Shah e Padishah

    EDMOND TUPE

    Orteku politik – i cili po rrokulliset në peizazhin politik të Republikës RamBamBum të Shqipërisë Kimetiane qysh nga koha e zgjedhjeve të fundit kuvendore – është duke i i kapërcyer të tëra parashikimet: Edi Rama po e konsolidon përherë e më shumë pozitën e tij në pushtet pas marrëveshjes së arrirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrëveshje kjo që u jep pushtet të plotë këtyre të fundit në përpjekjet që bëjnë për t’u vendosur fuqimisht në Ballkan siç e kërkojnë interesat dhe synimet e tyre gjeopolitike.

    Ky ortek politik, falë sidomos edhe shpalljes “persona non grata” të Sali Berishës, liderit historik të Partisë Demokratike, e ka shpënë e po vazhdon ta shpjerë drejt përçarjes këtë parti duke e kthyer politikën në një fushë shahu tejet komplekse ku kryeministri Rama, në rolin e Mbretit e njëkohësisht të Mbretëreshës, po luan si t’ia dojë qejfi me gurët e tij, qofshin këta Këmbësorë të thjeshtë, Kështjellarë, Oficerë apo Kalorës, duke i vendosur dhe/apo zhvendosur sa herë t’ia japë truri ose ndonjë tjetër organ i trupit, ndërkohë që luan me opozitarët si macja me miun veçanërisht tani që këta të fundit janë përçarë pa shërim, pa kthim prapa, të paktën me sa duken bathët (me “a” kjo fjalë, aspak me “y”)!

    Çuditërisht, ndonëse të ndodhur para këtij ngadhënjimi kryeministror, analistët, opinionistët, komentatorët, sociologët dhe/apo politologët tanë më të mprehtë nuk po e përdorin më atë arsenal termash, me të cilët e kanë bombarduar para disa kohësh Edi Ramën, terma të tillë si autokrat, despot, monark, diktator, sulltan, perandor e faraon ndër të tjerë. Duhet pranuar gjithsesi që të tërë këta zotërinj sikur po e parandiejnë që, në fushën e shahut të sapopërmendur, kryeministri Rama po ndihet sa vjen e më i sigurt për sundimin e tij absolut deri në vitin 2030 aq sa unë, duke parë mënyrën si sillet në publik – pale në marrëdhëniet me vartësit e sidomos me vartëset e tij – mund ta konsideroj atë, pra kryeministrin Rama, si shah apo padishah të Shqipërisë! Këto dy terma, “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) i përkufizon të parin si “titull të mbretit në disa vende të Lindjes  (në Iran etj.)” dhe të dytin si “titull të sulltanit në Perandorinë Osmane dhe të sundimtarit absolut në disa vende të Lindjes”. Vetëm se përkufizimi i parë nuk mund të mos më kujtojë fatin e Mohamad Reza Pahlavi-t, shahut të fundit të Iranit, të cilin revolucioni islamik e detyroi, në janar të vitit 1979, të mërgonte familjarisht në SHBA, ndërsa përkufizimi i dytë nuk mund të mos më sjellë ndër mend marrëdhënien dhe afinitetin e zjarrtë të kryeministrit Rama me Reçep Taip Erdoganin, presidentin e Republikës së Turqisë.

    Sidoqoftë, shah apo padishah, kryeministrin Rama, si politikan mjeshtër që është në fushën e shahut të politikës shqiptare, nuk e kërcënon asnjë lloj revolucioni, sepse muaji i tij i mjaltit jo aq me Shkëlqesinë e Saj Zonjën Ambasadoreshë të SHBA-ve në Tiranë, sesa me Sorrosin, atin e tij shpirtëror, duket se do të zgjasë pa lëkundje e pa surpriza dhe, nga ana tjetër, sepse Partia kryesore e opozitës shqiptare, ajo Demokratike, duket në pikë të hallit,  kështu që asaj do t’i duhet shumë kohë ta marrë veten për të qenë në gjendje të kthehet një ditë në pushtet. Le të përgatiten, pra, shqiptaret e shqiptarët, përfshirë natyrisht edhe mua, për të jetuar të paktën edhe një a dy dekada nën  regjimin mrekullisht të patundur ramist, ramesk, ramok, ramuk apo ramyk (le ta quajnë si të duan), sidomos ato e ata që votuan më 25 prill të vitit të  kaluar pasi kishin shitur fort lirë edhe votën, edhe shpirtin!

    Si përfundim, për të mos dalë jashtë teme, më duhet t’u tregoj lexueseve dhe lexuesve të mi diçka zbavitëse: Para dy-tri ditësh, tek kaloja në shëtitoren e “Dëshmorëve të Kombit” buzë parkut “Rinia”, syri më zuri atë Fushën e Shahut përtokë ku, për çudi, gurët e bardhë ishin më të paktë se të zinjtë, madje atyre u mungonte edhe mbreti, shahu më saktë, ndërsa mbreti i të zinjve, si kundërshtar apo opozitar, ishte në vendin e vet. Ndala hapin për një çast dhe imagjinova se ndoshta duke përfituar nga mungesa e të shoqit me siguri në vizitë jashtë shtetit – ka të ngjarë në SHBA –, mbretëresha e bardhë, me të rënë nata, mund të ftoj në Bunkerin e saj të Burrelit (me “B” kjo fjalë, aspak me “S”) mbretin karizmatik të palës kundërshtare, dikur kardiolog, për ndonjë bisedë karteziane lidhur si me karantinën antikovid, ashtu edhe me situatën politike karnavaleske në vend, së cilës nuk po i gjehet karari, por pa harruar edhe Open Ballkanin (me “B” kjo fjalë, aspak me “P”!)./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Zaevi: Nëse nuk zgjidhet tani kontesti me Bullgarinë, nuk ka për t’u zgjidhur as në vitin 2022

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është narcisizmi?

    Lajme tjera

    Pacientja serbe

    MIMOZA DAJÇI Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikanë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë