Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e parë të fushatës!

    Dje në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 të caktuara për më 17 tetor. Fushata përfundon më 15 tetor në mesnatë. Rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 31 tetor dhe fushata për raundin e dytë do të zgjasë deri në mesnatën e 29 tetorit, njofton Nistori.

    Partitë politike i kanë prezantuar kandidatët dhe programin e tyre për katër vitet e ardhshme.

    Nistori do të përpiqet në vijim të bëjë një retrospektivë të asaj çfarë u tha mbrëmë në foltoret e partive politike para qytetarëve.

    Ahmeti në Gostivar: Sekreti i suksesit të BDI-së është puna që kemi bërë deri më tani për qytetarët e RMV-së

    Nën moton “Zgjidh jetë, Voto blertë”, Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI fushatën për zgjedhjet lokale e filloi sonte nga qyteti i Gostivarit ku prezantoi kandidatët për kryetar të komunave dhe këshillave komunal.

    Ahmeti gjatë fjalimit tha se shumë njerëz dhe ndërkombëtar pyesin për të gjithë këto suksese të BDI-së, ku ai theksoi se sekreti i gjithë kësaj është tek vota dhe besimi që ia ka dhënë popullit.

    “Nuk duhet shumë analiza të bëhen, sepse suksesi ka qenë tek ju, tek ju – njerëzit e vullnetit të mirë. Tek ju – njerëzit atdhedashës, patriotë që duani, e keni dashur lirinë e vendin dhe keni vënë mbi interesat personale interesin e përgjithshëm dhe jeni bazuar në ofertat, platformat që partitë politike kanë bërë përpara qytetarëve. Andaj suksesi dhe sekreti është se të gjithë aktivistët e BDI-së, nga më i riu tek më i moshuari, me shpirt e me zemër ka punuar për atë platformë, për atë program. Prandaj, ne sot jemi krenarë që kemi mbyll kapituj të rëndësishëm të historisë sonë për çka shqiptarët janë përvluar e dëbuar me vite me radhë”, ka deklaruar Ahmeti para të pranishmëve.

    Ahmeti ka shtuar se reformat në vend asessi të mos ndalen, si reformat në gjyqësor, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe ndërtimin e relacioneve me shtetet fqinj.

    Zaev e fillon fushatën e tij me një barcoletë: Në vend të “Vozit Mishko”, “Ndalo Micko”

    Kreu i LSDM -së krahasoi sjelljen e udhëheqësit të opozitës me një skenë nga një film i famshëm. Ai solli një fragment për paraqitjen e Mickoskit nga skena e një filmi të famshëm “Kush këndon atje (kush këndon atje)”.

    Zgjedhjet lokale më 17 tetor janë të rëndësishme, sepse qytetarët do të dërgojnë porosi
    se në cilën rrugë duhet të lëvizë Maqedonia e Veriut dhe të thonë se në cilin drejtim
    duhet të vazhdojmë, ka deklaruar kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në lajmet e TV
    Sitell. Përndryshe, LSDM sonte e filloi fushatën në Manastir, ku para të pranishmëve prezantoi kandidatët për kryetar komune.

    Kreu i LSDM -së Zoran Zaev e ka filluar fushatën zgjedhore me një barcoletë në tubimin e parë të LSDM -së të mbajtur në Manastir.

    “Dyshoj se janë dy persona me të njëjtin emër dhe mbiemër. Një Zoran Zaev i cili është këtu me qytetarët, i cili solli shumë çmime ndërkombëtare dhe një tjetër Zoran Zaev i cili përballet me lajme të rreme të organizuara dhe financuara nga Budapesti. Por, regjistrimi do të tregojë nëse ka një ose dy Zoranovci me mbiemrin Zaev. Nëse del që janë dy, sigurohuni që ata janë duke u grindur. Por t’i lëmë shakatë anash, radha është të tregojmë pse kemi ardhur. Ne erdhëm t’ju ofrojmë më të mirën për Manastirin. “Më i miri nga Manastiri për Manastirin dhe ai është Hristo Kondovski,” tha Zaev.

    Përndryshe Zaev ka thumbuar edhe kundërshtarin e tij politik, duke deklaruar se Mickoski nuk ka përgjigje për asnjë çështje.

    Sela në Shkup: E bëmë ligjin për shtetësi duke qenë në opozitë, imagjinoni po të jemi në pushtet

    Koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e kanë filluar fushatën zgjedhore nga Shkupi, ku kanën promovuar kandidatët për kryetar komune. Sipas Ziadin Selës, të gjithë kandidatët e koalicionit ofrojnë zgjidhje serioze për problemet reale që i tangojnë qytetarët në jetën e përditshme.

    Kryetari i ASH-së Ziadin Sela para të pranishmëve tha se ka pasur shumë skeptikë në lidhje me ligjin për shtetësi, por ai ka theksuar se sëbashku me deputetët kanë arritur ta bëjnë duke qenë në opozitë.

    “E imagjinoni çka mund të bëjë Aleanca për Shqiptarët bashkë me Alternativën kur të kenë pushtet. Numëroni gjithçka që s’kanë arritur nga 30 vite, prej kur Maqedonia është bërë shtet i pavarur. Me këto njerëz, me Aleancën për Shqiptarët dhe me Alternativën do t’i keni realitet vëllezër dhe motra”, ka deklaruar Sela.

    Sela ka shtuar se dëgjoni të gjithë ofertat e partive politike, por ka porositur qytetarët që t’ua kujtojnë atyre edhe të pabërat dhe premtimet e parealizuara. 

    Kasami: Tetovës i duhet ndryshim dhe ai ndryshim do të bëhet nëpërmjet Lëvizjes Besa

    Puna e hajrit duket prej në fillim, do jetë e mbarë se nijetin e kemi të mirë!

    Lëvizja Besa fushatën për zgjedhjet lokale sonte e filloi nga qyteti i Shkupit, ku edhe promovoi kandidatët për kryetar komunash dhe listën e këshilltarëve. Të pranishmëve me fjalim i’u drejtua kryetari, Bilall Kasami, njëherit edhe kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës.

    Kandidati për komunën e Tetovës dhe njëherit kryetar i partisë Besa, Bilall Kasami deklaroi se Tetovës i duhet ndryshim dhe ai ndryshim do të bëhet nëpërmjet Lëvizjes Besa.

    “E dimë se shumica e qytetarëve për shkak të keqmenaxhimit të deritanishëm nga oponentët tanë, kanë humbur besimin tek pushteti lokal. Në këto zgjedhje ne ju ofrojmë një model të ri komunave urbane dhe rurale. Do të rikthejmë besimin e qytetarit tek komuna që gjithkush ta shoh komunën si shtepinë e vetë”, ka deklaruar Kasami.

    Ai më tej ka shtuar se do të jetë transparent në menaxhimin e mjeteve financiare publike dhe se me fitoren e Besës keqperdorimeve financiare në komunë do t’iu vjen fundi. 

    Gashi: Më 17 tetor e plotësojmë edhe gjysmën tjetër të fitores

    Koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit e filluan nga sheshi “Skënderbeu”. Nën sloganin “Pastër”, me çka do të kërkojnë kandidatët besimin e qytetarëve për të udhëhequr në 16 komuna, prezantuan programin për katër vitet e ardhshme.

    Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi para shkupjanëve tha se kështu duke e mbajtur gjallë koalicionin dhe kështu të bashkuar në këtë cikël zgjedhor kemi përçuar një mesazh se ne dijmë të qëndrojmë bashkë dhe nuk jemi prej përçarësve.

    “Çfarë mendoj unë se është gjysma tjetër e fitores! Është të keni kandidat të mirë, cilësor, të keni programe të mira dhe njerëz të cilët kanë ide e vizion sesi mund t’i zhvillojnë komunat e tyre e t’i zgjidhin problemet e qytetarëve në ato komuna”, ka theksuar ndër të tjera Gashi.

    Ai më tej ka shtuar se duke prezantuar kandidatë të ndershëm, cilësi të larta, profesionale, morale e shpirtërore ne hapërojmë bindshëm drejt një fitore të madhe.

    Me paraqitjen e kandidatëve për kryetarë për zgjedhjet lokale të përcaktuara më 17 tetor, VMRO-DPME dhe partitë politike nga koalicioni “Rimëkëmbje të Maqedonisë” edhe këtë fushatë parazgjedhore tradicionale e filloi me tubim në Ohër.

    Mickoski në Ohër: Zaevi luan edhe me shqiptarët edhe me maqedonasit

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dërgoi një sërë porosish kundrejt kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev. Mickoski tha se Zaev po luan edhe me shqiptarët edhe me maqedonasit.   

    VMRO-DPMNE tradicionalisht tubimin e parë dhe prezantimin e kandidatëve për kryetarë të komunave e zhvillon në Ohër në Teatrin Antik.

    Partia ka prezantuar kandidatin për kryetar të Ohrit, Kiril Pecakov. Përndryshe dje filloi zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale. 

    Menduh Thaçi: Kandidatët e PDSH-së janë të aftë e këmbëngulës

    Partia Demokratike Shqiptare – PDSH me sloganin “Me më të zotët ka shpresë!”, fushatën zgjedhore e filloi nga Tetova. Kryetari Menduh Thaçi ka mbajtur fjalim para qytetarëve, duke prezantuar kandidatët për kryetar komunash.

    “Me ndihmën tuaj kemi arritur të nxjerrim një ekip jashtëzakonisht të përgatitur siç thotë platforma jonë: të zotë, të aftë, njerëz këmbëngulës, njerëz të cilët i hyjnë kësaj beteje jo nga arsyeja e interesit personal, por nga arsyeja e betejës së përgjithshme, për një të ardhme më të mirë”, ka deklaruar Thaçi para tetovarëve.

    Në këtë cikël zgjedhor do të marrin pjesë 301 kandidatë për kryetarë komune dhe 676 lista për këshilltarë. Fushata do të zgjatë 19 ditë, gjegjësisht deri më 15 tetor në mesnatë. Rrethi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 17 tetor, ndërkaq rrethi i dytë më 31 tetor.

    Në këtë cikël zgjedhor do të marrin pjesë 301 kandidatë për kryetarë komune dhe 676 lista për këshilltarë. Fushata do të zgjatë 19 ditë, gjegjësisht deri më 15 tetor në mesnatë. Rrethi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 17 tetor, ndërkaq rrethi i dytë më 31 tetor. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Menduh Thaçi: Kandidatët e PDSH-së janë të aftë e këmbëngulës

    Lajmi i rradhës

    Mesazhi i qartë i Von der Leyen para nisjes së turit ballkanik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë