U VOTUA NË TRE KOMUNA | Vijon publikimi i rezultateve

    Alternativa fiton një këshilltar, flet Orhan Murtezani nga Alternativa

    Elmedina Abdullahi: Rezultatet nuk janë në pritshmëritë tona, megjithatë nuk do të ndalemi

    MMPT do të vazhdojë me aktivizëm për të mirën e qytetit

    VMRO-DPMNE shpall fitore ndaj LSDM-së në Tetovë

    Abdullah Osmani i ASH-së: Rezultati nuk është i kënaqshëm, do të reflektojmë

    Lëvizja Besa shpall fitore: Kemi një mijë vota më shumë se BDI

    10:05 Ali Ahmeti: Për BDI-në me rëndësi janë proceset demokratike

    Deklarohet Aleanca për Shqiptarët pas publikimit të rezultateve

    Lëvizja BESA shpall rezultatet e para

    07:41 Dashtevski: Kemi pasur 127 ankesa, 43 në Tetovë – nuk janë regjistruar incidente

    06:59 Kovaçevski e shpall Arijan Ibrahim kryetar të Komunës Qendër Zhupë

    06:27 Sulejmani: Nga informacionet në terren, fitojmë bindshëm

    06:14 Mbyllet procesi i votimit, fillon numërimi i votave

    04:58 Dalja në Tetovë deri në ora 17:00 është 27.79 për qind

    03:15 KShZ tregon jehonën e votuesve në Tetovë deri në ora 15:00

    3:03 Osmani: Qytetarët të dalin të votojnë dhe të vendosin për të ardhmen e tyre

    2:55 Faton Ahmeti: Pres që procesi i votimit të përfundojë në mënyrë demokratike

    2:52 Palloshi: Do të jemi zëri i qytetarëve në Këshillin e Komunës së Tetovës

    1:19 Elmedina Abdulahi: Qytetarët të votojnë sipas bindjes, e jo nga trysnitë

    12:55 “Dalja e votuesve deri në ora 13 është nëntë për qind”

    12:38 Thaçi: Këto zgjedhje maltretim për qytetarët

    11:24 Dauti i KKZ-së: Procesi zgjedhor ka rrjedhur në rregull, me probleme të vogla teknike

    10:56 Kasami dhe Durmishi të bindur për shumicë në Këshillin Komunal

    Zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune sot po mbahen në komunën e Mavrovës dhe Rostushës dhe Qendër Zhupës për shkak të mungesës së pjesëmarrjes së nevojshme të votuesve në zgjedhjet e kaluara, ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme për këshilltarë po mbahen në Tetovë, pasi nuk u arrit marrëveshja për shumicën në Këshillin komunal dhe për rrjedhojë komuna u detyrua të shkojë në zgjedhje, shkruan Nistori.

    Të drejtë vote në zgjedhjet lokale për kryetar komune në Mavrovë dhe Rostushë dhe në Qendër Zhupë dhe për këshilltarë në Tetovë kanë gjithsej 101.174 votues, të cilët votojnë sot në 172 vendvotime, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

    Në Tetovë në Listën zgjedhore në 117 vendvotime janë të regjistruar 84.072 votues. Në Mavrovë dhe Rostushë janë 9.948 votues në 39 vendvotime, ndërsa në Qendër Zhupë 7.145 në 16 vendvotime.

    Në Qendër Zhupë ka vetëm një kandidat për kryetar komune në këto zgjedhje, ndërsa dy kandidatë janë në Mavrovë dhe Rostushë. Që zgjedhjet për kryetar komune të jenë të suksesshme, është e nevojshme që të paktën një e treta e votuesve të regjistruar të dalin në votim. Në këto dy komuna votimi përsëritet për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme të votuesve në zgjedhjet e mëparshme. Për t’u zgjedhur kandidati për kryetar komune duhet të marrë shumicën e votave.

    Në Tetovë në fletëvotim janë 13 lista me 403 kandidatë për anëtarë të Këshillit të Komunës, të paraqitura nga 11 parti dhe dy lista të pavarura. Me këto zgjedhje Tetova duhet të marrë një përbërje të re të Këshillit, pasi ajo e mëparshme, e zgjedhur në zgjedhjet lokale në tetor 2021, pushoi së funksionuari në prill për shkak të mungesës së shumicës. Në maj të këtij viti, Qeveria e shkarkoi Këshillin e Tetovës, pas së cilës u mor vendim për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Mandatet e këshilltarëve do të shpërndahen sipas numrit të votave të marra duke përdorur formulën D’Hont.

    Këto zgjedhje do të monitorohen nga 49 vëzhgues të akredituar nga një organizatë vendase dhe një organizatë e huaj.

    Dje kanë votuar të sëmurët dhe të pafuqishmit dhe të burgosurit në të tri komunat. Sipas KShZ-së, 93 persona kanë pasur të drejtë të votojnë në shtëpitë e tyre, sepse janë regjistruar si të sëmurë ose të pafuqishëm. Prej tyre 29 në Qendër Zhupë, 40 në Mavrovë dhe Rostushë dhe 24 në Tetovë. Të drejtë vote kanë pasur 94 votues të cilët janë duke vuajtur dënimin me burg ose janë në paraburgim, përkatësisht n Idrizovë 56 votues, në Burgun e Tetovës 23, në Shtip – dy, në burgun e Strugës një dhe në burgun në Shkup dhe Shuto Orizare, 12 votues, shkruan Nistori.

    Në këto zgjedhje do të përdoren pajisje biometrike të identifikimit të zgjedhësve dhe nuk do të zbatohen masa mbrojtëse ndaj COVID-19, si në periudhën e kaluar.

    Raundi i dytë i mundshëm i zgjedhjeve për kryetar komune në Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë duhet të mbahet pas dy javësh, pra më 3 shtator.

    Në komunën e Qendër Zhupës sot për herë të dytë po mbahen zgjedhjet e përsëritura për kryetar.

    “Të 16 qendrat e votimit janë të hapura në orën 07:00. Në listën e vetme zgjedhore janë regjistruar 7154 persona dhe për t’u zgjedhur kryetar komune duhet të ushtrojnë të drejtën e votës 2385 persona. Dje kanë votuar 29 të sëmurë dhe të pafuqishëm.” – tha Nexhip Iljaz, kryetar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

    Në të gjitha 117 vendvotimet në Komunën e Tetovës, votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme për anëtarë të Këshillit ka filluar dhe po vazhdon pa probleme, njofton Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) të Tetovës.

    “Këshillat zgjedhorë na njoftuan se votimi ka filluar në të gjitha qendrat e votimit dhe po zhvillohet në rendin më të mirë. Nuk ka probleme të mëdha.” – njofton Nazmi Dauti, sekretar i KKZ-së Tetovë.

    Në listën zgjedhore të Komunës së Tetovës janë regjistruar 84.071 votues të cilët gjatë ditës do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në një nga 117 vendvotimet në Tetovë dhe në disa vendbanime rurale. Besimin e votuesve për 31 vende në Këshillin e Komunës së Tetovës e kërkojnë 403 kandidatë nga 13 lista të kandidatëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gligorov: Shteti duhet t’i kontrollojë çmimet dhe të mendojë për qytetarët

    Lajmi i rradhës

    Në komunën e Qendër Zhupë sot për herë të dytë po mbahen zgjedhjet për kryetar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë