Në RMV një pjesë e madhe e drejtorive me ushtrues detyre drejtorë

    Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR), në publikimit e tij të fundit ka konstatuar se në vendin tonë kemi shpesh emërim të ushtruesve të detyrës së drejtorit. Në publikimin e fundit nga atje thonë se në periudhën 2018-2021, nga të gjithë drejtorët e Ndërmarrjeve Publike. 52 për qind e emërimit të përgjithshëm të drejtorëve ose zëvendësve të tyre janë ushtrues detyre. Në raportin e ESHR-së, thuhet se zgjedhja e ushtruesve të detyrës pa shpallje publike, cenon profesionalizimin e shërbimit të lartë drejtues, mirë menaxhimin në institucionet e sektorit publik dhe zvogëlon përgjegjshmërinë e procedurës për përzgjedhjen e personave adekuatë të drejtuesve në institucione.

    “Konstatuam se ka një emërim të shpeshtë të ushtruesve të detyrës së drejtorëve, të cilat pozita duhet të shfrytëzohen ekskluzivisht për të kapërcyer një situatë të paparashikuar deri në zgjedhjen e drejtorit, pa shpallur konkurs publik dhe zgjatjen e mandatit të tyre. Mungesa e një ligji që do të kontribuojë në profesionalizimin e shërbimit të lartë drejtues, në avancimin e kapaciteteve organizative dhe forcimin e mirëmenaxhimit në institucionet e sektorit publik, ul përgjegjshmërinë e procedurës për përzgjedhjen e personave drejtues të institucioneve”, thotë raporti i Entit Shtetëror për Revizion.

    Ekspertët dhe njohësit e çështjeve për politikat publike, thonë se kjo çështje është paksa komplekse dhe nuk duhet të lihen në një anë kritikat por pozitat e tilla as mos të nënvlerësohen apo të shihen pa peshë dhe përgjegjshmëri.

    Profesoresha universitare Besa Arifi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se pozita e ushtruesit të detyrës nuk duhet të shihet me nënçmim dhe nuk duhet të nënvlerësohet pasi zgjidhet vetëm për një kohë afatshkurte një ekip udhëheqës për një ndërmarrje publike të caktuar.

    “Problemi kryesor me këtë pozitë është limitimi i kohës në vetëm gjashtë muaj, e cila pamundëson përpilimin e një strategjie afatgjate rreth funksionimit të asaj ndërmarrje. Për këtë arsyeje kjo pozitë vështirëson funksionimin e ndërmarrjeve dhe drejtorive në mënyrë fleksibile. Duke e pasur këtë situatë parasysh është mirë që në ato pozita të vendosen personat që do ta mbajnë më gjatë atë pozitë dhe të përpilojnë strategjinë afatgjate”, deklaroi Arifi.

    Nga ana tjetër, Komisioni Evropian në “Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2021” thekson se vendi është mesatarisht i përgatitur për reformën e administratës publike, me rekomandime për miratimin dhe zbatimin e Ligjit për zyrtarët administrativ, Ligjit për punonjësit e sektorit publik dhe Ligjit për Shërbimin e Lartë Drejtues

    Ndryshe, BE i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje aplikimit të “Sistemit të Meritës” si pjesë e konceptit të “Qeverisjes së Mirë”, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike, për të siguruar punësimin, ngritjen në detyrë dhe shkarkimin në bazë të meritës, përfshirë edhe në nivel drejtues. Kuadri ligjor duhet të mundësojë zbatimin e sistemit të meritës në administratën publike, bazuar në vlera që do të garantojnë objektivitet në punësim dhe zhvillimin e karrierës së administratës sipas rezultateve të arritura.

    Një nga synimet në Draft Strategjinë për Reformat në administratën publike 2023-2030 është krijimi i një sistemi të unifikuar dhe koherent të pagave në administratën publike bazuar në parimin “pagë të barabartë – për punë të barabartë”, duke përfshirë komponentët për llogaritjen e kompensimeve dhe shtesave të pagave për rezultatet e arritura, shkallën e kompleksitetit dhe vëllimin e punës, shtesat e pagave për profile të caktuara punonjësish në zonat ku ka deficit të stafit cilësor ose dalje të stafit ekzistues. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mos e ujisni orkidenë vetëm me ujë

    Lajmi i rradhës

    Çfarë tregojnë simbolet në etiketën e veshjeve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë