BDI: VMRO-ja dhe Aleanca për Shqiptarët mbrojnë krimin dhe dhunojnë Kuvendin

    Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pati të hënën përplasje fizike midis kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, i cili vjen nga partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe deputetëve të opozitës, përkatësisht të VMRO-DMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

    Hedhja e sendeve nga ana e Ademit ndodhi në momentin kur deputetët e opozitës kërkuan fjalën për rendin e ditës, ku ishte edhe propozim-ligji për punën e gjykatave, i cili parashikon zgjatjen e punës së gjyqtarëve deri në moshën 67-vjeçare.

    Deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe të VMRO-DPMNE-së e kundërshtojnë një masë të tillë, pasi konsiderojnë se me të, pushteti synon “mbajtjen në gjykata të njerëzve të tij”, me qëllim të “mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit”.

    Në një video të publikuar nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mille Lletkov, shihet se deputetët Dafina Stojanovska dhe Antinio Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja i afrohen tavolinës së Ademit dhe ia heqin mikrofonin. Pas kësaj duket se Ademi e godet Milloshoskin në dorë dhe hedh një shishe uji në drejtim të deputetëve të tjerë.

    Për incidentin, opozita fajësoi Ademin, duke e akuzuar për “sjellje të dhunshme”.

    “Kështu sillet kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane. Poshtërim, dhunë dhe fyerje në Kuvend! Maqedonia [e Veriut], në vend të Evropës, është bërë Perëndim i egër me ‘kauboj’ në pushtet”, tha Lletkov.

    Aleanca për Shqiptarët tha se veprimi i Ademit është “vulgar”.

    “Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, i cili po në këtë mënyrë vulgare, i merrte kompetencat në arsim dhe i ndryshonte drejtorët sa herë që i kujtohej në Gostivar, sot shfaqet me një pasqyrë klinike të çuditshme në Kuvend. Mjerim dhe turp! Jo prej pozicionit që ka, po prej titullit që mban”, thuhet në reagimin e Arben Taravarit, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.

    Por, Bashkimi Demokratik për Integrim tha përmes një komunikate se “VMRO-ja dhe Aleanca për Shqiptarët mbrojnë krimin dhe dhunojnë Kuvendin” dhe i fajësoi këto dy parti për incidentin.

    “Gjithmonë kur temë e diskutimit dhe në rend dite në Kuvend është vendosja e drejtësisë në vend, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët provokojnë dhunë verbale dhe fizike, me qëllim që të mbrojnë krimin dhe gjithnjë shfaqen kundër funksionimit të mirëfilltë të sistemit gjyqësor”, thuhet në reagimin e BDI-së.

    Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut edhe më parë ka pasur incidente, ndërsa si më i rëndi njihet ai i 27 prillit, 2017, kur në Kuvend janë futur ithtarë të VMRO-DPMNE-së, duke përdorur dhunë ndaj deputetëve të partive që në atë kohë kanë qenë pjesë e shumicës parlamentare. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Investigimi i BIRN: Nuk përjashtohet përfitimi i familjarëve të politikanëve!

    Lajmi i rradhës

    Halili: Konsensusi i përgjithshëm pengon BE-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë