Euro 2020 në numra: Rekorderi Ronaldo, lojtari më i ri, intervenimet dhe statistika të tjera

    Ka përfunduar faza grupore e ‘Euro 2020’, ndërsa pos që i kemi parë 94 gola në 36 ndeshje të zhvilluara – janë regjistruar edhe disa të dhëna interesante statistikore.

    E dhëna më e freskët dhe padyshim më e rëndësishmja është se Cristiano Ronaldo e ka barazuar rekordin e golave me përfaqësuese dhe ndan vendin e parë me legjendën iraniane, Ali Daei, me nga 109 gola.

    Daei u kujdes që ta uronte golashënuesin më të mirë në histori për një tjetër arritje të jashtëzakonshme.

    Anësori i Rusisë, Aleksandr Golovin, ka vrapuar më së shumti deri më të ani në këtë kampionat. Në tri ndeshjet e zhvilluara, ai vrapoi 36 kilometra në total, me një mesatare prej 12 kilometrash për ndeshje.

    Polaku Kacper Kozlowski është bërë futbollisti më i ri në një Kampionat Evropian. Me 17 vjet e 246 ditë, ai u inkuadrua në takimin kundër Spanjës. Është interesante se gjashtë ditë më herët rekord të tillë vendosi anglezi, Jude Bellingham, në takimin ndaj Kroacisë në të cilin kishte 17 vjet e 349 ditë, por u thye nga talenti polak i mesfushës.

    Kur është fjala për golat, Holanda ka qenë më efikase në fazën grupore, ashtu që kundërshtarët e tyre është dashur që tetë herë të nxjerrin topin nga porta. Georginio Wijnaldum ka shënuar tri herë, Memphis Depay dhe Denzel Dumfries nga dy, kurse Wout Weghorst ka realizuar një gol.

    Italia dhe Anglia janë kombëtaret e vetme që nuk kanë pranuar gol në ‘Euro 2020’. Azzurrët shënuan shtatë herë ndaj Zvicrës, Turqisë dhe Uellsit; kurse Tre Luanët dy herë në ndeshjet ndaj Kroacisë, Republikës Çeke dhe Skocisë.

    Ugurcan Cakir ka bërë më së shumti intervenime ndër portierë. Portieri turk ka mbrojtur plot 18 goditje, ndërsa tetë herë ka qenë i pafuqishëm.

    Hungaria ishte në grupin e vdekjes dhe mbeti pa 1/8 e finales në minutat e fundit. Mirëpo, hungarezët kanë bërë lojëra shumë të mira dhe kanë regjistruar më së shumti ndërhyrje të suksesshme – 62 sosh, nga të cilat kanë dominuar Attila Fiola dhe Endre Botka me nga 11. Në këtë parametër statistikor, ekipi i radhës më i suksesshëm ka qenë Gjermania me 50 ndërhyrje të suksesshme.

    Spanja regjistroi fitoren me rezultat më të thellë kur në xhiron e fundit e mposhti Sllovakinë me rezultat 5-0. Kjo ka qenë fitorja më e lartë që nga viti 2004, kur Suedia me të njëjtin rezultat e mposhti Bullgarinë në fazën grupore.

    Emil Forsberg e shënoi golin e dytë më të shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane. Suedezi realizoi ndaj Polonisë pas 1 minute e 22 sekondash duke e zhvendosur nga vendi i dytë danezin Yussuf Poulsen, i cili po në këtë kampionat shënoi ndaj Belgjikës pas 1 minute e 39 sekonda. Rekordin e mban rusi Dmitri Kirichenko, i cili në vitin 2004 ndaj Greqisë shënoi pas 1 minute e 5 sekondash.

    Para nesh kanë mbetur edhe 15 ndeshje për t’u zhvilluar dhe presim të shohim nëse do të vendosen rekorde të reja në këtë Kampionat Evropian që po bëhet gjithnjë e më interesant.

    Lajmi Paraprak

    Produktet e së ardhmes, që do të ‘zhdukin’ shumë zakone nga rutina jonë (Foto)

    Lajmi i rradhës

    Tani do të mund të udhëtoni në Suedi | Hiqen kufizimet për shtetasit e RMV-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë