Një shqiptar, dy parti!

    PPD (Partia për Prosperitet Demokratik), parti politike në RMV

    Sefer Tahiri

    E kishin pyetur Kiro Gligorovin, presidentin e parë të Maqedonisë se si t’ia bëjmë me shqiptarët, me kërkesat e tyre politike dhe juridike- kushtetuese. Përgjigja e tij kishte qenë e shkurtër “Nga një PPD, do tu bëni dy”.

    Pavarësisht nëse kjo porosi e Gligorovit mund të jetë rrëfim i shpikur nga dikush, duket shumë e vërtetë dhe çdo ngjashmëri e saj me realitetin politik shqiptar nuk është e rastësishme.

    Procesit të ndarjeve brenda – partiake, deri më tani, nuk i ka shpëtuar as Partia e Prosperitetit Demokratik, e formuar më 16 prill të vitit 1990, në fshatin Xhepçisht të Tetovës, kryetar i së cilës u zgjodh Nevzat Halili. Partia për Prosperitet Demokratik u regjistrua si parti e parë shqiptare më 25 maj të vitit 1990.

    PPD-ja, e cila përjetohej si lëvizje popullore shqiptare, goditjen e destrukturimit të saj e përjetoi nga media e Tiranës. Ishte komenti i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në dhjetor të vitit 1993, e cila e paralajmëroi dhe në njëfarë mënyre vulosi ndarjen e kësaj partie më dysh.

    Në fund të vitit 1993, në skenë paraqitet grupi i pakënaqur brenda PPD-së, i drejtuar nga kryetari i degës së atëhershme në Tetovë, Menduh Thaçi, i cili hapur do të shfaq mospajtimet me politikën e PPD-së dhe bashkëpunimin e saj me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, e drejtuar nga Branko Cërvenkovski.

    Gligorovi kishte pasur të drejtë. Në Tetovë u mbajt kongresi i njohur si i përçarjes. PPD-ja, unike dhe e njëzëshme u nda në dysh. Më 12 dhe 13 shkurt të vitit 1994, një pjesë e PPD-së, që ishte krahu radikal, kundërshtues i politikave gligoroviane vazhdoi punimet e kongresit në Pallatin e Kulturës dhe zgjodhi kryetar Arbër Xhaferrin, ndërsa pjesa tjetër, PPD-ja qeveritare zgjodhi për kryetar Xheladin Muratin. Të dy grupet thirreshin në emrin PPD dhe thonin se PPD-ja është një. Më vonë, krahu apo siç njihej fraksioni i Arbër Xhaferrit dhe Menduh Thaçit formoi Partinë e Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH), pasi emrin zyrtar me vendim gjykate e mbanin funksionarët e PPD-së. PPDSH-ja në kongresin e vitit 1997 do të bashkohet me Partinë Demokratike Popullore dhe do të formohet Partia Demokratike Shqiptare.

    Pas kësaj ngjarjeje vazhdon historia politike shqiptare! Pluralizëm i madh, demokraci pak. Parti politike plot, shqiptarët dhe shqipja mbeten përqindje. Populli dhe gjuha e mbi 20 %!

    *Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.


    Lajmi Paraprak

    Kurti në Slloveni – Brnabiqit: Nuk jeni distancuar as nga Millosheviqi, as nga Putini

    Lajmi i rradhës

    Ushqimet më të mira për të nisur ditën me energji

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë