Projektet ekologjike në RMV gjatë vitit 2023, të ngadalta dhe të vonuara

    Mbrojtja e mjedisit jetësor në vitin 2023 nuk ishte ndër prioritetet kryesore të politikanëve në Maqedoni. Tradicionalisht, edhe në 12 muajt e fundit, u përsëritën problemet dhjetëvjeçare me mungesën e financave, kapaciteteve në institucione dhe projekteve konkrete që japin rezultate të dukshme. Mirëpo, ato projekte që janë filluar dhe që janë në realizim e sipër, u realizuan ngadalë dhe me vonesa për arsye të ndryshme, si financat dhe kapacitetet e pamjaftueshme, apo interesat e fshehura biznesore dhe politike, shkruan Meta.mk.

    Ajo që e shënoi vitin e kaluar në një kuptim pozitiv është angazhimi për transformimin e sektorit  të energjetikës të varur nga lëndët djegëse fosile, drejt burimeve të qëndrueshme dhe të rinovueshme të energjisë. Viti sigurisht që do të mbahet mend për interesin për termocentralet fotovoltaike, të cilat për momentin janë më interesante dhe më të përballueshme për investitorët-biznesmenët, sesa për qytetarët.

    Para Samitit për klimën që u mbajt në Dubai u paralajmëruan edhe investime për një tranzicion të drejtë energjetik prej 85 milionë eurosh, për të cilat autoritetet na sigurojnë se do të fillojnë në vitin 2024. Kjo do të thotë se shumë shpejt duhet të presim që zotimet e Qeverisë të shndërrohen në projekte, e sidomos që rajoni i Manastirit dhe Kërçovës të mos jenë më kampionë në ndotje apo për vdekje si pasojë e ndotjes.

    Samiti global për Klimën, COP 28 që u mbajt në Dubai, ku morën pjesë përfaqësuesit e rreth 200 shteteve. Foto nga faqja e COP28 në Twitter
    Samiti global për Klimën, COP 28 që u mbajt në Dubai, ku morën pjesë përfaqësuesit e rreth 200 shteteve. Foto nga faqja e COP28 në Twitter

    Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian thuhet se progresi sa i përket mbrojtjes së mjedisit jetësor është i “kufizuar”. Kjo vlen posaçërisht për trajtimin e mbeturinave, trajtimin e ndotjes së ajrit dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Viti i kaluar, 2023 ishte viti i dytë radhazi që u njoftua miratimi i Ligjit për Veprim Klimatik, qenësor për reagimin tonë ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, por me sa duket, deri sa ai të miratohet procesi po hyn në të tretin vit radhazi.

    Ndotja e ajrit vazhdon të jetë problemi numër një me të cilin përballen zonat urbane. Jemi dëshmitarë të një numri ekstrem të përqendrimeve të grimcave PM 10 dhe 2.5 në Shkup, Strumicë, Kërçovë, Kumanovë, Koçan….. por edhe të heshtjes dhe mosinteresimit të autoriteteve lokale. Deklarata e preferuar e politikanëve se ndotja e ajrit nuk mund të zgjidhet brenda natës nuk është më e vërtetë. Problemi ka qenë prezent për aq kohë sa që deri më tani duhet të kishin dhënë rezultat jo vetëm masat afatshkurtra, por edhe ato afatmesme. Megjithatë, realizimi i projekteve në vendin tonë zakonisht ecën me hapa kërmilli, ndërkohë që pasojat i vuajnë qytetarët.

    Vitin e kaluar nuk kishte ndryshime të mëdha as në trajtimin e mbeturinave, një nga degët më të neglizhuara të mbrojtjes së mjedisit në vend. Edhe pse ministrja e mjedisit jetësor, Kaja Shukova, në një intervistë për Meta.mk, e pranoi se është e turpshme që nuk kemi një deponi të vetme sipas standardeve evropiane, as në vitin 2023 asnjë nga këto projekte nuk u përfundua.

    Mund të themi se po punohet në mënyrë aktive në proceset për deponitë rajonale, por edhe këtu problem është ritmi i ngadaltë dhe koha që po kalon. Vlen të përmendet që vitin e kaluar e shënoi edhe mosfunksionaliteti i sistemit të selektimit të mbeturinave, i cili kontribuon në përshtypjen e keqe të vendit tonë si jashtëzakonisht i papastër. As në vitin 2023 nuk arritëm t’i pastrojmë as lumenjtë, as malet, ndërsa nuk shohim ndonjë përparim as në ndryshimin e zakoneve të qytetarëve.

    Pikat e nxehta të mbeturinave historike “digjeshin” edhe gjatë vitit të kaluar. Pastrimi i deponisë së vogël me mbeturina në OHIS po vazhdon, por jo me shpejtësinë dhe efikasitetin që u paralajmërua në fillim dhe që ne e prisnim. Problem përbën edhe sigurimi i fondeve për të përfunduar projektin deri në fund, e të mos flasim që radhë presin edhe deponia e madhe dhe Pelenica. Kodra e zezë me zgjyrë nga shkritorja e Velesit në vitin 2023 nuk u zvogëlua as edhe për një centimetër. Pastrimi i kësaj pike të nxehtë ekologjike ka ngecur në rrethin vicioz të pritjes së përfundimit të proceseve administrative, por edhe për gjetjen e blerësit nga investitori. Nuk ka pasur lëvizje as me deponinë e minierës së dikurshme të arsenit. Deponitë në Llojan dhe Tabanoc nuk janë të rrethuara, nuk është gjetur as edhe koncesionar i ri i cili do ta eksportonte arsenin jashtë vendit, ndërkohë që kaloi edhe një vit i tërë plot me premtime.

    Lindani në OHIS, Foto: Meta.mk
    Lindani në OHIS, Foto: Meta.mk

    Në një nga pikat e nxehta ekologjike më të mëdha në Maqedoni, hidrodeponia e vjetër e minierës së plumbit dhe zinkut “Zletovo“, e mbushur me rreth 6 milionë metra kub plot me metale të rënda, në vitin 2023 pati një lëvizje të vogël. Komuna e Probishtipit është duke përgatitur dokumentacionin e ri urbanistik që do të mundësojë rehabilitimin e hidrodeponisë së vjetër, pas çka në atë vend planifikohet ndërtimi i një centrali fotovoltaik.

    Për ta përmbyllur vitin 2023, muajin e kaluar arritën edhe rekomandimet më të fundit nga Konventa e Bernës, sërish kushtuar heqjes së koncesioneve për hidrocentralet e vogla në zonat e mbrojtura, mbrojtjes së lumenjve dhe biodiversitetit, uzurpimit dhe shkatërrimit të natyrës dhe pasurive kulturore të rajonit të Ohrit. Është për t’u përshëndetur vendimi që Qeveria e mori në shkurt të vitit të kaluar për ndërprerjen e koncesioneve të dy hidrocentraleve të vegjël në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Por nga ana tjetër, Qeveria vazhdoi edhe me dhënien e lejeve të reja për ndërtimin e objekteve të tilla. Tashmë me analiza të shumta është vërtetuar se funksionimi i hidrocentraleve të vegjël është tërësisht kundër logjikës ekonomike dhe energjetike, por, për fat të keq, ende lejohet me ligj dhe mbështetet me gjithë zemër nga politikat e shtetit për subvencionim.

    Vlen të përmendet edhe fillimi i procesit për rishpalljen e Mavrovës për park kombëtar, por sipas ritmit të ngadaltë me të cilin po bëhet rishpallja e Matkës si monument natyror, nuk dimë a mund të presim që edhe të përfundojë këtë vit.

    Është e qartë se në të gjitha fushat e mbrojtjes së mjedisit jetësor mbeten shumë pyetje të hapura për të cilat do të duhet të punohet këtë vit, në vitin 2024. Afrimi i zgjedhjeve ka gjasa të sjellë premtime të reja për kodra dhe lugina, por politikanët duhet ta kuptojnë se qytetarët i mbajnë mend të gjitha projektet e premtuara dhe të parealizuara. Ndërgjegjësimi i publikut po rritet ngadalë por sigurt, dhe po ashtu edhe pritshmëritë për angazhim më të madh të autoriteteve qendrore dhe lokale.

    Rezultatet, ato të shpejtat, janë ato që vlerësohen gjithmonë në fund. Jo premtimet dhe idetë.

    Lajmi Paraprak

    Banorët e Banjicës paralajmërojnë protesta radikale për shpronësimin e paligjshëm për interesa të Korridorit 8

    Lajmi i rradhës

    Punimet e dorës mbeten gjithmonë në modë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë