Avaz i vjetër me Qeveri të re!

    Shpresat për një qasje të re evropiane të qeverisë së re bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, kanë dhënë shpresë dhe shihet një dritë në fund të tunelit pas bisedës së parë telefonike mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe homologut të tij bullgar Nikolaj Denkov.

    Gjegjësisht, gjatë kontaktit të parë mes dy homologëve, Denkov ia konfirmoi qartë vendosmërinë bullgare se Sofja nuk do të devijojë nga ajo që nënkupton politika zyrtare bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.  “Çfarëdo që të bëjmë për zhvillim pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe, ato do të mbeten në plan të dytë ose nuk do të realizohen nëse çështja e përfshirjes së bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë nuk zgjidhet në mënyrë adekuate. Bullgaria është e gatshëm të punojë së bashku me fqinjin për të përmbushur obligimet e marra”, tha Denkov.

    Njohësit e çështjeve politike në vend dhe veçanërisht ato të marrëdhënieve maqedono-bullgare, mendojnë se asgjë nuk do të ndryshojë në qëndrimin e asnjë Qeverie bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Sipas tyre, është e vështirë të kemi një qasje ndryshe deri më tani në Bullgari sa i përket çështjes maqedonase.

    Kryetari i Këshillit të Ambasadorëve, Muhamed Halili, për gazetën KOHA, ka deklaruar se fakti që kjo Qeveri është pro-evropiane nuk është garanci që kjo do ta ndryshoj kursin politik ndaj qasjes se problemit maqedonas në Bullgari. “Kjo mund të ndodhë vetëm në qoftë se në ndërkohë lindin interesa të reja në Ballkan dhe më gjerë me të cilat do të jetë e lidhur kjo Qeveri. Sepse bindja pro-evropiane është vetëm një bojatise karshi institucioneve të BE-së apo karshi elektoratit të tyre për të zgjedhur forca pro-evropiane. Të gjitha partitë bullgare qysh në vitin 1900 kanë lidhur një marrëveshje të ndërsjellët ku shkruan se për çështjet kombëtare bullgare partitë politike do të vendosin me konsensus dhe praktikimi i politikës bullgare ndaj Maqedonisë, deri më sot ka treguar se ky parim i konsensusit është praktikuar. Për atë mendoj se është e vështirë të mendohet se me ndryshimin e Qeverisë do të kemi dhe një qasje të re ndaj çështjes maqedonase në Bullgari”, deklaroi Halili.

    Nga ana tjetër, profesori universitar dhe ish-ambasadori Nano Ruzhin, gazetës KOHA i ka thënë lajmi që formimi i Qeverisë së re në Bullgari e cila është pro-evropiane është lajm i mirë për vendin tonë. Sepse siç tha ai, do të gjenden pika të përbashkëta për tejkalimin e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes. “Por nuk duhet të harrojmë që kontesti ynë me Sofjen, prek dhe transformimin e Kushtetutës dhe është detyrim edhe nga Bashkimi Evropian. Për atë mendoj se detyrimi edhe më tej do të vazhdoj në fuqi dhe patjetër duhet të kryejmë detyrat e shtëpisë, deklaroi Ruzhin. Ai gjithashtu shtoi se në marrëdhëniet bilatelaterale mund të ketë përpjekje për përmirësimin e marrëdhënie bilaterale. “Pra, reformat janë detyrimi ynë dhe pas reformave vijnë dhe çështja për ndryshimin e kushtetutës dhe futjen e pakicës bullgare në preambulë dhe dy nenet tjera në Kushtetutë”, nënvizoi ai.

    Ndryshe, pas gati 30 muaj krizë politike dhe Kuvendi Popullor i Bullgarisë me 132 vota “për” dhe 69 “kundër” zgjodhi për kryeministër Nikolaj Denkov. Ndërkohë deri më tani Bullgaria është udhëhequr kryesisht nga një Qeveri teknike që është emëruar nga presidenti Rumen Radev, që kur protestat shpërthyen në vitin 2020, për shkak të zemërimit të qytetarëve me korrupsionin në Bullgari.

    Lajmi Paraprak

    E nesërmja – ditë jo pune për qytetarët e besimit Islam

    Lajmi i rradhës

    Spitalet private të parët në RMV, fitojnë dhjetëra miliona euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë