Futbolli, është vetëm për burrat?

    Për vite me radhë është parë në sytë e të gjithëve gruaja si një nënë, bashkëshorte, zonjë shtëpie, në duart e së cilës do të ishte gjithmonë fëmija, fshesa, luga e gatimit apo hekuri i hekurosjes. Ajo kishte detyra që fillonin këtu dhe mbaronin po këtu, duke parë edhe tek tuk ndonjë emision “të përshtatshëm” për të dhe karakterin e brishtë të saj. Nga ana tjetër ajo duhej të kujdesej për burrin e saj dhe ndonjëherë ky kujdes i kalonte kufijtë e normales, duke e bërë atë të trajtohej shpesh edhe si një shërbyese. Ndërsa ai vinte nga puna, kishtë të drejtë të shkonte në një bar të pinte një kafe, të dilte me miqtë, të shikonte një ndeshje futbolli…

    Por përse gruaja nuk duhet ta bëjë këtë?

    Ndoshta sepse ai mentaliteti i vjetër ku sporti, dhe konkretisht futbolli është “diçka” burrash, sepse gruaja duhet të merret me fëmijët, shtëpinë dhe tualetin e saj? Ndoshta sepse për disa burra është tepër e vështirë ta pranojnë këtë? Ndoshta sepse mendojnë se do të gjykohen nga të tjerët për faktin se kanë marrë gruan e tyre ne një ndeshje futbolli? Apo problemi fillon dhe mbaron tek vetë gruaja?

    Megjithatë le ta pranojmë! Edhe pse për shumë femra futbolli apo një sport tjetër nuk pëlqehet, për shumë prej tyre të presësh një biletë për në tribunën kryesore apo të bësh abonimin e paketës së plotë për të parë të gjitha ndeshjet e kampionatit, është diçka tepër e rëndësishme, dhe gati gati dëshira dhe pasioni i saj për lojën mund të krahasohet me atë të një mashkulli.

    Kryesisht vitet e fundit gratë kanë arritur të fitojnë një njohuri dhe aftësi shumë më të mira në lidhje me futbollin dhe pse jo, ato mund të jenë edhe më të larta se ato të bashkëshortit apo vëllait të saj. E madje kohët e fundit kemi arritur të shikojmë edhe gazetare sportive në televizionet tona gjatë një emisioni të posacëm. Shumë shpesh na ndodh të shikojmë analizën pas një ndeshje futbolli, e cila prezantohet nga  vajza te reja në moshë, te bukura dhe tepër te kuruara, me një kulturë të madhe në lidhje me botën e futbollit, te cilat futen në debate me kolegët e tyre pa problem.

    Pra gruaja juaj nuk duhet të qëndrojë në shtëpi sot?

    Sigurisht që jo! Nuk ka arsye përse ta bëjë këtë, ndërsa të gjithë burrat dhe një pjesë e mirë e femrave do të jenë duke ndjekur finalen e Champions League . Të ndjekësh një ndeshje futbolli, një lojë basketbolli, një ndeshje boksi, një pjesë të luajtur në zhanrin e operës, një kërcim baleti… nuk është cështje burrash apo grash, është çështje kulture dhe kultura është ajo që duhet të karakterizojë njëriun, si një faktor shumë të rëndësishëm për të qënë një partner, prind dhe individ i mirë në shoqëri. Për të vlerësuar më tepër të drejtën e grave për të ndjekur një ndjeshje futbolli nëse i pëlqen, pse jo edhe duke e pirë një birrë si ty, edhe kjo është pjesë e kulturës së individit. Të gjithë kemi të drejtë të bëjmë apo shikojmë atë që na pëlqen.

    Pse ndodh rëndom të shikojmë në lokale grupe burrash të entuziazmuar për lojën, që kanë bërë për javë me rradhë plane në lidhje me ndjekjen e saj ndërsa gruaja qëndron në shtëpi sepse nuk e pëlqen sportin? Nuk është e vërtetë, edhe ajo mund të pëlqejë shumë lojën dhe madje mund të bëhet per burrin shoqëruesja më e mirë, aq sa herën tjetër do ta merrte me kenaqësi me vete.

    Në kohët e sotme, ku të gjithë burra apo gra qofshin kanë filluar të ndërgjegjësohen në lidhje me të drejtat e barabarta që kanë, duhet të pranohet edhe doktrina se diferencat gjinore janë tërësisht artificiale, se në të vërtetë burrat dhe gratë janë të “ndërtuar” në mënyrë të tillë që të jenë plotësisht të njëjtë dhe madje të përjetojnë njësoj edhe ngjarje të tilla. Tashmë shoqëria jonë është matuar mjaftueshëm për të pranuar faktin se barazia midis gjinive është një mundësi e mirë që të dy të zhvillohen dhe marrin kulturën e duhur në fusha të ndryshme.

    Duke qënë kështu mendoj se edhe unë sot, edhe të gjitha gratë apo vajzat që kanë dëshirë të ndjekin ndjeshjen nuk duhet të frenohemi, por të shkojmë dhe ta shikojmë, me shoqen apo partnerin, me atë që na bën të ndihemi më mirë. Sepse në jetë nuk duhen caktuar kufij imagjinarë që nuk kanë asnjë sens, që ndoshta as ne vetë nuk dimë përse ekzistojnë. Në fund të fundit kush i bën këto ndarje? Kush i klasifikon gjërat “për burra dhe për gra”?/Pernenat/

    Lajmi Paraprak

    Mustafa: Viti i kaluar shkollor nuk ishte i suksesshëm

    Lajmi i rradhës

    Vodno do të mbrohet me vendim të posaçëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë