duhet të informohen drejt dhe saktë dhe të jenë vigjilent ndaj lajmeve të rreme që në një mënyrë ose tjetër shkaktojnë shqetësime. Një lajm i pakonfirmuar i datës 25.02.2021 i cili ngjalli shumë panik tek qytetarët e Kosovës, sidomos tek ata të Mitrovicës, ishte ai i vendosjes së Njesisë Speciale në veri të Mitrovicës. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe situatën aktuale, ky lajm ishte shumë shqetësues. Ndonëse Policia e Kosovës, reagoi menjëherë me një komunikatë për media, në të cilën sqaron se Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë, të cilat do të ju shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike. Një procedurë e zakonshme e cila kishte rastisur të ndodhte në këtë kohë dhe nuk ka pasur fare ndërlidhje me situatën aktuale, mirëpo sidoqoftë qytetarët janë alarmuar. Për këtë arsye i takon qeverisë dhe institucioneve të tjera relevante që komunikimin me qytetarët ta kenë më të shpeshtë, në mënyrë që të qartësojnë dyshimet dhe të shuajnë çdo formë paniku që kjo situatë ka krijuar.

    Kujtesa kolektive bartet dhe vazhdon edhe përtej atyre që në mënyrë të drejtpërdrejt kanë qenë pjesë e ngjarjeve, ajo bëhet pjesë e anëtarve të grupit të cilët janë të vendosur në kohë dhe hapsirë tjetër. Bartet në gjenerata dhe me kalimin e kohës shëndrohet në boshtin e identietit të grupit. Në përgjithësi, shoqëritë të cilat kanë qenë viktima të luftës, kanë kujtesë shumë të freskët andaj dhe ndjeshmëria ndaj përvojave dhe ngjarjeve nëpër të cilat kanë kaluar, shpesh mund të ndikojnë në tendencën e tyre për mos ballafaqim me të kaluarën madje edhe në nivelin mikro. Për ta thënë më thjeshtë, ata tentojnë që të mos flasin shumë për të kaluarën, të shtypin ndjenjat dhe kujtimet e tyre në mënyrë që të shohin drejt të ardhmes. Duke filluar nga familjet të cilat ose nuk flasin fare për të kaluarën ose flasin në mënyrë shumë të rezervuar. Arsyeja kryesore konsiderohet të jetë frika se mos me anë të rrëfimeve të tyre të barten trauma tek të rinjë. Bartja e traumave ndër breza kuptohet si një formë e veçantë e traumës kolektive e cila vazhdimisht kalon nga një brez në tjetrin. Trauma kolektive vjen në pah në varësi të kontekstit socio-politik dhe ekspozimit specifik ndaj psh, dhunës ose traumave të tjera dhe pjesërisht ose në masë të madhe funksionon në mënyrë të pavetëdijëshme.

    Solidarizimi i cili vjen nga përvojat e traumës ndonëse duket se na shërbenë si një burim i empatisë që tejkalon ndarjet shoqërore, poltike e gjeografike, në të vërtetë ai më shumë i ngjason një reagimi që në menyrë të pavetëdijshme është mekanizëm mbrojtës ndaj asaj që ne kemi përjetuar. Një analogji midis vuajtjeve tona dhe të tjerëve duket se aktivizon traumat dhe na ofron mundësinë ta shohim veten si pjesë e një komuniteti me të cilin konsiderojmë se kemi përvoja të njejta.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Tensionet në Ukrainë – RMV i bën thirrje BE-së për integrimin e vendit

    Lajmi i rradhës

    Përdorimi i shpeshtë i telefonit mund të dëmtojë edhe kiminë e trurit

    Lajme tjera

    Përse Arlindin?

    Andi Bushati Ndoshta i vetmi debat idesh gjatë kësaj fushate të pasur me sharje, por të varfër në…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë