Maqedonia rënditet në vendin e 63-të sipas “Indeksit për Sundimin e Ligjit”

    Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 63-të sipas “Indeksit për Sundimin e Ligjit” të OJQ-së në Uashington “World Justice Project”. Në raportin e publikuar dje, thuhet se Danimarka kryeson listën, ndërsa në kuadër të Bashkimit Evropian, Bullgaria dhe Hungaria renditen më të ulëtat për sundimin e ligjit. Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, më së miri është Kosova (57), e ndjekur nga Maqedonia (63, në listën e vitit të kaluar 64 – një kërcim prej një vendi) dhe Bosnja dhe Hercegovina (70). Mali i Zi nuk përmendet në listë, Serbia e cila ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit është në vendin e 83-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 87-të nga gjithsej 140 vende të renditura.

    Që nga viti 2009, indeksi i OJQ-ve të Uashingtonit ka matur zhvillimin e shtetit të së drejtës, bazuar në tetë faktorë: Kufijtë në kompetencat e Qeverisë, Mungesa e korrupsionit, Qeverisja e hapur, Të drejtat themelore, Rendi dhe siguria, Zbatimi rregullator, Drejtësia civile dhe Drejtësia penale. Më shumë se 154,000 familje dhe 3,600 ekspertë ligjorë u anketuan për Indeksin e Sundimit të Ligjit të këtij viti.

    Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Holanda shquhen si shembuj të shtetit ligjor. Ato zënë pesë vendet e para në renditjen e shtetit ligjor. Gjermania është në vendin e gjashtë, sepse nuk ka marrë notat më të mira për transparencën e aktiviteteve qeveritare dhe administrative. Ndër të tjera, për shkak se shërbimet nuk janë mjaftueshëm të aksesueshme për gazetarët. Brenda Bashkimit Evropian, Hungaria dhe Bullgaria kanë vlerësimin më të ulët – në vendin e 73-të dhe të 60-të, Kroacia është në vendin e 47-të dhe Sllovenia në vendin e 31-të. Në fund të listës janë Haiti, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani, Kamboxhia dhe në vendin e fundit është Venezuela. Të drejtat themelore, si liria e shprehjes, nuk mbrohen mjaftueshëm në ato vende. Gjithashtu, puna e Qeverisë nuk është nën kontrollin e duhur. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    “Hekurudha deri në Bullgari do të jetë gati deri në fund të kësaj dekade”

    Lajmi i rradhës

    Ulet numri i fuqisë punëtore aktive në Maqedoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë