Tranzicion që vetëm riciklohet

    NDUE DEDAJ

    Shqiptarët kanë pritur me kohë që tranzicioni ta mbyllë ciklin e vet, por ajo çka ndodh përditë të bën të mendosh se “anarshia” do të zgjasë dhe disa vite të tjera. Përgjatë tij ka gjëra që kanë mbetur në vend, po ka dhe që kanë shkruar mbrapa, si shkatërrimi i pasurive kombëtare etj. Në rrafshin politik gjendemi si në fillim të viteve ‘90 si sot, në kërkim të Europës, atëherë në mënyrë ideale me mitingje e parulla dhe prej disa vitesh në rrugë institucionale, përmes përpjekjeve për anëtarësim në BE. Rezultati, Shqipëria e paintegruar në Europë…

    Shkaku kryesor mbetet korruptimi jo vetëm i politikës, i qeverisë, i drejtësisë dhe i institucioneve të tjera të shtetit, por i krejt shoqërisë, përveç një pjese vitale që del në sheshe me kurajë dhe proteston, pardje për mossjelljen e armëve kimike, dje për mosshembjen e Teatri Kombëtar, sot për mosrritjen e çmimit të energjisë, naftës, mallrave ushqimore etj. Shkaktari i një tranzicioni kaq të gjatë e të pamëshirshëm është politika e mbrapshtë, e kapërthyer nga “kulti e individit” me veshje demokratike. Udhëheqësit e tranzicionit janë arketipi i liderit të fortë, që më shumë komandon se drejton, që të keqen e sheh gjithnjë te kundërshtari politik. Krahasuar me para tridhjetë vitesh, kemi sërish një qeveri që përballet me protestat, ndonëse nuk janë si greva e minatorëve të Valiasit që e rrëzoi qeverinë Nano pa një pa dy. Ministrat nuk ndihen, por spikat autoritarizmi i Kryeministrit, i cili del në publik dhe vë pikat mbi “i” për çdo gjë. Ku është parë e dëgjuar që kreu i qeverisë, njëherësh kryetar i maxhorancës qeverisëse, të deklarojë sa herë anëtarët e kabinetit të tij futën në burg, se përgjegjësia e tyre është individuale, ndërkohë që ata në tenderat korruptivë kanë firmosur e vulosur si shtetarë dhe jo si individë të zakonshëm. Ana tjetër e medaljes politike është opozita, sërish me të njëjtin kalorës në ballë, paçka se sot nuk ka Bejkerin e as Rajersonin në krah, përkundrazi i linçuar me damkën amerikane “non grata”. A ka një tjetër vend në Europë ku i njëjti lider politik, pasi ka konsumuar rangjet më të larta të politikës dhe të pushtetit, në tridhjetë vjet, të rikthehet për të bërë “ndryshimin” nga e para? Rithemelimin e asaj partie që vetë ia kishte hedhur themelet e që realisht nuk ia kishte lëshuar asnjëherë frenat? Edhe lideri i LSI-së është po ai i fillimeve të pluralizmit, që pasi të lërë Presidencën pret t’i rikthehet partisë së tij me vjeshtën. Atëherë, si për shkak të karakterit punist të maxhorancës (ku dëgjohet vetëm kambana e njëshit), si të të njëjtëve personazhe të pandërruar të opozitës, mund të thuhet se demokracia ka mbetur aty ku nisi, prandaj tranzicioni vetëm sa riciklohet gjithnjë nga e para.

    Në planin ekonomik, tranzicioni e ka lënë Shqipërinë në varfëri të skajshme, xhepi i qytetarëve të thjeshtë është si në fillimet e sistemit të ri politik, me shumë familje nën minimumin jetik, mirëqenia ekonomike është në zgrip, ka diferencim të theksuar social dhe ikja e njerëzve nga vendi është si në vitet ‘90, masive, me shifra të frikshme për një komb, ndonëse tash iket jo me tragetet mbushur plot e përplot dhe me tragjedi si e “Otrantos” para njëzet e pesë vitesh. Dhjetë vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria 500 mijë shqiptarë. Kjo është e pashembullt. Kush thotë se kemi bërë përpara, se janë ndërtuar pallate pa fund, nuk është bindës, pasi progresi do t’i kishte mbajtur njerëzit lidhur pas vendit të tyre. Sado ndryshimit të dukshëm urban, kullat e Tiranës nuk janë simbol i zhvillimit, përderisa kemi një Shqipëri të braktisur në përqindjen më të madhe të territorit, ku në shumë zona të thella nuk mund të shkohet me makinë!? Dikur kishte rrugë pyjore që e merrnin lëndën drusore dhe në maje të Korabit, sot nuk ka rrugë turistike dhe në malësinë e Tiranës. Krahas ngrehinave të pafundme të banimit, që vargojnë në krejt periferinë e kryeqytetit, ti kishe përfytyruar qyteza të bukura turistike, nga bregdeti i Jonit e Adriatikut deri në lartësitë alpine. Nuk është qytetërim ai që i zbraz malet nga njerëzit dhe i zbret nga shteti. Nuk është se nuk janë bërë fare investime në zonat rurale, në rrugë, agroturizëm, bujtina, ujësjellës, hidrocentrale, kanale vaditës etj., por sado investime të bëhen në ndihmë të agrobiznesit etj., njerëzit vazhdojnë të kenë kryefjalë të tyre rrugët. Ky vend ka ende “uri” për rrugë. Pas kaq vitesh që kërkohet me ngulm, ka nisur më në fund rruga e Lurës, çka do të sjellë një tjetër zhvillim në atë zonë, por kërkohen sa më parë dhe rrugët që lidhin njësitë bashkiake me qendrat e bashkive. Më pak fasada godinash në qytete dhe më shumë rrugë malore të asfaltuara, pamja rurale do të ishte tjetër.

    Tranzicioni bëri që shumë nga pasuritë publike të përdorën si plaçkë për t’u vetëpasuruar njerëzit me vulë e firmë. Nëse në vitin 1991 minierat ishin gjithsesi në dorën e minatorëve grevistë, sot ato janë në dorën e padronëve kapitalistë (oligarkë i quajnë) të lidhur me pushtetin. Nuk ka asnjë fushë ku gjerat janë bërë me strategji dhe krijohet stabilitet. Se sa pa perspektivë është punuar në energjetikë, paçka ndërtimit të plot hidrocentraleve, po u tha liqeni i Fierzës, shqiptarët mbetën pa energji! Të betonosh gjer Valbonën dhe prapë të mos kesh rrymë elektrike në shtëpi, shkollë, zyrë, fabrikë? Nga ana tjetër, nuk ka stabilitet të tregut dhe të çmimeve, që siç u pa u rritën përnjëherësh. Kjo tregon se kriza ishte pas dere, u desh një luhatje e tregut ndërkombëtar që ajo të tregonte dhëmbët. Është folur për çmim më të ulët të naftës në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, teksa pagat dhe pensionet e mësuesve, mjekëve, ushtarakëve etj. atje janë ku e ku më të larta.

    Por ka dhe “risi” që nuk ishte në vitin e largët 1992, inceneratorët, disa “përbindësh” të dalë jo nga deti, por nga buxheti i shtetit, në Fier, Elbasan e Tiranë, që kanë gllabëruar milionat e shqiptarëve e tash po hanë dhe “koka” ministrash e deputetësh të maxhorancës. Qytetari e ka të vështirë ta përkthejë këtë fjalë, ai thjesht mendon i trishtuar si na gjeti dhe kjo gjëmë, që si të gjitha të tjerat, vjen nga papërgjegjshmëria e pushtetarëve. Mirëpo, vetëm emri incenerator është i ri dhe i panjohur, pasi dukuria që ka ndodhur me to është korrupsioni me shifra marramendëse, simboli i tranzicionit tonë. Me hajdutërinë e tyre do të merret drejtësia, parlamenti, politika, ne për një çast duam të tërheqim vëmendjen në rrafshin e edukimit: a thua të rinjtë e sotëm, kur shohin se si bëhet i pasur politikani i “lagjes” për katër vjet, me mandatin e popullit si ministër, deputet, kryetar bashkie etj., do t’ua çojnë mundin dëm familjeve të tyre dhe edukatorëve, duke i rënë për shkurt, mjafton me iu ngjit mbrapa një partie dhe vjen dita e ajo lëshon “zogj” dhe për ty?!…

    Tranzicioni e ka deformuar zhvillimin e vendit. Dhe ka gjasë të mos shpëtojmë prej tij as sot e mot. Se sa mund të zgjasë, këtë nuk mund ta dimë, por një gjë nuk është e vështirë të kuptohet: me këtë mënyrë të qeverisuri, tranzicioni nuk mbaron. Është iluzion të mendohet se këta qeveritarë dhe politikanë të korruptuar e pa ide do të ikin vullnetarisht nga drejtimi. Nuk i le babëzia kronike e përfitimit të paligjshëm, prandaj janë qytetarët që duhet të mendojnë seriozisht për ndryshimin. Ata kanë në dorë të japin mandat qeverisjeje dhe ta heqin atë, të reformojnë subjektet politike ekzistuese apo të krijojnë parti të reja, të mos iu shkojnë pas të “vjetërve” pa vizion të ri, të institucionalizojnë protestat, duke u bërë dalëzotës të vetvetes dhe të vendit.

    Na mbetet të përsërisim, dhe pas 30 vitesh tranzicion, Europa është jo vetëm ëndrra e shqiptarëve, por dhe shkolla, modeli, perspektiva, mjafton të ndërgjegjësohemi dhe të kemi vullnetin si për ta sjellë atë këtu, si për ta çuar Shqipërinë tonë atje. Shinat na i kanë shtruar të parët, qysh prej Rilindjes Europiane, trenin na duhet ta vëmë vetë në lëvizje… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    99 për qind e popullsisë në botë thith ajër me cilësi të dobët | Ndikimi në shëndet

    Lajmi i rradhës

    Evolucioni i nji enigme

    Lajme tjera

    FRIKË NGA ZEMËRIMI

    Rrëfenjë arabePërktheu: Bajram Karabolli Shumë kohë më parë, midis myslimanëve, na ishte një luftëtar i madh, i cili…
    Më tepër

    Dialogu i Albin Kurtit

    Avni Bytyçi Vetëm pas tri ditësh, pasi e kishte festuar përvjetorin e 16-të të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë